
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka dezinformuar të mërkurën se Kosova përmes dronëve bajraktarë, ka vëzhguar nga Gjakova pozicionet e ushtrisë së Serbisë. Ai madje ka përmendur edhe avionët suedezo-gjermanë, për të cilët k thënë se “janë parë duke fotografuar nga territore të tjera që nuk janë nën kontrollin e ushtrisë serbe, por duke fotografuar për shkak të pranisë së forcave serbe të sigurisë.”
Çfarë tha Vuçiq:
Vuçiq tha se Serbia do të duhet të ndryshojë shumë nga zakonet e saj dhe të investojë më shumë në gatishmërinë ushtarake:
“Pajisjet dhe armatimet e ushtrisë serbe po modernizohen, nuk jemi të kënaqur me numrin e njerëzve, sidomos në veri të Serbisë, në Beograd dhe Vojvodinë. Kemi shumë sfida, dhe forca të mëdha janë të grumbulluara në rajon për arsye të ndryshme.
Ajo që kemi vërejtur është se veprimet e avionëve me pilot dhe avionëve pa pilot dhe dronëve në mjedis me qëllime zbuluese drejt Serbisë, pa kaluar kufirin e Serbisë, janë shtuar nga të gjitha drejtimet në drejtim të Serbisë. Kemi parë “bajraktarë” shqiptarë që ngrihen nga Gjakova për të vëzhguar pozicionet e ushtrisë serbe, dhe avionë suedezo-gjermanë duke fotografuar nga territore të tjera që nuk janë nën kontrollin e ushtrisë serbe, por duke fotografuar për shkak të pranisë së forcave serbe të sigurisë. Ne do të vazhdojmë të përshpejtojmë dhe do të duhet të ndryshojmë zakonet tona, të punojmë më shumë dhe më mirë, të jemi më të qartë në mesazhin tonë për frenimin e një agresioni të mundshëm. Ne do të duhet të rrisim fuqinë punëtore në ushtri, por jo në poste sekretarie, por ata që mund të mbajnë pushkë dhe të ndihmojnë vendin.”


Analiza:
Presidenti serb i përdor akuzat ndaj vendeve fqinje si pjesë të strategjisë së tij më të gjerë propagandistike, ndërkohë që mashtron opinionin serb se gjoja çelësi i paqes është krijimi i një ushtrie serbe gjithnjë e më të fortë.
Për pretendimet e tij, Vuçiq nuk dha asnjë provë. Ai dezinformoi për dronët bajraktarë dhe për avionët serbo-gjermanë me qëllim që të rrisë tensionet dhe për të justifikuar aktvitetet ushtarake të vendit të tij.
Vuçiq po investon nënushtri në kurriz të sektorëve të tjerë jetikë si shëndetësia dhe arsimi.
Akuzat dhe retorika e Vuçiqit për armët ushtarake kanë për qëllim të largojnë vëmendjen nga çështjet aktuale në Serbi dhe të nxisin frikën në rajon. Ai po ashtu synon të krijojë një klimë frike dhe mosbesimi ndaj Perëndimit. Deklaratat e tilla, të cilat e paraqesin Serbinë si viktimë të komploteve ndërkombëtare, synojnë edhe krijimin e unitetit në mesin e serbëve.
Rritja e armatimeve nuk mund të nënkuptojë në asnjë mënyrë paqe, por politikë e kundërt./G.Venhari-The Geopost/