Mediumi serb “Informer” ka dezinformuar mbi inkursionin e Ukrainës në rajonin e Kursk brenda territorit të Rusisë duke shkruar se ushtria e Ukrainës është ndalur nga ajo e Rusisë, ndërsa për presidentin Volodymyr Zelensky thotë se po hesht.
Çka raportoi Informer?
“Katastrofa e Ukrainës! Ushtria e Zelenskyt u ndërpre në Kursk! Gjeneralët dhe presidenti heshtin për humbjen e tmerrshme që e pret Kievin! Një pjesë e luftëtarëve të Forcave të Armatosura të Ukrainës (OSU) në sulmin në rajonin e Kurskut mbetën të shkëputur nga njësitë kryesore dhe aktualisht ndodhen në rrethinë. Presidenti Vladimir Putin deklaroi se Kievi, duke sulmuar rajonin e Kurskut, donte të ndalonte ofensivën ruse në Donbass, por nuk ia doli”, thuhet në raportimin e Informer.
Analiza:
Informer ka dezinformuar në lidhje me sulmin që u konsiderua ndër më të suksesshmit të Ukrainës në përballjen e saj me agresionin rus.
Ukraina filloi një inkursion ndërkufitar në rajonin e Kurskut në fillim të gushtit, duke sekuestruar rreth 100 vendbanime dhe 1,300 kilometra katrorë të territorit rus. Rusia ka nisur një kundërsulm megjithatë është e pavërtetë që ushtria ukrainase është ndalur siç raporton mediumi serb.
Gjithashtu presidenti Zelensky është deklaruar për këtë kundërsulm duke thënë se “gjithçka po shkonte sipas planit tonë” dhe se ofensiva “e shpejtë” e Rusisë nuk kishte arritur ende sukses “serioz” në zonë. Një nga objektivat e inkursionit të Ukrainës në rajonin e Kurskut ishte të detyronte Rusinë të ridislokonte forcat e saj nga fronti në Ukrainë.
Para inkursionit në Kursk, sulmet më intensive ruse u vunë re në rajonin e Donetsk, kryesisht afër Pokrovsk. Ndërsa ofensiva ruse në Pokrovsk është ngadalësuar pas nisjes së inkursionit të Kurskut.
Rusia gjithashtu ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin kufitar Sumy, të cilin ushtria e konsideron si një përgjigje ndaj suksesit të Kievit në operacionin Kursk.
Sulmi ukrainas brenda territorit rus nxori në pah dobësitë e Rusisë. Operacioni i papritur i Kievit në territorin shtetëror të Federatës Ruse mund të ndryshojë karakterin e luftës dhe u pa si një sukses i madh./The Geopost/