Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj protestës së sotme në kufirin e Jarinjës.
Hoxhaj me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se regjimi serb i drejtuar nga Aleksandar Vuçiq me ndihmën grupeve ekstremiste ruse, veçanërisht Wagner, është përgjegjësi i vetëm për tensionet e krijuara.
“Sot, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, regjimi i Vuçiqit në bashkëpunim me grupin Wagner që është i përfshirë në agresionin kundër Ukrainës organizoi protesta dhe tensione. Kjo lojë e pistë e Beogradit ekziston për dekada. Regjimi serb është i vetmi përgjegjës për tensionet”, shkruan Hoxhaj, përcjell The Geopost.
Today, on the border between Kosovo & Serbia, the Vucic regime staged protests & tensions in cooperation w/ Wagner group that is involved in the aggression against 🇺🇦. This Belgrade dirty game has been around for decades. Serbian regime is solely responsible for tensions. https://t.co/U5hTGGvyEr
— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) December 18, 2022
Derisa, më herët ka përfunduar protesta e djathtistëve serb në Jarinjë, në pikën kufitare me Kosovën.
Protesta u zhvillua në anën e territorit të Serbisë, si shenjë mbështetje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës, e që përkrahen nga regjimi i Beogradit.
Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska e Bosnjë e Hercegovinës.
Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviq, kreu i grupit të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia, i cili ka lidhje me Danilo Vuçiqin që është biri i presidentit serb.
“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë. Organizata është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe grupin paraushtarak rus “Ëagner”, të cilin e ka vizituar së fundi në Rusi.
Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë. /The Geopost/