
Serbia po vazhdon propagandën e saj rreth vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që ka për qëllim të luftojë krimin financiar duke përjashtuar në këtë rast të gjitha valutat tjera përveç euros, përfshirë edhe dinarin serb. Një deklaratë propaganduese e dezinformuese e ka bërë ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, që në mediumin serb Tanjug të publikuar më 12 shkurt, tha se nuk i beson kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se është shtyrë ky vendim për tre muaj.
Gjithashtu, Gjuriq ka deklaruar rrejshëm se shkollat dhe spitalet në vendbanimet serbe nuk mund të funksionojnë.
Çka tha Gjuriq?
“Me rastin e shtyrjes së zbatimit të dekretit të Bankës Qendrore të Kosovës, nuk i besoj Albin Kurtit dhe se kjo lëvizje derisa gjërat të ndryshojnë në terren perceptohet si një përpjekje tjetër e tij për të manipuluar dhe ‘dalë’ nga kjo situatë. Në praktikë është parë se forcat policore të institucioneve të Prishtinës, Albin Kurti, kanë ndaluar transportin e parave që Serbia ofron për popullin serb në për këtë arsye nuk është bërë i mundur furnizimi i spitaleve, shkollave dhe institucioneve të tjera serbe”.
Analiza:
Në fakt, Banka Qendrore e Kosovës ka shtyrë vendimin për tre muaj dhe ka marrë një sërë masash lehtësuese për komunitetin serb gjatë fazës së tranzicionit. Me fillimin e zbatimit të rregullores së re të e saj, BQK kishte deklaruar se ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara dhe se nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare, por që janë të licencuara nga ajo.
BQK në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, ka njoftuar opinionin publik lidhur me planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare. Ndër to është edhe linja e lëshuar pa pagesë ku qytetarët serbë mund të thirrin për pyetjet që kanë për rregulloren e re dhe lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë. Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit. Gjithashtu BQK ka bërë edhe lehtësira të tjera gjatë fazës së tranzicionit.
Po ashtu, Dogana e Kosovës ka thënë se automjeti me para që kishte ardhur nga Serbia nuk i kishte plotësuar kushtet, pasi nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare pa autorizim. Prandaj me këtë faktohet që Gjuriq ka dezinformuar.
/G. Venhari, the Geopost