Gjetja e një arsenali armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake pranë Kalludrës në Zubin Potok, në zonën ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar edhe tri lokacione me mbetje mortore të të paktën 23 personave, ka rikthyer vëmendjen te prania e armatimit të fshehur në komunat veriore të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se armët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të përcaktuar origjinën dhe nëse janë përdorur në raste të tjera penale.
Gjetjet e fundit nuk janë rast i izoluar.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë regjistruar 51 raste të gjetjes së armatimit. Prej tyre, 25 raste janë evidentuar në Zubin Potok. Sipas të njëjtave të dhëna, nga viti 2023 deri në gjysmën e parë të vitit 2026 janë evidentuar gjithsej 70 raste të tilla në veri.
Pas Banjskës, arsenalet u gjetën në mënyrë të përsëritur
Një nga rastet më të mëdha u regjistrua më 14 maj 2024 në Zveçan.
Policia konfiskoi dhjetëra armë, eksplozivë dhe mijëra fishekë. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si “depon e pestë” të zbuluar brenda një viti.
Autoritetet dyshuan se një pjesë e këtij armatimi mund të kishte lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Përmes analizës forenzike të fotografive të armëve të publikuara, janë identifikuar municion të kalibrit 7.62×39 mm të prodhuar në vitin 1991 nga fabrika “Prvi Partizan” në Uzhicë të Serbisë, ndërsa pjesë të tjera të municionit ishin prodhuar në ish-Jugosllavi, përfshirë Bosnje e Hercegovinën.
Në prill 2024, në një shtëpi në Zveçan u sekuestruan dy pushkë automatike AK-47, karikatorë dhe municion. Në qershor, në Uglar të Zubin Potokut u gjetën granata dore, armë të gjata, municion, radiolidhje, jelekë antiplumb dhe pajisje të tjera, ndërsa një person u arrestua.
Në nëntor të po atij viti, në Zveçan u gjetën katër granata M75, dy pushkë automatike, karikatorë me municion, qindra fishekë, pajisje mbrojtëse dhe uniforma ushtarake. Policia tha se rasti dyshohej se kishte lidhje me sulmin në Banjskë.
Vetëm një ditë më pas, në Zubin Potok, gjatë një operacioni tjetër u gjetën uniforma ushtarake, pjesë armësh, jelekë taktikë, gazmaska dhe 1.471 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në dhjetor 2024, autoritetet njoftuan sërish për armë, municion dhe pajisje ushtarake të fshehura në veri. Në mesin e tyre kishte uniforma me emblema dhe mbishkrime të ndryshme, përfshirë ato ruse, por edhe uniforma amerikane e britanike.
Armatimi vazhdoi të gjendej edhe në vitin 2025
Në mars 2025, në Banjskë u konfiskuan granata dore, municion dhe pajisje të tjera ushtarake pasi pjesëtarë amerikanë të KFOR-it kishin hasur mjete të dyshimta në një objekt të braktisur.
Në maj, Policia dhe Prokuroria gjetën në Mitrovicën e Veriut një punishte armësh, ku u sekuestruan armë, pjesë të ndryshme të tyre dhe makina të përdorura për ndërhyrje në armë. Një person u arrestua.
Në shtator 2025, në bodrumin e një ndërtese në Mitrovicën e Veriut u gjetën dy pushkë, 50 fishekë, maska, pranga, këllëfë armësh dhe karikatorë. Po atë muaj, Policia njoftoi edhe për gjetje armësh në Zveçan, në pronën e njërit prej personave të akuzuar për sulmin në Banjskë.
Vetëm në vitin 2026, dhjetëra raste
Gjetjet kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Në mars, në një shtëpi të pabanuar në Varagë të Zubin Potokut u gjet një AK-47 me pesë karikatorë dhe 68 fishekë, dy uniforma kamuflazhi, një granatë dore dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Në qershor, në tri lokacione në Zubin Potok u sekuestruan pushkë M48, qindra fishekë të kalibrit 7.62 mm, pjesë uniformash, bajonetë, pajisje për mbushjen e fishekëve, barut dhe materiale të tjera.
Vetëm disa javë më vonë, në tri shtëpi të pabanuara në të njëjtën komunë u gjetën edhe qindra fishekë, një pushkë ajrore, bajonetë, maskë dhe pajisje ushtarake.
Ndërsa më 7 qershor, në fshatin Mala Jabuka të Zubin Potokut, Policia gjeti një AK-47, 422 fishekë të kalibrit 7.62 mm, fishekë të kalibrave të tjerë, dy tromblona dhe uniformë ushtarake me emblemë serbe.
Kjo seri rastesh e bën Zubin Potokun një nga pikat kryesore ku autoritetet kanë zbuluar armatim të fshehur vitet e fundit.
Një element i rëndësishëm është se Policia dhe Prokuroria, në rastet e ndryshme, kanë nisur hetime për posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa për një pjesë të arsenaleve po zhvillohen ekzaminime balistike e forenzike.
Për këtë arsye, gjetja e armëve nuk mund të merret automatikisht si dëshmi për autorësinë e ndonjë krimi pa përfunduar hetimet.
Megjithatë, numri i rasteve dhe përsëritja e gjetjeve – veçanërisht në Zveçan dhe Zubin Potok – tregojnë se armët e fshehura kanë vazhduar të jenë një problem i sigurisë në komunat veriore të Kosovës, edhe disa vite pas largimit të strukturave paralele serbe dhe veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë.
The GeoPost







NATO: Çdo vendim për rihapjen e urës mbi Ibër për veturat, të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve
Avioni rus përmes Bullgarisë ateron në Nish – Moska vazhdon ndikimin në Ballkan përmes Serbisë
Çfarë përmban dosja e Prokurorisë për spiunen e BIA-s, Jelena Gjukanoviq, e dënuar me gjashtë vjet burgim?
Gjendet arsenal i armëve përreth zonave të varrezave masive në Zubin-Potok në veri
Prokuroria Speciale: Shtatë raste të spiunazhit të lidhura me BIA-n, katër aktgjykime dënuese
YouTube bllokon kanalin e regjisorit serb Emir Kusturica, publikonte përmbajtje në bashkëpunim me Sputnikun