Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Çfarë përmban dosja e Prokurorisë për spiunen e BIA-s, Jelena Gjukanoviq, e dënuar me gjashtë vjet burgim?

The Geopost August 21, 2026 4 min read
Share the news

Informacionet për zhvillimet politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë të dhëna për Policinë e Kosovës, zyrtarë të institucioneve dhe aktivitetet e OSBE-së, i janë përcjellë shërbimit sekret serb, BIA, nga Jelena Gjukanoviq, sipas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjukanoviq, e cila punonte në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë, është dënuar me gjashtë vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.

Sipas aktgjykimit, ajo për një periudhë të gjatë ka mbledhur dhe përcjellë informacione te Aleksandar Vllajiq, i dënuar po ashtu në Kosovë për spiunazh dhe të cilin gjykata e identifikon si agjent të BIA-s serbe.

Në aktgjykim përshkruhet edhe një komunikim i 14 marsit 2022, kur Gjukanoviq e kishte informuar Vllajiqin për “shqetësimet” që OSBE-ja në Mitrovicë kishte lidhur me bashkëpunimin me kryetarin e atëhershëm të zgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Dragisha Milloviq.

Sipas dokumentit gjyqësor, ajo i kishte përcjellë gjithashtu informacione për Adriana Hoxhiqin, qëndrimet e një zyrtareje të OSBE-së në Hagë, si dhe diskutimet në një konferencë të organizuar në Prishtinë me temën “Kriza në Ukrainë dhe ndikimi i saj në Kosovë”.

Gjykata konstaton se këto informacione nuk ishin përcjellë rastësisht. Sipas saj, Gjukanoviq i kishte mbledhur “në hollësi” dhe “me përkushtim” dhe ia kishte dërguar Vllajiqit në kohë reale.

Në mesin e informatave të kërkuara nga Vllajiqi ishin edhe të dhënat për njësitë e Policisë së Kosovës.

Sipas aktgjykimit, megjithëse Gjukanoviq nuk kishte pozitë në organet e sigurisë, ajo kishte marrë përsipër të siguronte informacionet e kërkuara dhe i kishte premtuar Vllajiqit se do të angazhohej për t’i gjetur ato.

Gjykata ka vlerësuar se ajo i kishte përcjellë informacionet me vetëdije të plotë se ato do t’i shërbenin BIA-s, ndërsa në aktgjykim përmenden edhe lidhjet familjare që kishte me Vllajiqin.

Sipas Themelores, komunikimi ishte i vazhdueshëm dhe në baza ditore. Informacionet kishin të bënin kryesisht me institucionet e Kosovës, punën e OSBE-së, organet e sigurisë dhe zhvillimet në veri.

Një nga konstatimet kryesore të Gjykatës Themelore është se informacionet e përcjella nga Gjukanoviq i kishin mundësuar BIA-s të krijonte një pasqyrë të situatës në veri të Kosovës.

Në aktgjykim thuhet se shërbimi serb, përmes këtyre informatave të marra në baza ditore, ishte në dijeni për qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare, zhvillimet te banorët lokalë, bisedat e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare serbe në Prishtinë dhe veprimet e Policisë së Kosovës. Sipas gjykatës, këto të dhëna e kishin ndihmuar BIA-n në realizimin e misionit të saj.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se BIA e kishte shfrytëzuar pozitën zyrtare të Gjukanoviqit për të marrë informacione për persona të ndryshëm që punonin në OSBE, përfshirë vendbanimet, vendet e punës dhe numrat e telefonit, si dhe informacione që lidhen me aktivitetet e tyre gjatë trazirave dhe barrikadave.

Sipas aktgjykimit, veprimtaria për të cilën Gjukanoviq u dënua nuk ishte e kufizuar në një rast të vetëm.

Gjykata ka konstatuar se nga viti 2018 deri më 26 qershor 2024, kur u arrestua Vllajiqi, ajo, në cilësinë e zyrtares lokale të OSBE-së në Zyrën Rajonale në Mitrovicë, i kishte përcjellë me dashje informacione Vllajiqit dhe kishte vepruar sipas udhëzimeve të tij, me qëllim që informacionet të dërgoheshin te BIA.

Sipas Themelores, Gjukanoviq e kishte ditur se Vllajiqi ishte agjent i BIA-s dhe, pavarësisht kësaj, ia kishte përcjellë informacionet pa presion apo hezitim. Gjykata ka vlerësuar se veprimet e saj kishin për qëllim ndihmën ndaj një shërbimi informativ të huaj.

Në arsyetimin e dënimit, Gjykata Themelore ka vlerësuar si rrethanë rënduese faktin se Gjukanoviq kishte pozitë zyrtare dhe përgatitje profesionale që e obligonin të vepronte në përputhje me interesat e institucionit ku punonte.

Gjykata ka theksuar se vepra ishte kryer në vazhdimësi dhe jo vetëm një herë, çka, sipas trupit gjykues, dëshmonte për qëllimin e saj për ta kryer veprën penale dhe për të mos respektuar detyrimet që rridhnin nga pozita e saj dhe nga Kodi Penal.

Si rrethana lehtësuese, gjykata ka marrë parasysh faktin se ajo nuk kishte qenë e dënuar më parë, si dhe rrethanat personale dhe ambientin shoqëror në të cilin kishte jetuar, duke vlerësuar se për shkak të jetesës në veriun e Kosovës, me shumicë serbe, mund të kishte qenë më e ekspozuar ndaj ndikimit të rrethit shoqëror.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Jelena Gjukanoviqin me gjashtë vjet burgim për spiunazh. Sipas gjykatës, dënimi synon jo vetëm ndëshkimin dhe rehabilitimin e saj, por edhe parandalimin e veprave të ngjashme dhe forcimin e respektimit të ligjit.

Gjukanoviq ishte arrestuar më 28 shkurt 2025.

Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak të statusit të saj në OSBE. Në një seancë gjyqësore në shtator të vitit të kaluar, Gjukanoviq kishte konfirmuar se ende ishte e punësuar në këtë mision. Ndërkohë, OSBE-ja në Kosovë kishte deklaruar se nuk komenton publikisht raste individuale të punësimit apo procedura administrative që lidhen me anëtarët e stafit.

Sipas burimeve të cituara në material, zyrtarë të OSBE-së e kishin vizituar Gjukanoviqin edhe gjatë kohës sa ishte në paraburgim.

The GeoPost

Tags: BIA Gjykata Themelore Jelena Gjukanoviq Kosova

Continue Reading

Previous: SHBA-ja zotohet se do të vendosë “sanksionet më të ashpra” në histori ndaj Iranit
Next: Avioni rus përmes Bullgarisë ateron në Nish – Moska vazhdon ndikimin në Ballkan përmes Serbisë

NATO: Çdo vendim për rihapjen e urës mbi Ibër për veturat, të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve 4 min read
  • Ballkan
  • News

NATO: Çdo vendim për rihapjen e urës mbi Ibër për veturat, të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

The Geopost August 21, 2026
Avioni rus përmes Bullgarisë ateron në Nish – Moska vazhdon ndikimin në Ballkan përmes Serbisë 4 min read
  • Ballkan

Avioni rus përmes Bullgarisë ateron në Nish – Moska vazhdon ndikimin në Ballkan përmes Serbisë

The Geopost August 21, 2026
SHBA-ja zotohet se do të vendosë “sanksionet më të ashpra” në histori ndaj Iranit 3 min read
  • Botë
  • News

SHBA-ja zotohet se do të vendosë “sanksionet më të ashpra” në histori ndaj Iranit

The Geopost August 21, 2026
Ushtrime të NATO-s pranë Kaliningradit – SHBA-të luajnë një rol kyç 3 min read
  • Botë
  • News

Ushtrime të NATO-s pranë Kaliningradit – SHBA-të luajnë një rol kyç

The Geopost August 21, 2026
SHBA dërgon një tjetër aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, ndërsa rriten shqetësimet për ekuipazhin e USS Abraham Lincoln 3 min read
  • Botë
  • News

SHBA dërgon një tjetër aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, ndërsa rriten shqetësimet për ekuipazhin e USS Abraham Lincoln

The Geopost August 21, 2026
Turqia prezanton dronin detar kamikaz TUFAN 2 min read
  • Botë
  • News

Turqia prezanton dronin detar kamikaz TUFAN

The Geopost August 21, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.