Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Tensione në Beograd, protestuesit hyjnë në televizionin proqeveritar Informer – ndërpritet transmetimi, ndërhyn policia

The Geopost October 26, 2026 3 min read

Screenshot

Share the news

Disa dhjetëra qytetarë kanë hyrë mbrëmjen e së hënës në ndërtesën e televizionit proqeveritar Informer në Beograd, pas një proteste të organizuar para selisë së këtij mediumi, duke shkaktuar ndërprerjen e transmetimit dhe përplasje të ashpra verbale me kryeredaktorin Dragan J. Vuçiqeviq.

Incidenti ka ndodhur gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “Kolegijum”, kur protestuesit kanë hyrë në ambientet e redaksisë dhe janë përballur me kryeredaktorin, të cilit i kanë kërkuar përgjigje dhe kërkim faljeje për mënyrën e raportimit të televizionit.

Protesta para ndërtesës së Informer-it ishte mbështetur edhe nga Dijana Hrka, nëna e Stefan Hrkës, njërit prej 16 viktimave të tragjedisë së shembjes së strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

Sipas pamjeve të publikuara, protestuesit hynë në studio dhe iu afruan Vuçiqeviqit, ndërsa situata u përshkallëzua në debate të ashpra, fyerje të ndërsjella dhe shtyrje.

“Ktheji kalit kokën, Dragan”, dëgjoheshin duke thirrur disa prej protestuesve, të cilët kërkonin që kryeredaktori t’i kërkonte falje, siç u shprehën ata, “popullit të lirë serb”.

Në një moment, Vuçiqeviq dhe disa punonjës të televizionit u larguan nga studioja, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë kryeredaktorin në korridorin e ndërtesës, pas përballjes me protestuesit.

Si pasojë e incidentit, televizioni Informer ndërpreu transmetimin e zakonshëm, ndërsa nga studioja vazhdoi përkohësisht sinjali pa pamje dhe zë nga redaksia.

Televizioni publikoi gjithashtu pamje të pajisjeve të dëmtuara, ndërsa disa protestues u panë duke hequr flamujt me simbolet e Informer-it. Sipas raportimeve nga vendngjarja, gjatë incidenteve janë dëgjuar edhe zhurma që dyshohej se vinin nga hedhja e gurëve.

Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, Vuçiqeviq kërkoi disa herë ndërhyrjen e policisë, duke pretenduar se dera e hyrjes ishte dëmtuar dhe se protestuesit po përpiqeshin të merrnin kontrollin e ambienteve të televizionit.

Ai kontaktoi edhe Ilija Srdanoviqin, bartësin e Listës Studentore, duke i kërkuar të ndikonte te protestuesit për qetësimin e situatës.

Srdanoviq u përgjigj se fillimisht duhej të verifikonte se çfarë po ndodhte.

Në mesin e qytetarëve që hynë në ambientet e televizionit ishte edhe Dijana Hrka, e cila është bërë një nga figurat e njohura të protestave në Serbi pas humbjes së djalit të saj në tragjedinë e Novi Sadit.

Shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, nxiti protesta masive studentore dhe qytetare në mbarë Serbinë, me kërkesa për llogaridhënie dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

Pas përshkallëzimit të situatës në Informer, në ndërtesë mbërritën edhe forca policore me pajisje për kontrollin e trazirave.

Televizioni Informer, i njohur për qëndrimet e tij në mbështetje të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, ka qenë vazhdimisht objekt kritikash nga studentët, aktivistët dhe organizatat që monitorojnë mediat në Serbi.

Kritikët e akuzojnë këtë medium për përhapje të dezinformatave, raportim propagandistik dhe fushata diskredituese ndaj kundërshtarëve politikë dhe pjesëmarrësve në protestat studentore.

Për shkak të këtyre akuzave, gjatë muajve të fundit janë organizuar disa protesta kundër Informer-it, ndërsa një pjesë e protestuesve ka kërkuar edhe mbylljen e televizionit.

Incidenti i së hënës shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve ndërmjet protestuesve dhe mediumit proqeveritar, në një periudhë të zhvillimeve të rëndësishme politike në Serbi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Tags: Infomer

Continue Reading

Previous: Bursaç pas humbjes së Vuçiqit: Ngushëllime Mandiqit, Knezheviqit dhe Dodikut, mbetën pa mbrojtësin e tyre politik

Bursaç pas humbjes së Vuçiqit: Ngushëllime Mandiqit, Knezheviqit dhe Dodikut, mbetën pa mbrojtësin e tyre politik 5 min read
  • News

Bursaç pas humbjes së Vuçiqit: Ngushëllime Mandiqit, Knezheviqit dhe Dodikut, mbetën pa mbrojtësin e tyre politik

The Geopost October 26, 2026
Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi? 3 min read
  • Ballkan
  • News

Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi?

The Geopost October 25, 2026
Ushtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika? 9 min read
  • Ballkan
  • News

Ushtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika?

The Geopost October 25, 2026
​Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara 2 min read
  • Ballkan
  • News

​Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara

The Geopost October 25, 2026
A do ta ketë fatin e Orbanit? Reuters: Zgjedhjet në Serbi, sfida më e madhe për Vuçiqin 2 min read
  • Ballkan
  • News

A do ta ketë fatin e Orbanit? Reuters: Zgjedhjet në Serbi, sfida më e madhe për Vuçiqin

The Geopost October 25, 2026
Shqiptarët garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi 5 min read
  • Ballkan
  • News

Shqiptarët garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

The Geopost October 25, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.