Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Bursaç pas humbjes së Vuçiqit: Ngushëllime Mandiqit, Knezheviqit dhe Dodikut, mbetën pa mbrojtësin e tyre politik

The Geopost October 26, 2026 5 min read
Share the news

Analisti dhe gazetari boshnjak Dragan Bursaç ka reaguar ndaj humbjes zgjedhore të Aleksandar Vuçiqit në Serbi, duke ironizuar me tre politikanët rajonalë që, sipas tij, kanë qenë ndër mbështetësit më besnikë të pushtetit të tij: Andrija Mandiqin dhe Milan Knezheviqin nga Mali i Zi, si dhe Millorad Dodikun nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në një analizë me titull “Ngushëllimet e mia për Mandiqin, Knezheviqin dhe Dodikun”, Bursaç e cilëson humbjen e Vuçiqit si një goditje të rëndësishme për rrjetin e ndikimit politik që Beogradi ka ndërtuar ndër vite në rajon.

“Aleksandar Vuçiq ka rënë, ndërsa tre shërbëtorët e tij më besnikë politikë në rajon kanë mbetur pa tutorin, financuesin dhe mbrojtësin e tyre. Por problemi më i madh sapo po vjen: Lista Studentore nuk ka një shef të vetëm, para derës së të cilit ata mund të gjunjëzohen”, shkruan Bursaç.

Ai e nis analizën me një mesazh ironik për tre politikanët, të cilët i përshkruan si figura që për vite me radhë kanë kërkuar mbështetje dhe udhëzime politike nga Beogradi.

“Para së gjithash, është e udhës t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta politike Andrija Mandiqit, Milan Knezheviqit dhe Millorad Dodikut për vdekjen politike të mbrojtësit të tyre të përbashkët, Aleksandar Vuçiqit”, shkruan ai.

Sipas Bursaçit, për vite me radhë këta politikanë kanë pasur një qendër të vetme politike ku mund të kërkonin këshilla, udhëzime, mbështetje mediatike dhe legjitimitet për veprimtarinë e tyre.

Ai thekson se ironia më e madhe qëndron në faktin se Vuçiq u mposht nga studentët, të cilët sfiduan modelin e pushtetit të përqendruar rreth një individi.

“Imagjinoni vetëm tragjedinë e këtyre tre figurave të ‘botës serbe’. Kaq shumë vite përvojë politike, kaq shumë kilometra të përshkuar drejt Beogradit, kaq shumë betime për unitetin serb, fotografi të përbashkëta, tubime dhe deklarata historike, e pastaj disa studentë ua prishin planet brenda natës”, shprehet Bursaç.

Në analizën e tij, ai vë theksin te një prej karakteristikave të Listës Studentore: mungesa e një lideri të vetëm dhe organizimi më kolektiv i saj.

Sipas tij, kjo mund të krijojë vështirësi për politikanët rajonalë që ishin mësuar të komunikonin drejtpërdrejt me Vuçiqin dhe ta konsideronin atë si qendrën kryesore të vendimmarrjes politike në Beograd.

“Problemi më i madh i këtyre tre jetimëve politikë është se ata nuk e dinë kush do të jetë shefi i tyre i ri”, shkruan Bursaç, duke shtuar se një udhëheqje e re mund të mos jetë e gatshme t’i vazhdojë marrëdhëniet e mëparshme.

Duke u ndalur te zhvillimet në Mal të Zi, Bursaç kritikon veçanërisht Andrija Mandiqin dhe Milan Knezheviqin, të cilët i akuzon se për vite me radhë kanë mbështetur politikën e Vuçiqit dhe konceptin e ashtuquajtur të “botës serbe”.

Sipas tij, Mandiq është përpjekur të ndërthurë rolin e një zyrtari të lartë të Malit të Zi të pavarur me orientimin e tij politik drejt Beogradit, ndërsa Knezheviq ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë në mbështetjen e politikave të Vuçiqit.

“Për vite me radhë i kanë shpjeguar opinionit malazez sa i rëndësishëm është uniteti serb dhe sa ngushtë lidhet fati i popullit serb me Serbinë e Vuçiqit. E pastaj vetë qytetarët e Serbisë vendosën se janë lodhur nga Vuçiqi”, shkruan ai.

Bursaç ngre pyetjen nëse këta politikanë do ta pranojnë vullnetin e qytetarëve serbë apo do të përpiqen të përshtaten me realitetin e ri politik, duke ndryshuar qëndrimet e tyre publike.

Një pjesë të veçantë të analizës ai ia kushton Millorad Dodikut, të cilin e përshkruan si një prej përfituesve kryesorë të mbështetjes politike të Vuçiqit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas Bursaçit, Dodik e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të strategjisë së tij politike mbi marrëdhëniet me Beogradin, ndërsa Vuçiq i ka ofruar mbështetje dhe legjitimitet politik.

“Dodik i shërbeu Vuçiqit si megafon politik rajonal, ndërsa Vuçiq i ofroi legjitimitet, vëmendje dhe ndjesinë se ishte më i rëndësishëm sesa ia lejonte pozita e tij reale politike”, shkruan Bursaç.

Ai vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të ndikojë edhe në politikën e Beogradit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, veçanërisht nëse udhëheqja e re vendos t’i japë përparësi marrëdhënieve ndërmjet shteteve në vend të mbështetjes për politikat e Dodikut.

“Çfarë do të bëjë Dodiku nëse pushteti i ardhshëm në Beograd vendos se është lodhur nga zjarret politike në rajon? Çfarë nëse dikush në Serbi arrin në përfundimin se marrëdhëniet e mira me Bosnjën dhe Hercegovinën janë më të rëndësishme sesa shfaqjet e përditshme separatiste të Dodikut?”, pyet Bursaç.

Sipas tij, një zhvillim i tillë do ta detyronte Dodikun të përqendrohej më shumë në problemet ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Republikës Sërpska, në vend të retorikës nacionaliste.

Megjithatë, Bursaç paralajmëron se largimi i Vuçiqit nga pushteti nuk garanton ndryshim të menjëhershëm të politikës së jashtme të Serbisë apo braktisje të ambicieve nacionaliste në rajon.

Ai thekson se Lista Studentore ende duhet të dëshmojë qëndrimet e saj ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Srebrenicës, Kosovës dhe trashëgimisë së luftërave të viteve 1990.

“Veçanërisht e rëndësishme do të jetë të shihet nëse njerëzit e rinj në Beograd do të kenë guximin të heqin dorë nga politika e ‘botës serbe’, apo thjesht do t’i ndryshojnë zbatuesit e saj”, shkruan ai.

Megjithatë, sipas Bursaçit, humbja e Vuçiqit mund të krijojë një mundësi për uljen e tensioneve politike në rajon, duke u dhënë Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi hapësirë më të madhe për t’u përqendruar në reformat e brendshme dhe integrimin evropian.

Ai shpreh shpresën se ndryshimi politik në Beograd mund të zvogëlojë ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë në zhvillimet politike të vendeve fqinje.

Në përfundim, Bursaç rikthehet te ironia ndaj Mandiqit, Knezheviqit dhe Dodikut, duke i ftuar që të mësohen me idenë e veprimit politik të pavarur nga Beogradi.

“Ndoshta tani, për herë të parë pas shumë vjetësh, do t’ju duhet të mësoni se çfarë do të thotë të jesh politikan i pavarur në shtetin tënd”, shkruan ai.

Analizën e mbyll me një tjetër mesazh ironik për tre politikanët.

“Ju, zotërinj, vazhdoni të mbani zi. Vetëm mos e zgjasni shumë, sepse duhet të gjeni një shef të ri. E kësaj radhe, për ndryshim, mund t’ju presë dikush që do t’ju pyesë se çfarë keni bërë për të vjetrin”, përfundon Bursaç.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Milorad Dodik Serbia

Continue Reading

Previous: Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi?

Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi? 3 min read
  • Ballkan
  • News

Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi?

The Geopost October 25, 2026
Ushtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika? 9 min read
  • Ballkan
  • News

Ushtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika?

The Geopost October 25, 2026
​Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara 2 min read
  • Ballkan
  • News

​Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara

The Geopost October 25, 2026
A do ta ketë fatin e Orbanit? Reuters: Zgjedhjet në Serbi, sfida më e madhe për Vuçiqin 2 min read
  • Ballkan
  • News

A do ta ketë fatin e Orbanit? Reuters: Zgjedhjet në Serbi, sfida më e madhe për Vuçiqin

The Geopost October 25, 2026
Shqiptarët garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi 5 min read
  • Ballkan
  • News

Shqiptarët garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

The Geopost October 25, 2026
Sot zgjedhjet parlamentare në Serbi, sfidë për pushtetin aktual 1 min read
  • Ballkan
  • News

Sot zgjedhjet parlamentare në Serbi, sfidë për pushtetin aktual

The Geopost October 25, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.