Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë
  • News

Si e fsheh Putini vendndodhjen e tij – zyra identike, takime të regjistruara dhe tren sekret

The Geopost August 14, 2026 4 min read
Share the news

Presidenti rus, Vladimir Putin përdor një sistem të sofistikuar fshehtësie për të mbajtur të paditur vendndodhjen e tij, ndërsa aktivitetet publike kontrollohen me kujdes nga Kremlini.

Gazetarët kanë arritur deri aty sa të analizojnë edhe gjendjen e bimëve në zyrën e tij për të përcaktuar se kur janë zhvilluar në të vërtetë takimet televizive.

Në disa raste, takimet e Putinit janë transmetuar disa ditë ose javë pas zhvillimit të tyre. Ndryshimet në gjendjen e bimëve në zyrat ku shfaqet presidenti kanë ndihmuar gazetarët të kuptojnë se takimet nuk janë zhvilluar në ditët e deklaruara zyrtarisht, shkruan newyorktimes.

Sipas gazetarëve investigativë, rezidencat e Putinit janë pajisur me zyra pothuajse identike, në mënyrë që pamjet televizive të mos zbulojnë vendndodhjen e tij. Zyrtarët që takohen me të duhet ta mbajnë sekret takimin deri në transmetimin e tij dhe më pas të paraqiten sikur ai është zhvilluar në ditën e publikimit.

Një tjetër element i sistemit të sigurisë është treni presidencial i blinduar, i cili nga jashtë duket si një tren i zakonshëm i Hekurudhave Ruse. Brenda tij, megjithatë, ka pajisje të posaçme komunikimi, palestër dhe spa. Për lëvizjet e tij janë ndërtuar gjithashtu linja dhe stacione sekrete hekurudhore pranë disa rezidencave të presidentit.

Gazetarja ruse Farida Rustamova e përshkroi këtë praktikë si diçka të zakonshme në Rusi, ndërsa gazetari investigativ Mikhail Rubin tha se, krahasuar me mënyrën se si vepron Kremlini, edhe mashtrimi i fundit i administratës Trump me avionin presidencial “është lojë fëmijësh”. Për takimet e Putinit që transmetohen me vonesë, gazetarët rusë përdorin termin “konservy”, ose “ushqime të konservuara”.

Kremlini ka mohuar më parë se mashtron publikun për vendndodhjen e Putinit. Megjithatë, sipas raportimeve, masat e fshehtësisë janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit. Dokumente të rrjedhura dhe pamje satelitore kanë ofruar gjithashtu prova për përdorimin e trenit të blinduar dhe infrastrukturës së posaçme për udhëtimet e presidentit rus.

Preokupimi i Putinit me fshehtësinë dhe sigurinë duket se u rrit gjatë pandemisë, kur ai i detyronte zyrtarët të qëndronin në karantinë për dy javë para se ta takonin dhe kur izolimi i tij e bënte më të lehtë fshehjen e vendndodhjes së tij.

Kjo praktikë ka arritur nivele të reja që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, veçanërisht pasi dronët ukrainas filluan të depërtonin më thellë në territorin rus, duke kontribuar në ndërprerjet e internetit celular dhe, sipas raportimeve, duke kufizuar udhëtimet e tij.

Në Moskë, tashmë qarkullojnë spekulime se autokolonat e mëdha që lëvizin me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit dhe që besohet se transportojnë Putinin, në fakt ndonjëherë mund të jenë autokolona mashtruese, sipas Rustamovas. Të njëjtën gjë ia ka thënë gazetarit edhe një burim i lidhur me Kremlinin në Moskë.

Gazetari investigativ Mikhail Rubin raportoi për herë të parë në vitin 2020 se Putini punonte në zyra me pamje identike në rezidencat e tij në periferinë e Moskës dhe në resortin e Soçit, në Detin e Zi. Kjo i mundësonte Kremlinit të jepte informacion të rremë për vendndodhjen e tij.

Një raport i publikuar vitin e kaluar nga Radio Free Europe/Radio Liberty zbuloi detaje të tjera mbi këtë përpjekje për të mashtruar publikun. Raporti vuri në dukje dallime shumë të vogla mes zyrave, të cilat në pamje të parë dukeshin identike – si pozicioni i dorezave të dyerve dhe bashkimet e mureve – duke treguar se ato ndodheshin në vende të ndryshme.

Rubin, i cili tani jeton në Karolinën e Veriut dhe është zëvendësredaktor i mediumit informativ Proekt, e kuptoi për herë të parë shkallën e fshehtësisë së Putinit kur mbulonte aktivitetet e Kremlinit për një gazetë ruse të biznesit, rreth një dekadë më parë.

Një herë, Rubin rastësisht pa anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Putinit duke mbërritur për një takim, por zyra e presidentit e njoftoi takimin vetëm disa ditë më vonë, sikur të ishte një ngjarje e re. Ai kuptoi, siç tha vetë, se “imazhi publik i Putinit është i sajuar. Është një gënjeshtër absolute nga fillimi deri në fund.”

Për Putinin, mashtrimi nuk lidhet vetëm me sigurinë, por edhe me krijimin e përshtypjes se ai është vazhdimisht aktiv dhe se ka gjithçka nën kontroll. Në të kundërt, intensiteti i mbulimit mediatik amerikan të presidentit do të ishte i paimagjinueshëm në Rusi edhe para luftës në Ukrainë dhe pandemisë.

Megjithatë, kufizimet e administratës Trump ndaj mediave dhe informacionet mashtruese lidhur me fluturimin e presidentit muajin e kaluar duken ende të njohura për disa rusë.

“Putini, në këtë kuptim, është një karikaturë e një figure që ka çuar gjithçka që ndodh rreth tij deri në pikën e absurdit,” tha Rubin. “Trumpi, më duket mua, vetëm sa ka filluar të lëvizë në këtë drejtim”.

Tags: Rusia Ukraina Vladimir Putin

Continue Reading

Previous: Dosja e prokurorisë: Si fotografoheshin zyrtarët e AKI-së nga Fehim Sali, i dyshuari për spiunazh
Next: Polonia rrit ushtrinë mbi 220 mijë efektivë, synon 500 mijë deri më 2039

Estonia zhvendos trupat pranë kufirit me Rusinë, përgatitet për një sulm të mundshëm 4 min read
  • Botë

Estonia zhvendos trupat pranë kufirit me Rusinë, përgatitet për një sulm të mundshëm

The Geopost October 5, 2026
Putini po teston kufijtë e Perëndimit – MacMillan: Rusia po sillet si një shtet mashtrues 6 min read
  • Botë

Putini po teston kufijtë e Perëndimit – MacMillan: Rusia po sillet si një shtet mashtrues

The Geopost October 5, 2026
“Tela me gjemba inteligjentë”: Kurthi i ri i Ukrainës për dronët 4 min read
  • Botë
  • News

“Tela me gjemba inteligjentë”: Kurthi i ri i Ukrainës për dronët

The Geopost October 4, 2026
Sulmet ruse godasin Kievin gjatë vizitës së kancelarit Merz – publikohen pamjet e sulmit ndaj një prej urave kryesore të kryeqytetit ukrainas 3 min read
  • Botë
  • News

Sulmet ruse godasin Kievin gjatë vizitës së kancelarit Merz – publikohen pamjet e sulmit ndaj një prej urave kryesore të kryeqytetit ukrainas

The Geopost October 4, 2026
Shefi i NATO-s: Jemi më të fortë se Rusia 2 min read
  • Botë
  • News

Shefi i NATO-s: Jemi më të fortë se Rusia

The Geopost October 4, 2026
Ukraina përdori për herë të parë raketën balistike vendase – rëndësia e saj shkon përtej fushëbetejës 2 min read
  • Botë
  • News

Ukraina përdori për herë të parë raketën balistike vendase – rëndësia e saj shkon përtej fushëbetejës

The Geopost October 4, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.