Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Rasti i Oliver Ivanoviqit: Njeriu i BIA-s që e priti para vrasjes, gati nëntë vjet pa hetim në Serbi

The Geopost November 19, 2026 4 min read
Share the news

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, ishte pritur në zyrat e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) nga zyrtari Bojan Dimiq, disa muaj para se të vritej në janar të vitit 2018.

Megjithatë, gati nëntë vjet pas ekzekutimit të tij, autoritetet serbe ende nuk kanë nisur hetim zyrtar për këtë rast, i cili vazhdon të jetë në fazën e hetimit paraprak.

Detajet janë bërë të ditura nga Aleksandar Ivanoviq, nipi i Oliver Ivanoviqit, në një intervistë për revistën serbe “Vreme”.

Sipas tij, ai e dinte identitetin e zyrtarit të BIA-s që e kishte pritur xhaxhain e tij. Bëhet fjalë për Bojan Dimiqin, të cilin Aleksandar Ivanoviq e përshkruan si një nga njerëzit e rëndësishëm të shërbimit sekret serb për çështjet që lidhen me Kosovën.

Vite pas vrasjes, Aleksandar Ivanoviq kishte kërkuar sqarime nga drejtori i atëhershëm i BIA-s, Vladimir Orliq, lidhur me takimin, ekzistencën e ndonjë shënimi zyrtar dhe veprimet që Agjencia kishte ndërmarrë për mbrojtjen e Oliver Ivanoviqit.

Në atë takim ishte i pranishëm edhe Bojan Dimiq, por, sipas dëshmisë së Ivanoviqit për “Vreme”, ai nuk kishte folur. Përgjigjet i kishte dhënë drejtori i BIA-s.

Dimiqi kishte qenë për një kohë të gjatë pjesë e shërbimit sekret serb dhe ishte përgjegjës për Kosovën, ndonëse Aleksandar Ivanoviq thotë se nuk kishte informacione të plota për detyrat e tjera që mund të kishte ushtruar.

Pavarësisht rrethanave dhe pikëpyetjeve që vazhdojnë ta shoqërojnë rastin, autoritetet serbe nuk kanë nisur hetim zyrtar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi, duke bërë të ditur se çështja vazhdon të jetë në fazën e hetimit paraprak.

“Urdhri për të kryer hetim nuk është dhënë, çështja është në fazën e hetimit paraprak kundër një personi të panjohur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para zyrave të partisë së tij në veri të Mitrovicës. Vrasja e tij mbetet një nga rastet më të rënda politike të pazbardhura në Kosovë, ndërsa përgjegjësia për organizimin dhe ekzekutimin vazhdon të jetë objekt i pikëpyetjeve.

Çfarë thanë krerët e Kosovës pas vrasjes?

Ekzekutimi i Ivanoviqit nxiti reagime të shumta në institucionet e Kosovës, të cilat kërkuan zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve.

Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, pas një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, paralajmëroi për përfshirjen e strukturave ilegale nga jashtë Kosovës në zhvillimet kriminale në veri, duke mos përjashtuar lidhjen e tyre me vrasjen e politikanit serb.

Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, e cilësoi vrasjen si “akt kriminal mafioz”. Në nëntor të vitit 2018, ai deklaroi se vrasësit e Ivanoviqit gjendeshin në Beograd.

Ndërkaq, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Kadri Veseli, kërkoi që organet e drejtësisë të bënin gjithçka për zbardhjen e vrasjes.

Edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi se Kosova ishte e gatshme të shkëmbente informacione me Serbinë për hetimin e rastit. Megjithatë, ai më vonë bëri të ditur se autoritetet serbe nuk u ishin përgjigjur kërkesave të Prishtinës për informacione.

Në nëntor të vitit 2018, Policia e Kosovës zhvilloi aksione në veri, në kuadër të hetimeve për vrasjen, dhe kërkoi edhe arrestimin e Milan Radoiçiqit.

Në dhjetor të vitit 2019, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në grupin e organizuar kriminal që lidhej me vrasjen.

Ndërkohë, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i publikuar në vitin 2025, i përmend Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin si drejtues të grupit kriminal të lidhur me organizimin e vrasjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në gjashtëvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2024, kishte deklaruar se Beogradi i frikësohej politikanit serb si dëshmitar i mundshëm i EULEX-it, ndërsa personat përgjegjës për vrasjen vazhdonin të ishin të lirë në Serbi.

“Oliver Ivanoviq ishte aktiv gjatë luftës së viteve 1998-1999, si dhe gjatë dëbimit të mijëra shqiptarëve nga veriu në shkurt të vitit 2000. Beogradi i frikësohej atij si dëshmitar të mundshëm të EULEX-it. Sot, gjashtë vjet pas vrasjes së tij në Mitrovicën e Veriut, vrasësit e tij ende bredhin të lirë në Serbi”, kishte deklaruar Kurti.

The GeoPost
Tags: Kosova Oliver Ivanoviq Serbia

Continue Reading

Previous: Trajkoviq kërkon nga BIA të zbulojë vendndodhjen e Radoiçiqit

Trajkoviq kërkon nga BIA të zbulojë vendndodhjen e Radoiçiqit 3 min read
  • News

Trajkoviq kërkon nga BIA të zbulojë vendndodhjen e Radoiçiqit

The Geopost November 18, 2026
Zyrtari i Pentagonit thotë se lufta në Ukrainë ka të ngjarë të zgjasë deri në dimër, pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim 4 min read
  • News

Zyrtari i Pentagonit thotë se lufta në Ukrainë ka të ngjarë të zgjasë deri në dimër, pavarësisht përpjekjeve për ndërmjetësim

The Geopost November 18, 2026
Embargoja e Vuçiqit nuk e ndali eksportin e armëve nga Serbia 9 min read
  • News

Embargoja e Vuçiqit nuk e ndali eksportin e armëve nga Serbia

The Geopost November 18, 2026
Si e goditën forcat ukrainase urën strategjike të Krimesë, një nga objektivat më të mbrojtura të Rusisë? 5 min read
  • News

Si e goditën forcat ukrainase urën strategjike të Krimesë, një nga objektivat më të mbrojtura të Rusisë?

The Geopost November 18, 2026
Inteligjenca amerikane: Irani po zhvillon plane për të shpërthyer potencialisht një bombë në Uashington 7 min read
  • News

Inteligjenca amerikane: Irani po zhvillon plane për të shpërthyer potencialisht një bombë në Uashington

The Geopost November 17, 2026
Vlahoviq për interpretimin e melodisë nacionaliste në Bruksel: Provokim i qëllimshëm me mesazhe të qarta 3 min read
  • News

Vlahoviq për interpretimin e melodisë nacionaliste në Bruksel: Provokim i qëllimshëm me mesazhe të qarta

The Geopost November 16, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.