Vlada Kharebova po përpiqet të heqë dorë nga shtetësia e saj ruse që nga viti 2022, por deri më tani s’ka pasur sukses.
Kharebova jeton në Letoni dhe po kërkon shtetësinë e këtij vendi për veten dhe dy fëmijët e saj. Por, ky shtet baltik përgjithësisht nuk lejon shtetësinë e dyfishtë në raste të tilla: Ligji përcakton se shtetësia e dyfishtë letonezo-ruse nuk lejohet.
Ajo është përballur me probleme me Konsullatën ruse në Riga, e cila, sipas saj, ofron një listë të dokumenteve të kërkuara, por pak udhëzime se si mund të sigurohen ato.
“Kur telefononi ose i shkruani Konsullatës, ata thonë: ‘Ne nuk merremi me këtë. Na vjen keq, nuk mund t’ju ndihmojmë’”, i tha Kharebova Current Time.
Rusia gjithashtu ka rritur tarifat për këtë proces, duke e bërë atë tashmë “një shumë jashtëzakonisht të lartë” për t’u paguar nga ajo me pagën e saj si mësuese.
Vajza e saj u përball me një tjetër pengesë kur Konsullata refuzoi ta pranonte aplikimin e saj, sepse ajo nuk kishte sjellë një kopje të diplomës së universitetit nga Rusia. Kharebova tha se kjo kërkesë nuk ishte e përfshirë në udhëzimet në dispozicion.
Për rusët që jetojnë jashtë vendit dhe duan të heqin dorë nga shtetësia ruse, qoftë për arsye ligjore, burokratike apo morale, ose për një kombinim faktorësh, procesi mund të zgjasë me vite. Dhe, tani ai është bërë dukshëm më i shtrenjtë, si për ata që ndodhen brenda, ashtu edhe për ata jashtë Rusisë.
Një ligj i ri që hyri në fuqi më 22 korrik rriti tarifën shtetërore për heqjen dorë nga shtetësia nga 4.200 rubla (43.5 euro) në 50.000 rubla (518 euro), ndërsa një vendim i veçantë i qeverisë rriti tarifën konsullore për aplikimet e paraqitura jashtë vendit nga 111 euro në 1.026 euro.
Kjo rritje i shton një problem tjetër një procesi që aplikantët jashtë vendit thonë se mund të jetë i vështirë për t’u ndjekur.
Veronika Mikkonen, banore e Finlandës, tha se disa nga dokumentet e kërkuara për procedurën janë të vlefshme vetëm për tre muaj.
Kjo mund të krijojë një garë me kohën, veçanërisht kur aplikantët hasin vështirësi për të siguruar një takim në një mision diplomatik rus – diçka që gjithashtu mund të zgjasë me muaj.
Mikkonen përfundimisht ia doli të hiqte dorë nga shtetësia e saj, por tha se përgatitja e dokumenteve i kushtoi pothuajse 1.000 euro, edhe pse tarifa konsullore në atë kohë ishte 130 euro.
Mikkonen la të kuptohej se vendimi i saj ishte motivuar nga represioni i Kremlinit në vend dhe pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës, i nisur nga presidenti Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022.
“Thjesht nuk doja të mbaja në xhep pasaportën e një vendi diktatorial dhe të një vendi që nisi një luftë”, i tha ajo Current Time të REL.
Moska ndaloi publikimin e statistikave
Ministria e Jashtme ruse nuk ka publikuar shifra në nivel kombëtar për heqjen dorë nga shtetësia që nga viti 2023. Shifrat e publikuara prej saj tregojnë se 4.356 persona hoqën dorë nga shtetësia ruse në vitin 2019, 3.877 në vitin 2020, 4.055 në vitin 2021 dhe 4.306 në vitin 2022, viti i parë i luftës në shkallë të plotë.
Ministria tha se shifra e vitit 2022 nuk përfaqësonte një ndryshim të rëndësishëm në këtë prirje. Në nëntë muajt e parë të vitit 2023, rreth 4.400 persona hoqën dorë nga shtetësia e tyre, sipas kreut të Departamentit Konsullor të Ministrisë së Jashtme.
Qindra mijëra rusë u larguan jashtë vendit pasi Putini njoftoi mobilizimin ushtarak në shkallë të gjerë në shtator të vitit 2022.
Mungesa e statistikave të përditësuara shtetërore e bën të vështirë përcaktimin nëse numri i njerëzve që kërkojnë të heqin dorë nga shtetësia ruse është rritur ndërsa pushtimi vazhdon, pa shumë shenja se mund të marrë fund.
Por, të dhënat nga vende të veçanta sugjerojnë se kërkesa është e konsiderueshme.
Estonia regjistroi 107 persona që hoqën dorë nga shtetësia ruse në vitin 2024. Deri më 25 gusht 2025, shifra për atë vit kishte arritur tashmë në 126, sipas Ministrisë së Brendshme të vendit.
Estonia gjithashtu raportoi vonesa të vazhdueshme: Ambasada ruse në Tallinn ndaloi pranimin e aplikimeve të reja për heqjen dorë nga shtetësia nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2024, pas hyrjes në fuqi të një ligji të ri rus për shtetësinë.
Pasi përpunimi i aplikimeve rifilloi, radhët e gjata vazhduan, sepse Rusia kishte mbyllur konsullatat e saj në qytetet Tartu dhe Narva dhe kishte reduktuar numrin e stafit në ambasadën në Tallinn.
Konsullatat ruse në disa qytete të tjera të Evropës dhe gjetkë janë mbyllur mes tensioneve të larta ndërmjet Moskës dhe Perëndimit për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe çështjeve të tjera.
Të huajt që kërkojnë shtetësinë estoneze përmes natyralizimit përgjithësisht duhet të heqin dorë nga shtetësia e tyre ekzistuese. Prandaj, vonesat në Ambasadën ruse kanë krijuar problem për njerëzit që kanë nevojë për dëshmi se nuk janë më shtetas rusë përpara se të mund të përfundojnë procesin e natyralizimit.
“Nuk kam asgjë të bëj me Rusinë”
Ligji rus gjithashtu vendos kushte për heqjen dorë nga shtetësia. Aplikantët duhet të kenë një shtetësi tjetër ose një garanci se do ta marrin atë, ndërsa heqja dorë mund të refuzohet nëse aplikanti ka taksa, tarifa dhe gjoba të papaguara ose detyrime të caktuara ligjore të pazgjidhura.
Për disa aplikantë, çështja nuk është nëse duan të largohen nga Rusia, por nëse mund ta përballojnë financiarisht, ta ndjekin dhe ta përfundojnë procesin.
Aleksandr Smirnov, banor i Madridit, i cili ka marrë shtetësinë spanjolle, i tha Current Time se është përpjekur pa sukses të heqë dorë nga shtetësia e tij ruse.
Pas rritjes së tarifës, ai tha se nuk ishte i sigurt nëse ia vlente të vazhdonte procesin.
“Nuk kam qenë në Rusi për 10 vjet, nuk kam asgjë të bëj me Rusinë, nuk kam pasuri apo llogari bankare atje. Nuk kam nevojë për këtë shtetësi”, i tha ai Current Time.
“Do të doja të hiqja dorë prej saj, në mënyrë që të kem vetëm një shtetësi, atë të vendit ku jetoj. Kjo është logjike. Por, ndjenja ime është se qëllimi i tyre është të vendosin pengesa”.
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Lev Ponomaryov, është dakord dhe thotë se beson se autoritetet ruse janë të interesuara që heqja dorë nga shtetësia të jetë një procedurë e vështirë për t’u qasur.
“Ata nuk duan që të ketë një fluks të madh njerëzish që heqin dorë [nga shtetësia e tyre], në mënyrë që kjo të bëhet një lloj bombe informative që gjithnjë e më shumë njerëz po heqin dorë nga shtetësia ruse”, tha ai.

Sulm kibernetik ndaj një centrali energjetik në Britani, dyshime për hakerë të lidhur me Iranin
Finlanda do të prodhojë dronë për Ukrainën dhe Evropën
Serbia dhe Rusia shtojnë propagandën për Kosovën, ekspertët: Synimi është kontrolli mbi komunitetin serb
SHBA-të prezantojnë AIM-424 Malice, raketë me rreze veprimi mbi 463 km
SHBA-të po planifikojnë një shtrëngim të mëtejshëm ekonomik ndaj Iranit, kanë vendosur sanksione ndaj Teheranit që nga viti 1979
Trumpi thotë se Irani s’është i gatshëm të arrijë “marrëveshjen e duhur”