Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se ambiciet e Rusisë shkojnë përtej pushtimit të Ukrainës, duke theksuar se Moska po i përshkallëzon tensionet në disa rajone të Evropës dhe më gjerë.
Gjatë fjalimit të tij për buxhetin, më 25 nëntor, Merz deklaroi se Rusia ka objektiva shumë më të gjera sesa lufta kundër Ukrainës, ndërsa u bëri thirrje vendeve evropiane që ta kuptojnë seriozitetin e kërcënimit rus.
“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe ajo dëshiron më shumë se Ukrainën. Kushdo që nuk arrin ta kuptojë këtë, ose nuk e kupton botën ashtu siç është, ose po ndjek një agjendë krejtësisht tjetër – një agjendë që bie ndesh me lirinë, hapjen dhe vlerat liberale të vendit tonë”, deklaroi Merz, transmeton Telegrafi.
Kreu i qeverisë gjermane tha se vendi i tij për një kohë të gjatë i kishte lënë pas dore çështjet themelore që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen, infrastrukturën, ndryshimet demografike dhe ekonominë.
Sipas tij, këto sfida nuk mund të shtyhen më dhe kërkojnë trajtim urgjent, në një kohë kur siguria evropiane po përballet me presione gjithnjë e më të mëdha.
Merz paralajmëroi se aktivitetet dhe përshkallëzimi i tensioneve nga Rusia nuk kufizohen vetëm në frontin ukrainas, por shtrihen edhe në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirën e jashtme.
“Përshkallëzimi po ndodh në një shkallë masive, përfshirë edhe brenda kufijve tanë, madje duke marrë edhe jetë njerëzish. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Prandaj, ne si evropianë duhet – dhe do të vendosim – kufij të qartë për Rusinë”, përfundoi kancelari gjerman.
Deklaratat e Merzit vijnë në kuadër të thirrjeve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës dhe për një qasje më të vendosur ndaj kërcënimeve që lidhen me veprimet e Moskës.
The GeoPost

Më shumë se 700,000 ushtarë rusë të vrarë në luftën e Ukrainës, tregon një analizë e re
Putini nuk shpreson më te fitorja ushtarake, por te përçarja e Perëndimit për ta fituar luftën në Ukrainë
Fetoshi: Lista Studentore në Serbi po përballet me presione për një qasje më konfrontuese ndaj Perëndimit dhe Kosovës
Garanci si të NATO-s për Ukrainën? Propozimi amerikan përballë kundërshtimit rus
Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it
Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq shfrytëzuan Bosnjën për t’u larguar nga Serbia, analistët paralajmërojnë për rrjetet politike dhe kriminale