Avionët luftarakë të misionit të NATO-s për patrullimin ajror në rajonin baltik rrëzuan një dron që hyri në hapësirën ajrore të Letonisë gjatë natës, njoftuan forcat e armatosura të vendit në platformën X.
Droni u rrëzua pranë fshatit Rugāji në verilindje të Letonisë, afër kufirit me Rusinë, pasi u aktivizuan me urgjencë avionët italianë “Eurofighter” të stacionuar në Lituani dhe ata turq F-16 të stacionuar në Estoni, raporton Politico.
Mjeti ajror pa pilot u shfaq në hapësirën ajrore letoneze “si pasojë e luftës elektronike ruse”, deklaruan Forcat e Armatosura Kombëtare të Letonisë në një njoftim për shtyp.
Më herët të premten, më shumë se 50 dronë ukrainas sulmuan objektiva në rajonet perëndimore të Rusisë, përfshirë Leningradin dhe Tverin; ata goditën Ust-Luga-n — portin e dytë më të madh në Rusi — si dhe një magazinë që i përkiste gjigantit të tregtisë elektronike “Wildberries”.
Ushtria e Letonisë paralajmëroi se incidente të ngjashme mund të ndodhin sërish në të ardhmen.
“Për sa kohë që agresioni rus në Ukrainë vazhdon, është e mundur përsëritja e rasteve të tilla, kur një mjet fluturues i huaj pa pilot hyn ose i afrohet hapësirës ajrore letoneze”, thuhej në deklaratë.
Rreth orës 04:00 të mëngjesit (me orën lokale) u shpall alarmi për sulm ajror në katër bashki të Letonisë lindore.
Ushtria u bëri thirrje banorëve të qëndronin brenda dhe larg mureve të jashtme.
Pasi droni u rrëzua, Sandra Kapteine, drejtuese e administratës së fshatit Rugāji, i tha Agjencisë së Informacionit të Letonisë se incidenti “nuk shkaktoi viktima”, pasi mbetjet e dronit ranë në një “zonë të pyllëzuar”.
Gjatë muajve të fundit është vërejtur një shtim i incidenteve të ngjashme në vendet që ndodhen pranë zonës së luftës.
Një javë më parë, ministri bullgar i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov, deklaroi se një dron i prodhuar në Ukrainë kishte hyrë në hapësirën ajrore bullgare nga Rumania dhe kishte shpërthyer pranë fshatit Kardam.
The GeoPost

BE-ja zotohet për 6,1 miliardë euro për Ukrainën – përfshirë edhe për blerje ushtarake
Empatia strategjike: Ndërtimi i kohezionit politik në të gjitha krahët e NATO-s
Suedia paralajmëron se ushtria robotike e Putinit po synon zgjedhjet gjermane dhe franceze
Kosova nderon viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit
Budanov: Evropa më në fund po vetëdijesohet për luftën hibride të Rusisë
Rutte: Rusia është kërcënim afatgjatë, Evropa duhet të forcojë mbrojtjen dhe të rrisë mbështetjen për Ukrainën