Takimi i parë trepalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump, liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, që pritet të mbahet në margjinat e konferencës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen gjatë kësaj jave, mund të mos jetë shumë frytdhënës, pavarësisht simbolikës së tij të pazakontë.
Samiti trepalësh, i propozuar fillimisht nga Putini në tetor dhe i konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë më 13 nëntor, ka nxitur krahasime me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, të mbajtur në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Në qytetin turistik të Krimesë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Sovjetik, si fuqi fituese të luftës, përcaktuan prapa dyerve të mbyllura sferat e tyre të ndikimit në periudhën e pasluftës, duke vendosur në thelb fatin e shumë vendeve të vogla në Evropë dhe Azi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i shqetësuar nga përpjekjet e Putinit për ta lënë anash në përcaktimin e rezultatit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, i tha CNN-it: “Ne nuk e duam një Jaltë 2.0”.
Nuk do të ketë Jaltë të re
Megjithatë, disa ekspertë i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se takimi mes Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë, më 19 nëntor, do të jetë shumë më ndryshe nga konferenca historike e mbajtur 81 vjet më parë.
“Unë mendoj se ky krahasim nuk është i qëlluar”, tha Elizabeth Wishnick, eksperte e marrëdhënieve mes Kinës dhe Rusisë në Korporatën CNA në Virxhinia.
“Edhe nëse do të dëshironin ta kishin fuqinë për t’i marrë ato vendime, nuk do të mund t’i zbatonin, sepse bota ka ndryshuar që nga ajo kohë. Ka shumë aktorë të pavarur që kanë mundësi t’i pengojnë fuqitë e mëdha. Mjafton të shohim, për shembull, Gjirin Persik”, tha ajo.
Bobo Lo, bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin Lowy të Australisë, thekson se Kina është përpjekur ta pozicionojë veten si udhëheqëse të Jugut Global, duke u përqendruar, të paktën në dukje, në demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Ideja që tre liderë botërorë të marrin vendimet kryesore për qeverisjen globale bie ndesh me narrativin që Pekini e përsërit vazhdimisht. Kinezët janë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj kësaj ideje”, i tha ai REL-it.
Ai që mund të përfitojë më së shumti nga ky takim është Putini, krahasuar me dy liderët e tjerë, edhe nëse samiti nuk jep ndonjë fryt thelbësor, tha në një intervistë Tsiporah Fried, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Hudson në Uashington.
“Kjo do ta ndihmojë atë ta rikthejë pozitën e tij në arenën ndërkombëtare dhe të dalë nga izolimi në të cilin është gjendur Rusia. Ai mund ta paraqesë Rusinë si një fuqi të madhe që po negocion për të ardhmen e Ukrainës, pa pasur nevojë të përballet me mundësinë e humbjes në fushëbetejë”, tha ajo.
Për Xi-në, rëndësi ka menaxhimi i skenës
Për Xi Jinpingun, i cili nuk e kërkoi këtë takim, menaxhimi i kujdesshëm i skenës është thelbësor.
Prioriteti i Xi-së “është që takimi të jetë i suksesshëm dhe të paraqitet imazhi i stabilizimit të marrëdhënieve mes fuqive të mëdha. Kina do të përqendrohet më shumë te simbolika sesa te marrëveshjet konkrete që mund të arrihen”, i tha REL-it Yun Sun, drejtoreshë e Programit për Kinën në Qendrën Stimson në Uashington.
Fillimisht, as Pekini dhe as Uashingtoni nuk e mbështetën idenë e Putinit për këtë samit, të cilën ai ia kishte propozuar Trumpit gjatë një bisede telefonike më 9 tetor. Por, më 19 tetor, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ishte i gatshëm të merrte pjesë në takim, nëse pajtohej edhe Xi.
Kina nuk pranoi publikisht deri më 4 nëntor se po zhvilloheshin diskutime për takimin trepalësh.
Më vonë, gazeta Wall Street Journal raportoi se Pekini dhe Uashingtoni kishin mospajtime rreth formatit të takimit. Kina nuk dëshiron t’ia lë në dorë rastit dhe po këmbëngul për një takim me agjendë të përcaktuar hollësisht dhe me rezultate të parapërgatitura. Ndërkaq, Uashingtoni preferon një format më fleksibil, që mundëson diskutime të hapura.
Në këtë rast, Pekini është veçanërisht i interesuar ta menaxhojë me kujdes takimin, sepse nuk dëshiron që ai ta lërë në hije ngjarjen kryesore të APEC-ut, tha Wishnick nga Korporata CNA.
Veçanërisht vlen të theksohet se Kina i ka rezistuar thirrjes së Putinit për të diskutuar për përfundimin e luftës në Ukrainë, megjithëse një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze ka thënë se “paqja globale” do të jetë në agjendë.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili së fundmi u takua me Xi-në gjatë një vizite shtetërore në Kinë, tha në një intervistë për transmetuesin publik gjerman, ARD, se Xi i kishte thënë se bisedimet, çfarëdo qofshin ato, lidhur me konfliktin, duhet ta përfshijnë edhe pjesëmarrjen e Evropës, pasi lufta ndikon drejtpërdrejt në sigurinë evropiane.
Në Evropë, “Kina shihet si faktor që po e mundëson vazhdimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, prandaj duhet të veprojë me kujdes, tha Wishnick.
Organizimi i një samiti trepalësh, ku Uashingtoni, Moska dhe Pekini do të diskutonin për përfundimin e luftës pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe Evropës, “vetëm sa do ta ndërlikonte diplomacinë e Kinës ndaj Evropës”.
“Pekini dëshiron një kornizë më të gjerë, në të cilën do të përfshiheshin edhe ukrainasit dhe evropianët”, shtoi ajo.
Fokusi i Trumpit: Kontrolli i armëve bërthamore
Krahasuar me ato të Xi-së dhe Putinit, synimet e Trumpit për këtë takim janë më modeste. Presidenti amerikan nuk ka nevojë të luajë rolin e nikoqirit, si Xi, dhe as të përpiqet ta paraqesë veten si të barabartë me fuqitë kryesore botërore, siç duhet të bëjë Putini.
Në vend të kësaj, Trump synon të diskutojë çarmatimin bërthamor, një temë për të cilën ka shprehur interes të madh që nga vitet ‘80. Në vitin 1984, Trump i kishte thënë një gazetari të Washington Post se dëshironte të negocionte, në emër të Shteteve të Bashkuara, me Bashkimin Sovjetik për kontrollin e armëve bërthamore.
Në vitin 2019, administrata e parë Trumpit e zhvendosi strategjinë bërthamore amerikane nga kontrolli tradicional dypalësh i armëve me Rusinë drejt një kornize trepalëshe, që do të përfshinte Moskën dhe Pekinin.
Në një intervistë për Newsmax më 15 tetor, Trump tha: “Është për të ardhur keq, sepse do të doja të arrinim çarmatimin bërthamor, nëse është e mundur. Por, në fakt, po bisedojmë për këtë me Rusinë dhe po bisedojmë edhe me Kinën për këtë çështje të çarmatimit bërthamor”.
Më 13 nëntor, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, tha: “Ai do të diskutojë për reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave presidenti Trump e konsideron shumë të rrezikshme”.
Megjithatë, Kina vazhdon të jetë e rezervuar ndaj hapjes së diskutimeve për kontrollin e armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
“Qëndrimi i Kinës për armët bërthamore është i qartë: Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet fillimisht t’i zvogëlojnë arsenalet e tyre shumë më të mëdha, përpara se të nisin çfarëdo diskutimi trepalësh”, tha Fried nga Instituti Hudson.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia së bashku zotërojnë më shumë se 90 për qind të armëve bërthamore në botë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS), një organizatë kërkimore me seli në Uashington.
Sipas FAS-it, Rusia ka 5.420 koka bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara 5.042. Krahasuar me to, Kina ka vetëm 620.
Megjithatë, Pekini po e zgjeron me shpejtësi arsenalin e tij bërthamor. Pentagoni vlerëson se Kina do t’i ketë 1.500 koka bërthamore deri në vitin 2035.
Pekini thotë se zgjerimi i arsenalit të tij bërthamor është masë mbrojtëse, që synon të sigurojë një kapacitet të besueshëm për kundërpërgjigje bërthamore edhe në rast se sulmohet e para.
Kina zyrtarisht ndjek politikën për të mos shtënë e para me armë bërthamore (NFU) dhe zotohet se nuk do t’i përdorë apo të kërcënojë me përdorimin e armëve atomike kundër shteteve që nuk posedojnë armë të tilla, apo kundër zonave të lira nga armët bërthamore.
“Ka pengesa të mëdha për arritjen e çfarëdo marrëveshjeje trepalëshe për kontrollin e armëve, veçanërisht për shkak të dallimeve në madhësinë e arsenaleve të tri fuqive bërthamore dhe prioriteteve të tyre të ndryshme strategjike. Megjithatë, dialogu mes tyre do të ishte i vlefshëm”, tha Fried.
Sipas saj, sfida qëndron në shndërrimin e këtij dialogu në negociata konkrete, me objektiva të përcaktuara qartë, zotime reciproke dhe një kornizë të dakorduar, e cila do të mundësonte vendosjen e kufizimeve domethënëse dhe të verifikueshme për arsenalet bërthamore të të tria vendeve.

Rusia planifikoi një sulm sabotues në Poloni që do të shkaktonte viktima të shumta – dhe faji do t’i vihej Ukrainës
Çfarë pritet nga samiti mes Trumpit, Xisë dhe Putinit?
Ministrat e BE-së kërkojnë reagim të përbashkët ndaj sulmeve ruse që po shtrihen përtej Ukrainës
Rusia përdori dezinformimin për të ndikuar në negociatat e paqes me Ukrainën, synonte përjashtimin e Evropës nga bisedimet
Propaganda ruse përmes muzikës së gjeneruar nga AI: Mbi 86 milionë dëgjime në platformat perëndimore
BE zbarkoi në cisternën e “flotës në hije ruse”, ajo lundronte nën flamur të rremë