Kongresi amerikan duhet ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe ta miratojë sa më shpejt projektligjin për sanksione të reja kundër Moskës, ka deklaruar senatori Rick Scott derisa ka shtuar se presidenti rus Vladimir Putin është “bandit” me gjithë çfarë ka bërë në Ukrainë.
Në një intervistë për REL, ai ka bërë thirrje për shtimin e presionit ndaj Rusisë.
Scott, i cili është anëtar i disa komisioneve kyçe të Senatit amerikan dhe një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës, tha se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për agresionin e saj, transmeton The Geopost.
“Putin është një bandit. Është e neveritshme ajo që u ka bërë ukrainasve dhe sa gra, fëmijë e gjyshe ka vrarë. Është e rëndësishme që ne të mbrojmë lirinë”, deklaroi Scott.
Ai tha se mbështet projektligjin për sanksionimin e Rusisë të vitit 2026, të propozuar nga senatori Lindsey Graham, duke shtuar se pret që ai të miratohet nga Kongresi dhe të nënshkruhet nga presidenti Donald Trump.
Sipas Scott, vendet si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po bashkëpunojnë ngushtë dhe përbëjnë një kërcënim të përbashkët ndaj demokracive perëndimore.
“Ka bashkëpunim mes tyre. Ata e urrejnë mënyrën tonë të jetesës dhe do të vazhdojnë të punojnë së bashku për ta shkatërruar atë”, tha ai për REL.
Senatori amerikan vlerësoi gjithashtu rezistencën e Ukrainës, duke e cilësuar atë një aleate të fortë të SHBA-së. Ai tha se ushtria ukrainase ka treguar aftësi të jashtëzakonshme, veçanërisht në zhvillimin dhe përdorimin e teknologjisë së dronëve.
Scott zbuloi se së fundmi kishte pritur në Kapitol Hill komandantë të njësive ukrainase të dronëve dhe tha se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Ukrainës në këtë fushë është me rëndësi strategjike.
“Duhet ta admirosh atë që kanë arritur ukrainasit. Ata kanë zhvilluar teknologji shumë të avancuar dhe kanë treguar se si mund të përdoret në mënyrë efektive në fushëbetejë”, u shpreh ai.
Lidhur me mbështetjen amerikane për Ukrainën, Scott tha se është i bindur se administrata e presidentit Donald Trump do të vazhdojë t’i sigurojë Kievit armët që i nevojiten.
“Kur flas me Shtëpinë e Bardhë, ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj Ukrainës dhe jam shumë i bindur se do t’i sigurojnë armët që i duhen, në kohën kur i duhen”, tha ai.
Scott argumentoi gjithashtu se lufta në Ukrainë është pjesë e një përballjeje më të gjerë mes demokracive dhe regjimeve autoritare, duke shtuar se rezistenca ukrainase ka dëshmuar se “diktaturat e korruptuara dështojnë dhe liria triumfon”.
/The Geopost/

Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit
SHBA kërkon ekstradimin e hakerit iranian të arrestuar në Mal të Zi
Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj
Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman
Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s