Shumë rusë kanë rezervuar me nguti bileta njëdrejtimëshe për t’u larguar nga Rusia, pasi presidenti i shtetit, Vladimir Putin, ka shpallur mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për luftën në Ukrainë.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë në një intervistë televizive se do të mobilizohen 300.000 rezervistë me përvojë përkatëse ushtarake.
Çmimet e biletave janë rritur menjëherë, pasi ka shqetësime se kufijtë e Rusisë mund të mbyllen shpejt, apo që Putin mund të shpallë mobilizim të plotë.
Një numër i madh i rusëve veçse kanë lëshuar shtetin prej kur Putin ka urdhëruar ushtrinë që të pushtojë Ukrainën gati shtatë muaj më parë.
Air Serbia, kompania e vetme evropiane – përveç Turkish Airlines – që realizon fluturime në Rusi, pavarësisht embargos së vënë nga Bashkimi Evropian, ka shitur biletat shpejt në destinacionin Moskë-Beograd.
Biletat për fluturimet prej Moskës drejt Stambollit dhe Dubait janë shitur në deri 9.200 euro.
Një grup me bazë në Beograd, i quajtur, Rusët, bjellorusët, ukrainasit dhe serbët të bashkuar kundër luftës, ka bërë të ditur se nuk ka më bileta për fluturimet nga Rusia në Beograd deri në mesin e muajit tetor.
Edhe biletat për fluturimet drejt Turqisë, Gjeorgjisë dhe Armenisë, janë shitur po ashtu.
Rusët mund të hyjnë në Serbi pa viza.
Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë.
Vendet aleate sikurse Bjellorusia dhe Kina, nuk kanë vënë po ashtu sanksione ndaj Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Ambasadori Hamilton: Rusia po përdor dezinformimin për destabilizim në Ballkan
Çështja e Iranit, si vepruan presidentët amerikanë në luftëra të mëparshme për autorizim të Kongresit?
Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë