Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Lajme

Ligji i Mbrojtjes 2026: SHBA vendos Kosovën në plan të parë të sigurisë rajonale

The Geopost December 20, 2025 5 min read
Share the news

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për Politikën e Mbrojtjes 2026, një paketë prej gati 1 trilion dollarësh, e cila përfshin edhe Kosovën dhe përcakton prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara për sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Dokumenti mbi 3,000 faqesh thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

Një seksion i veçantë i ligjit i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët inkurajohen për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, të arritur më 27 shkurt 2023. Dokumenti thekson se marrëveshja për “Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve”, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përbën një hap pozitiv në normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e rënë dakord nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, përbën një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit ndërmjet dy vendeve; Serbia dhe Kosova duhet të synojnë të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur,” thuhet në dokument.

Ligji përcakton gjithashtu rolin e SHBA-së pas arritjes së përparimeve konkrete në dialog.

“Pasi të jetë arritur përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë avancimin e iniciativave për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me të dyja vendet, çka mund të përfshijë vendosjen e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë, dhe avancimin e iniciativave konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve me të dyja vendet. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke,” theksohet aty.

Përmes këtij akti, SHBA-ja e përjashton qartë mbështetjen e çdo ideje që mund të çojë në ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor.

Dokumenti saktëson

“Është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të mos ndjekë asnjë politikë që promovon shkëmbime territoresh, ndarje apo forma të tjera të rishikimit të kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit; dhe të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike që dikur karakterizonin rajonin.” Dokumenti shton: “Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashtë shteteve.”

Një pjesë tjetër e ligjit përqendrohet te zgjerimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës, si dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Ligji mbështet gjithashtu reformat demokratike dhe sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.

Kosova përfshihet gjithashtu në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në rajon, ndërsa ligji promovon rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe vendi.

Dokumenti nuk lë pa përmendur shqetësimet për demokracinë në Serbi.

Ai referohet në mënyrë të veçantë te zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit 2023, duke përmendur raportin e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së, i cili konstaton “kushte të padrejta për zgjedhjet”, “mangësi të shumta procedurale” dhe kërkon përsëritjen e votimit në disa qendra. Po ashtu, dokumenti trajton protestat e studentëve pas shembjes së çatisë në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona, dhe akuzat e qeverisë serbe ndaj protestuesve, opozitës dhe shoqërisë civile. “OSBE vuri në dukje gjithashtu se zyrtarët serbë akuzuan kryesisht protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile për ‘përpjekjet për të rrëzuar qeverinë’, një akuzë shqetësuese që kërcënon sigurinë e elementëve të rëndësishëm të shoqërisë serbe,” shkruan dokumenti.

Ligji i Mbrojtjes 2026 përcakton gjithçka, nga blerja e anijeve, avionëve dhe sistemeve raketash nga SHBA-ja, te rritja e pagave për trupat dhe mënyrat e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai përfaqëson një kompromis midis masave të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve, duke përfshirë masa të përforcuara për sigurinë në Evropë.

Trump ka qenë kritik ndaj forcimit të sigurisë evropiane, duke argumentuar se aleatët duhet të mbulojnë pjesën e tyre. Strategjia e tij e fundit e sigurisë kombëtare shihet si miqësore ndaj Rusisë, armiqësore ndaj Bashkimit Evropian dhe një rivlerësim i marrëdhënieve të SHBA-së me kontinentin.

Ligji ofron gjithashtu 800 milionë dollarë për Ukrainën, të ndara në dy vite, si pjesë e iniciativës së ndihmës për sigurinë, duke paguar kompanitë amerikane për armë të destinuara për ushtrinë ukrainase.

Po ashtu, Ligji autorizon iniciativën e sigurisë së vendeve baltike, duke ofruar 175 milionë dollarë për Letoni, Lituani dhe Estoni, dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur trupat amerikane në Evropë nën 76,000. Ai siguron gjithashtu që komandanti evropian i SHBA-së të mbajë titullin e komandantit suprem të NATO-s.

Presidenti Trump ka nënshkruar këtë ligj pavarësisht dispozitave që u futën nga Kongresi për të ofruar ndihmë të re për Ukrainën dhe për të frenuar mundësinë e tij për të reduktuar përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.

Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi vetë Trumpi.

Ky akt riafirmon rolin e SHBA-së si garant i sigurisë në Evropë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke vendosur Kosovën në plan të parë të politikës amerikane për sigurinë dhe stabilitetin rajonal./TheGeoPost.

Tags: Kosova SHBA

Continue Reading

Previous: Manipulimi ekonomik i Vuçiqit: A po shfaqet për një krizë financiare në Serbi?
Next: Serbia në panik nga investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim

Gazetarja investigative finlandeze: Humbja e kandidatit pro-rus në Hungari nuk nënkupton dështimin e propagandës së Kremlinit 3 min read
  • Ballkan
  • Intervista

Gazetarja investigative finlandeze: Humbja e kandidatit pro-rus në Hungari nuk nënkupton dështimin e propagandës së Kremlinit

The Geopost April 17, 2026
Dodik ndjek retorikën e Vuçiqit, e quan “kërcënim” bashkëpunimin Kosovë–Shqipëri–Kroaci 7 min read
  • Ballkan

Dodik ndjek retorikën e Vuçiqit, e quan “kërcënim” bashkëpunimin Kosovë–Shqipëri–Kroaci

The Geopost April 17, 2026
Vuçiq del hapur pro Kremlinit, pajtohet me Lavrovin se BE-ja po e kthen Serbinë në “zonë tampon” kundër Rusisë 4 min read
  • Ballkan

Vuçiq del hapur pro Kremlinit, pajtohet me Lavrovin se BE-ja po e kthen Serbinë në “zonë tampon” kundër Rusisë

The Geopost April 17, 2026
Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë” 2 min read
  • Ballkan

Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë”

The Geopost April 16, 2026
Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë 3 min read
  • Ballkan
  • Siguri

Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë

The Geopost April 16, 2026
Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së 3 min read
  • Ballkan
  • News

Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së

The Geopost April 16, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.