Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Lajme

Emërimi kontrovers i Marko Kriçakut në krye të Policisë Kriminalistike: Shpërblim për lojalitet ndaj regjimit të Vuçiq

The Geopost December 31, 2025 3 min read
Share the news

Në një vendim që ka shkaktuar reagime të shumta nga opozita, shoqëria civile dhe media e pavarur, Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka emëruar Marko Kriçakun, ish-komandantin e Njësitit për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO), në postin e shefit të Drejtorisë së Policisë Kriminalistike (UKP).

Ky është një nga pozicionet më të fuqishme dhe më të ndjeshme në të gjithë sistemin policor serb, që zakonisht arrihet pas dekada karrierë profesionale.

I lindur në Beograd më 1984 si djali i policit Milan Kriçak, ish-shef i sektorit për luftimin e narkotikëve në policinë e Beogradit, ka pasur një rrugëtim karriere tepër të shpejtë dhe të diskutueshme. Fillimisht ka punuar në sektorin privat, kryesisht në shitjen e makinave, para se të pranohet në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) në kohën kur atë e drejtonte Bratislav Gashiq.

Pranimi në BIA u bë pa konkurs publik, sipas “rregullit të fshehtësisë” që lejonte drejtorin të punësonte kuadro lojal ndaj pushtetit. Nga BIA, Kriçaku kaloi në Ministrinë e Punëve të Brendshme po pa procedura standarde dhe pa kontroll të plotë sigurie, duke u ngritur me shpejtësi të jashtëzakonshme deri në gradën e nënkolonelit brenda vetëm shtatë vjetësh.

Pikërisht gjatë komandimit të JZO-së nga viti 2023 deri në 2025, njësia nën drejtimin e tij u bë simbol i brutalitetit policor gjatë shtypjes së protestave masive studentore dhe qytetare. Këto protesta filluan pas zgjedhjeve të kontestuara të dhjetorit 2023, kur u denoncuan parregullsi të mëdha zgjedhore dhe u intensifikuan pas rrëzimit tragjik të tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Gjatë këtyre ngjarjeve, pjesëtarët e JZO-së u akuzuan për arrestime arbitrare pa legjitimim, rrahje të egra të të arrestuarve, konfiskime të paligjshme të telefonave celularë, marrje në pyetje jashtë ambienteve zyrtare policore, përdorim të forcës së tepërt dhe tortura sistematike.

Ndër rastet më tronditëse është ai i studentit Dragoslav Milojeviq në dhjetor 2023, të cilit iu nxor deklaratë me forcë dhe u kërcënua, si dhe rrahja e dhjetëra protestuesve në rrugët Nemanjina dhe Knez Milosh.

Kulmi u arrit në gusht 2025, kur studentja Nikolina Sindjeliq denoncoi publikisht se Marko Kriçaku personalisht e rrahu, e goditi kokën në mur dhe e kërcënoi me përdhunim në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Serbisë, një precedent i paparë ku policia torturon qytetarë brenda ambienteve qeveritare.

Kundër Kriçakut dhe pjesëtarëve të JZO-së janë paraqitur disa kallëzime penale për keqtrajtim, torturë dhe shkelje të Kushtetutës, por asnjë hetim efektiv nuk është nisur. Përkundrazi, presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i Brendshëm Ivica Daçiq dhe drejtori i policisë Dragan Vasiljeviq e mbrojtën hapur Kriçakun, duke deklaruar se ai “respekton Kushtetutën” dhe se nuk ka shkelur asnjë rregull disiplinor, shkruan Nova.

Versioni zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme thekson meritat e Kriçakut në aksione kundër emigrantëve, dekoratat e marra dhe sukseset profesionale të njësisë së tij, por media e pavarur dhe opozita e shohin këtë emërim si dëshmi të qartë të politizimit të plotë të institucioneve të sigurisë nga regjimi i Vuçiqit.

Ky vendim dërgon një mesazh të fortë dhe të frikshëm për të gjithë policët dhe qytetarët: besnikëria absolute ndaj pushtetit, gatishmëria për të shtypur çdo zë kritik dhe zbatimi i urdhrave pa pyetur edhe kur ata shkelin ligjin dhe të drejtat njerëzore, shpërblehen me pozicionet më të larta, duke e kthyer policinë në një mjet personal të regjimit dhe duke rritur frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të represionit ndaj çdo proteste të ardhshme./TheGeoPost.

Tags: Aleksandar Vuçiq Marko Kriçak

Continue Reading

Previous: Aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut, Prokuroria kërkon gjykim në mungesë
Next: Margetiç publikon dokumente që hedhin poshtë deklaratat e Vuçiqit për ‘Sarajevo Safari’

Çfarë po ndodh në fabrikën kineze në Serbi – Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve 5 min read
  • Ballkan

Çfarë po ndodh në fabrikën kineze në Serbi – Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve

The Geopost February 2, 2026
Aleksiq: Me një front kundër regjimit të Vuçiqit 4 min read
  • Ballkan

Aleksiq: Me një front kundër regjimit të Vuçiqit

The Geopost February 1, 2026
Janiq: SHBA-të pritet të paraqesin dokument për njohje të ndërsjellë Kosovë–Serbi 3 min read
  • Ballkan

Janiq: SHBA-të pritet të paraqesin dokument për njohje të ndërsjellë Kosovë–Serbi

The Geopost January 31, 2026
Hulumtuesi kroat zbulon lidhjet e errëta të Veselinoviqit me Vuçiqin dhe Dodikun 3 min read
  • Ballkan

Hulumtuesi kroat zbulon lidhjet e errëta të Veselinoviqit me Vuçiqin dhe Dodikun

The Geopost January 31, 2026
Pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe të përfshirë në shpërthimin në Ibër-Lepenc 2 min read
  • Ballkan

Pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe të përfshirë në shpërthimin në Ibër-Lepenc

The Geopost January 31, 2026
FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën 4 min read
  • Ballkan

FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën

The Geopost January 30, 2026

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.