Mediat në Sërbi kanë shpërndarë së fundmi një valë dezinformatsh që i japin një interpretim të gabuar dhe të deformuar deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke paraqitur çdo veprim të shtetit të Kosovës si kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë. Përmes titujve të tillë si “Përgatitet sulm i përgjithshëm ndaj Serbisë” dhe “Kurti paralajmëron gjakderdhje”, këto media synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe paniku, duke shpërndarë dezinformata rreth Kosovës .
Për më tepër, përdorimi i frazave të tilla dramatike si “sulm i përgjithshëm” apo “gjakderdhje” nuk ka asnjë bazë faktike. Ato janë krijuar për të manipuluar emocionet e lexuesve dhe për të mbjellë ndjenja të urrejtjes dhe frikës, duke krijuar një narrativë të rreme që përshkallëzon tensionet. Këto media nuk ofrojnë një analizë të plotë të fakteve, as një kontekst të qartë mbi qëllimet e politikës së sigurisë të Kosovës, duke shmangur informacionin që i tregon këto veprime si masa të domosdoshme mbrojtëse dhe paqeje.
Në vijim The Geopost ofron një pasqyrim të gjithë kësaj:
Ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili dje u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si kandidat për formimin e qeverisë së re, gjatë fjalimit të tij të gjerë foli edhe për aspektin e sigurisë, ku deklaroi se për ushtrinë do të ndahen mbi një miliard euro gjatë mandatit të ardhshëm, duke paralajmëruar gjithashtu zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova”.
Kështu, gazeta Kurir me titullin dhe termat në tekst si “sulm i përgjithshëm” dhe “njësi e përbashkët” – shprehje që sjellin imazhe të aksioneve ushtarake, sulmeve dhe përshkallëzimit të konfliktit – i dha bashkëpunimit ushtarak të dy shteteve (Kosovës dhe Shqipërisë) dozën më të lartë të sensacionalizmit dhe dramatizimit. Kështu arrihet të tërhiqet menjëherë vëmendja, por edhe të shpërndahet frika dhe paniku.
Titulli në Kurir (PO PËRGATITET SULM I PËRGJITHSHËM NDAJ SERBISË! Kurti paralajmëroi krijimin e njësisë së përbashkët të të ashtuquajturës FSK dhe ushtrisë shqiptare) nënkupton se Kurti (ose Kosova) po udhëheq një fushatë agresive kundër Serbisë. Në vend që të jetë objektiv, titulli ndërton narrativën e antagonizmit dhe armiqësisë.

Bëhet fjalë për titull polarizues që nuk jep asnjë informacion mbi kontekstin e deklaratës reale – p.sh. a e përmendi vërtet Kurti “njësinë e përbashkët”. Kjo mungesë i informacionit shtesë ose citimeve krijon hapësirë për dezinformim dhe keqinterpretim të ngjarjes.
Kjo retorikë manipulon emocionet themelore të njerëzve – frikën nga lufta, solidaritetin kombëtar dhe mbrojtjen e territorit. Një ambient i tillë shpesh përdoret për të forcuar qëndrime të caktuara politike ose ideologjike te lexuesit.
Duke përdorur një titull të tillë që nënkupton se Kurti është në sulm ndaj Serbisë, lexuesi orientohet ta shohë Kosovën si kërcënim, në vend si subjekt me qëndrime ose kërkesa të veta. Kjo forcon narrativën “ne kundër tyre” dhe thellon polarizimin në hapësirën publike.
Në tekstin e mediave si Novosti (titulli: PO PËRGATITET SULM I PËRGJITHSHËM NDAJ SERBISË: Kurti konfirmoi se po përgatitet për gjakderdhje), përdoren shprehje si “sulm i përgjithshëm” dhe “gjakderdhje” – retorikë që alarmon lexuesin dhe nxit reagim emocional, pa përdorur raportim objektiv. Ky sensacionalizëm synon të ngrejë emocionet më të ulëta, si frika dhe urrejtja.

Përdorimi i termit “gjakderdhje” shërben jo vetëm për të alarmuar, por edhe për të drejtuar lexuesin kah një narrativë politike e caktuar – paraqitjen e Kurtit si agresor dhe kërcënim për stabilitetin, pa mbështetje në fakte konkrete.
Titulli dhe nëntitulli nuk ofrojnë asnjë alternativë, koment ose analizë të sfondit që do të mundësonte një perceptim më të informuar të situatës – reduktohen vetëm në një konstruksion propagandistik.
Një mesazh i ndërtuar në këtë mënyrë automatikisht e vendos lexuesin në pozicion mbrojtës: Kurti paraqitet si armiku aktual, gjë që forcon ndarjen dhe rrit tensionet shoqërore.
Teksti në gazetën Politika thekson se Albin Kurti, kryeministër në detyrë, shpalli se gjatë katër viteve të ardhshme do të ndajë mbi një miliard euro për “ushtritë Kosovës” dhe zhvillimin e dronëve, përfshirë formimin e njësisë së përbashkët me Shqipërinë.

Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për një strategji legjitime mbrojtëse dhe forcim të kapaciteteve të sigurisë, që ka mbështetje ndërkombëtare dhe se tensionet rajonale shpesh nxiten nga Serbia si shkak për këto masa.
Për lexuesin vendas, veçanërisht në Serbi, titulli mund të shkaktojë ndjenjë të kërcënimit të menjëhershëm ose agresionit.
Theksimi vetëm i dimensionit ushtarak lë anash kontekstin më të gjerë, p.sh. bashkëpunimin me partnerët e NATO-s, Shtetet e Bashkuara, masat e domosdoshme për operacionet, ose zhvillimin institucional.
Titulli në Politika krijon atmosferë sensacionale dhe qartazi shkakton reagim emocional, pa kontekstualizuar mjaftueshëm faktet. Kjo rrit polarizimin dhe tensionet, sidomos në Serbi, ku temat si Kosova shpesh interpretohen përmes kornizës së kërcënimit dhe identitetit.
Teksti në gazetën Alo me titullin që nis me thirrjen “PO PËRGATITET SULM I PËRGJITHSHËM NDAJ SERBISË!”, menjëherë e hedh lexuesin në ambient frike dhe paniku. Përdoret gjuhë militariste për të krijuar përshtypjen e një rreziku të menjëhershëm, edhe pa marrë parasysh faktet që teksti në të vërtetë i sjell.

Fraza “është i etur për gjakderdhje” nuk ka bazë të qartë burimore – duket se është konstruksion personal i autorit, jo citat i drejtpërdrejtë. Në vend që të japë fakte informuese, titulli sugjeron qëllim dhe agresion.
Në vetë tekstin thuhet se Kurti planifikon investime të mëdha: një miliard euro për forcat e sigurisë (FSK), zhvillimin e dronëve dhe formimin e njësive të përbashkëta me Shqipërinë. Masa të tilla mund të jenë pjesë e një strategjie të ligjshme mbrojtëse – por titulli i paraqet si kërcënim të drejtpërdrejtë.
Në tekstin e portalit B92 (“Po përgatitet sulm i përgjithshëm ndaj Serbisë; Kurti paralajmëron krijimin e njësisë së përbashkët të të ashtuquajturës FSK dhe ushtrisë së Shqipërisë”) thuhet se Albin Kurti, kryeministër në detyrë, deklaroi se gjatë katër viteve të ardhshme do të ndahen mbi një miliard euro për të ashtuquajturat Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe planifikohet hapja e prodhimit të dronëve ushtarakë dhe formimi i njësisë së përbashkët me Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Titulli përdor frazën “Po përgatitet sulm i përgjithshëm ndaj Serbisë”, që është e ngarkuar emocionalisht dhe të kujton agresionin, madje luftën. Një stil i tillë menjëherë tërheq vëmendjen dhe shkakton frikë, pavarësisht fakteve.

Titulli krijon përshtypjen e një mobilizimi të forcës ushtarake të drejtuar kundër Serbisë, ndërkohë që në tekst thuhet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe prodhimin vendas të dronëve. Konteksti i qartë dhe qëllimi i investimit nuk janë paraqitur me ton alarmant.
Poashtu media Informeri me shkrim:
“Tani gjithçka është e qartë! Kurti po përgatitet për luftë, për një sulm të përgjithshëm ndaj Serbisë!”

Propaganda e “Informer”-it përdor një gjuhë dramatike dhe të frikshme për të nxitur panik dhe tension në publik. Deklarata se “Kurti po përgatitet për luftë, për një sulm të përgjithshëm ndaj Serbisë” nuk ka asnjë bazë faktike të konfirmuar nga burime të pavarura ndërkombëtare ose institucione të besueshme diplomatike.
Në të vërtetë, qeveria e Kosovës dhe liderët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë theksuar rëndësinë e dialogut dhe zgjidhjes paqësore të çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Shumë herë është raportuar se incidentet ushtarake apo tensionet përfshijnë retorikë të ekzagjeruar nga disa media për të krijuar klikime ose për të ndikuar opinionin publik, jo realitetin politik./The Geopost/

Mojsilloviq dezinformon për marrëveshjen mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë
Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve”
Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë
MPJ e Rusisë shpërndan dezinformata për intervenimin e NATO-s në vitin 1999
Propagandë nga Moska: Volodin fajëson SHBA-në dhe BE-në për luftën në Ukrainë
Narrativë propagandistike nga Moska: Zaharova sërish dezinformon për Kosovën