Rajoni i Leningradit në Rusi ndodhet rreth 600 kilometra larg pikës më të afërt të Ukrainës.
Por, më 15 prill, guvernatori i këtij rajoni e shpalli atë rajon “të vijës së frontit”. Një pjesë e shpjegimit të tij ishte kjo: nga janari deri në mars, sipas tij, mbi këtë rajon janë rrëzuar gjithsej 243 dronë ukrainas.
Megjithatë, jo të gjithë dronët janë rrëzuar.
Nga terminalet e eksportit në Gjirin e Finlandës e deri te rafineritë në brendësi të vendit, objektet e naftës në rajonin që rrethon Shën Petersburgun – qytetin e lindjes së presidentit rus, Vladimir Putin – kanë qenë ndër më të goditurat në valën e shtuar të sulmeve ukrainase ndaj prodhimit, magazinimit dhe infrastrukturës së eksportit të hidrokarbureve ruse.
Sulmet, të cilat shpesh godasin qindra kilometra ose edhe më larg nga vijat e frontit, kanë ndryshuar dinamikën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, tani në vitin e saj të pestë që kur Putini urdhëroi pushtimin e plotë të vendit fqinj në shkurt të vitit 2022.
Se deri në çfarë mase ato mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës, ende nuk është e qartë. Por, sulmet – kryesisht me dronë, por edhe me raketa, dhe që synojnë edhe instalime ushtarake si sistemet e mbrojtjes ajrore, aeroportet ushtarake dhe fabrikat e armëve – po ndodhin në një kohë kur Rusia po përballet me vështirësi në fushëbetejë, duke përparuar me ritëm shumë të ngadaltë dhe me kosto të madhe në ushtarë të vrarë e të plagosur.
Ato ia kanë vështirësuar Rusisë përfitimin nga rritja e madhe e çmimit të naftës – një burim kyç financimi për luftën e saj kundër Ukrainës – që ka ardhur si pasojë luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe kufizimit të qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit nga Teherani.
Pamjet e tymit të zi që ngrihet mbi objektet ruse të naftës janë bërë papritur pothuajse të zakonshme. Sulmet e kanë sjellë luftën e Moskës kundër Ukrainës më afër qytetarëve rusë, për shembull në portin e Detit të Zi, Tuapse, ku banorët kanë raportuar banorët kanë raportuar se nga qielli kanë rënë pika vaji gjatë një serie sulmesh në javët e fundit.
Ato e kanë shtyrë Putinin edhe të zvogëlojë planet për paradën ushtarake të 9 Majit në Sheshin e Kuq, me të cilën shënohet fitorja ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Parada e Ditës së Fitores pritet të mbahet pa shfaqjen e armëve të rënda, si tanke dhe raketa balistike ndërkontinentale, për herë të parë në pothuajse 20 vjet. Parada më të vogla në disa qytete janë anuluar.
Sipas hulumtuesit francez me burime të hapura, Clement Molin, Ukraina ka lëshuar rreth 1.000 dronë drejt Rusisë në gusht të vitit 2024, 3.000 në korrik të vitit 2025 dhe 7.000 në mars – për herë të parë më shumë sesa Rusia ka lëshuar drejt Ukrainës.
Ky numër, i bazuar pjesërisht në të dhënat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ra pak në prill. Por, në çdo rast, vlerësimi e efekteve është çështje cilësie po aq sa edhe sasie, pjesërisht sepse pretendimet e Moskës për numrin e dronëve të rrëzuar nga ushtria e saj nuk janë të besueshme.
“Do të isha i kujdesshëm të nxirrja përfundime shumë të forta vetëm nga shifrat e papërpunuara… Megjithatë, prirja më e gjerë është reale”, tha për Radion Evropa e Lirë John Helin, bashkëthemelues i organizatës hulumtuese Black Bird Group.
“Ukraina e ka zgjeruar qartazi kapacitetin e saj për sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi dhe Rusia tani përballet me sfidën që të mbrojë një zonë shumë më të madhe në prapavijë nga sulmet e rregullta ukrainase”.
Shifrat “sugjerojnë një ndryshim në shkallë, por suksesi i fushatës ukrainase me rreze të gjatë duhet të vlerësohet më shumë nga efektet”, tha Helin, si për shembull “çfarë është goditur, sa shpesh, sa thellë brenda Rusisë, nëse sulmet e kanë detyruar Rusinë ta shpërndajë mbrojtjen ajrore, nëse kanë ndërprerë logjistikën, kanë ulur prodhimin e rafinerive apo kanë shkaktuar kosto reale ekonomike dhe ushtarake”.
“Në këto aspekte, është e qartë se fushata ukrainase me rreze të gjatë po bëhet gjithnjë e më efektive”, tha ai.
Ukraina goditi infrastrukturën ruse të naftës të paktën 21 herë në prill, përfshirë nëntë sulme ndaj objekteve të përpunimit, gjë që ndihmoi që vëllimi i përpunimit të naftës së papërpunuar në Rusi të binte në nivelin më të ulët që nga viti 2009, sipas Bloomberg News.
Në fushëbetejë dhe në sulmet ajrore të kryera nga të dyja vendet, dronët janë bërë faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga viti 1945. Të dyja palët po përpiqen t’i ndërtojnë, t’i blejnë dhe t’i përmirësojnë sa më shpejt që të munden.
“Sot, dronët tanë ukrainas kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si zhvillohet lufta”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një demonstrim në prill, me rastin e Ditës së Armëpunuesit të Ukrainës, ku prezantoi më shumë se 30 lloje dronësh.
Ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhaylo Fedorov, tha në fund të prillit se Kievi ka blerë më shumë dronë në tre muajt e parë të mandatit të tij sesa gjatë gjithë vitit të kaluar.
“Tani po shohim momentin kur kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Rusisë janë shumë më të vogla sesa rritja e prodhimit të dronëve ukrainas”, tha për Radion Evropa e Lirë Oleksandr Karpyuk, ushtar i Brigadës së 59-të Sulmuese të Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, i njohur me nofkën ushtarake Serge Marco.
Synimi i sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore është element kyç i strategjisë së Ukrainës, sugjerojnë ushtarë, zyrtarë dhe analistë ushtarakë – qoftë përmes dëmtimit apo shkatërrimit të tyre me sulme të drejtpërdrejta, qoftë duke i neutralizuar përmes dërgimit të disa dronëve në drejtim të tyre, për t’i mbajtur të zënë dhe për t’i penguar të mbrojnë objektivat nga raketat dhe sulmet e tjera.
Nëse sistemet ruse rrëzojnë dhjetëra apo qindra dronë, ato sisteme do të shterohen, duke hapur qiellin për sulme të mëtejshme, tha Karpyuk: “Fillimisht vijnë dronët, pastaj vijnë raketat. Ata i nxjerrin jashtë funksionit sistemet e mbrojtjes ajrore – dhe kjo do të thotë se disa Flamingo, me kokë luftarake prej 1.000 kilogramësh, mund t’i godasin [objektivat] me lehtësi”.
Ukraina ka promovuar raketat e veta lundruese Flamingo. Ajo i përdori disa prej tyre më 5 maj, tha Zelensky, përfshirë në një sulm ndaj një fabrike në Çeboksari, rreth 1.200 kilometra larg Ukrainës, e cila prodhon komponentë navigimi për ushtrinë ruse. Guvernatori rajonal tha se të paktën dy persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën.
Forcat e Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës shkatërruan 41 njësi ruse të mbrojtjes ajrore në mars, sipas komandantit të këtij shërbimi, Robert Brovdi, duke e rritur ritmin pas shkatërrimit të 54 njësive gjatë tre muajve paraprakë.
Analistët paralajmërojnë se pretendime të tilla janë të vështira për t’u verifikuar. Oryx, një grup që monitoron humbjet e pajisjeve ushtarake gjatë luftës, ka numëruar 18 sisteme ruse të mbrojtjes kundërajrore tokë-ajër të shkatërruara ose të dëmtuara dhe shtatë radarë në mars.
Cilatdo qofshin shifrat, shkatërrimi ose nxjerrja jashtë funksionit e sistemeve të mbrojtjes ajrore mund t’i ndihmojë forcat ukrainase në front që t’i zmbrapsin përparimet ruse dhe të arrijnë përparime të veta.
Kjo gjithashtu “hap një dritare për sulme të thella, sulme me rreze të mesme dhe sulme efektive. Po i shohim ato në rajonin e Leningradit dhe përgjatë bregut të Detit të Zi”, tha për Radion Evropa e Lirë Oleksiy Bezuhliy, zëdhënës i Regjimentit të 413-të të Veçantë të Forcave të Sistemeve Pa Pilot, duke iu referuar valës së fundit të sulmeve ukrainase ndaj objekteve ruse të naftës.
Sipërfaqja e madhe e Rusisë e rrit cenueshmërinë e saj ndaj “sulmeve për shtypjen e mbrojtjes ajrore” nga Ukraina, sipas hulumtuesit të Universitetit të Oslos, Fabian Hoffmann, sepse humbja e një sistemi të vetëm mund të nënkuptojë se një zonë e tërë nuk është më nën mburojën e mbrojtjes ajrore.
Fokusimi te mbrojtja e Putinit, e Qeverisë dhe e Moskës mund t’i lërë më të ekspozuara objektet e largëta energjetike dhe ushtarake, apo forcat pranë frontit – një faktor që ka dalë në pah para paradës së 9 Majit në Moskë, ngjarje e përvitshme me profil të lartë, në të cilën Putini merr pjesë nga tribuna pranë Mauzoleut të Leninit.
“Ngurrimi i dukshëm i Rusisë për t’i zhvendosur kapacitetet nga unaza e ngushtë e mbrojtjes ajrore dhe raketore përreth Moskës – me gjasë për shkak të frikës se realitetet e luftës do të afroheshin më shumë te dera e regjimit – e përkeqëson problemin”, shkroi Hoffmann.
Në një postim në blog më 12 prill, ai shkroi se “vetëm fushata e sulmeve nuk ia siguron Ukrainës fitoren në luftë, as nuk e eliminon potencialin ekonomik të Rusisë”.
Megjithatë, shtoi ai, efektet kumulative të kufizimeve që ajo imponon “janë reale dhe ndikojnë ndjeshëm në buxhetin dhe planifikimin e Rusisë, edhe nëse nuk arrijnë ta shembin kapacitetin e saj për të zhvilluar luftë”./REL

Trump thotë se armëpushimi është ende në fuqi, pas përshkallëzimit të luftimeve mes SHBA-së dhe Iranit
Irani po përdor rrugë alternative për ta anashkaluar bllokadën detare të SHBA-së
Vladimir Putin dhe Dita e Fitores: Një paradë e zvogëluar, një president i dobësuar
SHBA-të godasin asetet detare dhe bazat ushtarake iraniane pas sulmeve ‘të paprovokuara’ ndaj anijeve luftarake
Ekspertët evropianë: Rusia po përdor luftë hibride të sofistikuar ndaj NATO-s – nga migrimi te sabotimi dhe rekrutimi online
Fundi i epokës së Putinit? Raportet flasin për krizë të brendshme në Rusi