Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

NATO përfundon samitin në Ankara, miratohet deklarata me gjashtë pika

The Geopost July 8, 2026 3 min read
Share the news

Në Ankara, përfundoi samiti i NATO-s, ndërsa vendet anëtare, pas një takimi dyditor, miratuan një deklaratë të përbashkët që përmban gjashtë pika kryesore.

Në pikën e parë, vendet anëtare zotohen se do të përmbushin detyrimet e tyre, me theks të veçantë te mbrojtja kolektive.

“Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s, u mblodhëm në Ankara për të riafirmuar përkushtimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive, në përputhje me nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe lidhjen transatlantike. Sulmi ndaj njërit konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për një miliard qytetarë të aleancës sonë të shteteve të lira dhe demokratike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qasjes sonë për parandalim dhe mbrojtje në të gjitha 360 gradët”, thuhet në deklaratë.

Rusia cilësohet kërcënimi më i madh për Aleancën

Pika e dytë e deklaratës i kushtohet Rusisë, e cila cilësohet si kërcënimi më i madh afatgjatë për NATO-n.

“Për t’iu përgjigjur kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet ndaj sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik, si dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga terrorizmi, aleatët po zbatojnë detyrimin e mbrojtjes të dakorduar në Hagë. Gjatë vitit 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur investimet në nevojat kryesore të mbrojtjes për më shumë se 139 miliardë dollarë”, thuhet në dokument.

NATO njoftoi gjithashtu se në Ankara janë deklaruar më shumë se 50 miliardë dollarë blerje të reja ushtarake dhe se aleatët do të zgjerojnë kapacitetet e përbashkëta të prodhimit dhe bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes për të përshpejtuar inovacionin.

Evropa dhe Kanadaja marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen

Në pikën e tretë theksohet se vendet evropiane dhe Kanadaja do të rrisin investimet në mbrojtje dhe do të japin kontribut më të madh në sigurinë kolektive.

“Aleatët evropianë dhe Kanadaja, duke punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara, po marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e Aleancës. Parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s bazohen në një kombinim të përshtatshëm të aftësive bërthamore, konvencionale dhe kundër-raketore, të mbështetura nga kapacitetet hapësinore dhe kibernetike”, thuhet në deklaratë.

Aleatët theksuan se do të investojnë në sisteme të avancuara ushtarake, përfshirë goditjet precize me rreze të gjatë, mbrojtjen e integruar ajrore dhe kundër-raketore, sistemet pa pilot, teknologjitë moderne dhe inteligjencën artificiale.

Mbështetje për Ukrainën, por pa përmendur anëtarësimin në NATO

Pika e katërt i kushtohet Ukrainës, por pa përmendur mundësinë e anëtarësimit të saj në NATO.

“Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike dhe aleatët mbeten të bashkuar në mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”, thuhet në deklaratë.

Aleatët deklaruan se për vitin 2026 do të ofrojnë 70 miliardë euro pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime për Ukrainën, ndërsa kanë konfirmuar angazhimin për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe gjatë vitit 2027.

Në këtë kuadër, NATO mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian për sigurimin e financimit shumëvjeçar për Ukrainën përmes huasë për mbështetjen e saj.

NATO kërkon që Irani të mos ketë armë bërthamore

Pika e pestë e deklaratës lidhet me Iranin dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

“Aleanca vazhdon t’u përgjigjet dhe t’u përshtatet konkurrencës strategjike, paqëndrueshmërisë së përhapur, kërcënimeve hibride dhe krizave të përsëritura që karakterizojnë mjedisin tonë më të gjerë të sigurisë. Aleatët përsërisin se Irani nuk duhet të posedojë kurrë armë bërthamore dhe i bëjnë thirrje Iranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit”, thuhet në dokument.

Në pikën e fundit, pjesëmarrësit falënderuan Turqinë për mikpritjen dhe organizimin e samitit.

“Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të ofruar nga Turqia. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm”, thuhet në pikën e gjashtë të deklaratës së samitit të NATO-s.

Tags: Ankara NATO Samiti i NATO-s

Continue Reading

Previous: Merz: Rusia nuk ka shanse ta fitojë luftën në Ukrainë

Merz: Rusia nuk ka shanse ta fitojë luftën në Ukrainë 2 min read
  • Botë

Merz: Rusia nuk ka shanse ta fitojë luftën në Ukrainë

The Geopost July 8, 2026
Aleatët e NATO-s njoftojnë 50 miliardë dollarë për projektin e ri të raketave 4 min read
  • Botë

Aleatët e NATO-s njoftojnë 50 miliardë dollarë për projektin e ri të raketave

The Geopost July 8, 2026
Trump thotë se armëpushimi me Iranin ka marrë fund 2 min read
  • Botë

Trump thotë se armëpushimi me Iranin ka marrë fund

The Geopost July 8, 2026
Ukraina nënshkruan marrëveshje për dronë me Estoninë dhe Holandën 4 min read
  • Botë

Ukraina nënshkruan marrëveshje për dronë me Estoninë dhe Holandën

The Geopost July 8, 2026
Samiti i NATO-s: Trump mbërrin në Ankara, në fokus e ardhmja e Aleancës dhe mbështetja për Ukrainën 9 min read
  • Botë

Samiti i NATO-s: Trump mbërrin në Ankara, në fokus e ardhmja e Aleancës dhe mbështetja për Ukrainën

The Geopost July 7, 2026
Shefi i NATO-s kërkon që aleatët të paraqesin plane të besueshme për të arritur objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes 2 min read
  • Botë

Shefi i NATO-s kërkon që aleatët të paraqesin plane të besueshme për të arritur objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes

The Geopost July 7, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.