Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Kalesnikava paralajmëron: Bjellorusia rrezikon të bjerë plotësisht nën kontrollin e Rusisë

The Geopost November 24, 2026 4 min read
Share the news

Figura e opozitës bjelloruse, Maria Kalesnikava, ka paralajmëruar se Bjellorusia rrezikon të humbasë pavarësinë dhe të shndërrohet në një territor plotësisht nën kontrollin e Moskës, nëse Evropa nuk ndryshon qasjen ndaj regjimit të Aleksandar Lukashenkos. Ajo kërkon një strategji që kombinon sanksionet, diplomacinë dhe marrëveshjet e verifikueshme, duke theksuar se e ardhmja e vendit nuk duhet të vendoset në Kremlin.

Në një intervistë për mediumin polak “Defence24”, Kalesnikava, e cila kaloi më shumë se pesë vjet në burgjet e regjimit të Lukashenkos, ka thënë se politika aktuale evropiane ndaj Minskut nuk po prodhon rezultatet e synuara dhe se është e nevojshme të rishikohet strategjia përballë zhvillimeve të reja politike dhe të sigurisë.

Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe sanksioneve, Aleksandar Lukashenko vazhdon të jetë në pushtet, represioni ndaj qytetarëve nuk është ndalur, ndërsa varësia e Bjellorusisë nga Rusia është rritur edhe më shumë.

Sipas saj, prioritetet kryesore duhet të jenë lirimi i të burgosurve politikë, përfundimi i represionit dhe ruajtja e pavarësisë së Bjellorusisë.

“Ne përballemi me tre prioritete urgjente: lirimin e të burgosurve politikë, përfundimin e represionit dhe ruajtjen e pavarësisë së Bjellorusisë. Dhe nëse e shohim këtë në kontekstin e arkitekturës evropiane të sigurisë, tani ekziston një rrezik real që Bjellorusia të bjerë tërësisht nën kontrollin rus”, ka deklaruar Kalesnikava.

Ajo ka theksuar se sanksionet nuk duhet të hiqen, por të përdoren si instrument për arritjen e objektivave konkrete, duke i kombinuar me diplomacinë dhe hapa të ndërsjellë që mund të verifikohen.

Kalesnikava ka mbrojtur gjithashtu mundësinë e negociatave me autoritetet në Minsk, duke kundërshtuar qëndrimin se bisedimet me Lukashenkon nënkuptojnë legjitimimin e regjimit të tij.

Sipas saj, nëse Evropa nis nga supozimi se Lukashenko nuk merr vendime të pavarura dhe se gjithçka përcaktohet nga presidenti rus, Vladimir Putin, atëherë praktikisht po pranon që e ardhmja e Bjellorusisë të vendoset në Moskë.

“Negociatat nuk nënkuptojnë mbështetjen e Lukashenkos, besimin tek ai ose justifikimin e veprimeve të tij. Ato janë një instrument ndikimi”, ka thënë ajo, duke shtuar se duhet të shfrytëzohet çdo mundësi për të zvogëluar varësinë e Minskut nga Moska.

Ajo ka mbështetur një plan të propozuar nga disa ekspertë bjellorusë, i cili parasheh hapa gradualë dhe reciprokë ndërmjet Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian, me synimin për t’i dhënë fund represionit dhe për të krijuar kushte për ndryshime demokratike.

Një tjetër çështje që ka ngritur Kalesnikava është rreziku i përfshirjes së Bjellorusisë në një konflikt të ri ushtarak. Ajo ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia e agresionit, por ka theksuar se shoqëria dhe ushtria bjelloruse nuk kanë interes të luftojnë kundër Ukrainës apo të kërcënojnë fqinjët evropianë.

Megjithatë, sipas saj, përgjegjësia e regjimit të Lukashenkos është e qartë, pasi Rusia e ka përdorur territorin bjellorus për të nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kalesnikava ka paralajmëruar se shndërrimi i Bjellorusisë në një pikëmbështetje ushtarake të Rusisë do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane.

Për këtë arsye, ajo ka kërkuar që çdo marrëveshje me Minskun të shoqërohet me mekanizma të plotë verifikimi, duke theksuar se deklaratat e Lukashenkos nuk duhet të konsiderohen të mjaftueshme pa prova për zbatimin e tyre.

Në intervistë, figura e opozitës bjelloruse ka mbrojtur edhe negociatat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, të cilat, sipas saj, kanë kontribuar në lirimin e qindra të burgosurve politikë.

Ajo ka thënë se që nga korriku i vitit 2024 janë liruar rreth 900 të burgosur politikë dhe se një numër i konsiderueshëm i këtyre lirimeve është rezultat i negociatave me SHBA-në.

Kalesnikava ka kundërshtuar argumentet se lirimi i të burgosurve nuk e ndryshon situatën, përderisa regjimi vazhdon arrestimet e reja. Sipas saj, represioni ka vazhduar edhe në periudhat kur nuk ka pasur negociata apo marrëveshje për lirime.

“Për mua, liria e njerëzve ka më shumë rëndësi sesa mosmarrëveshjet tona se si ta arrijmë atë”, ka deklaruar ajo.

Në përfundim, Kalesnikava ka theksuar se pavarësia e Bjellorusisë nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme të këtij vendi, por edhe çështje e sigurisë së gjithë Evropës, duke kërkuar që evropianët të mos heqin dorë nga përpjekjet për të ruajtur sovranitetin e Minskut dhe për të parandaluar zgjerimin e ndikimit rus.

The GeoPost
Tags: Bjellorusia Rusia

Continue Reading

Previous: “Putini nuk duhet të fitojë”, Rutte: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Rusia mbetet kërcënim për Evropën

“Putini nuk duhet të fitojë”, Rutte: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Rusia mbetet kërcënim për Evropën 2 min read
  • Botë
  • Siguri

“Putini nuk duhet të fitojë”, Rutte: Mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të vazhdojë, Rusia mbetet kërcënim për Evropën

The Geopost November 23, 2026
Vizat, Sanksionet, Paratë: Si planifikon BE-ja të zgjasë ndalimet për atletët rusë 6 min read
  • Botë

Vizat, Sanksionet, Paratë: Si planifikon BE-ja të zgjasë ndalimet për atletët rusë

The Geopost November 23, 2026
Gjermania teston dronët kamikazë në Lituani, aleatët nxjerrin mësime nga lufta në Ukrainë 2 min read
  • Botë

Gjermania teston dronët kamikazë në Lituani, aleatët nxjerrin mësime nga lufta në Ukrainë

The Geopost November 23, 2026
Trump paralajmëron sulme të reja të mëdha ndaj Iranit pas Vitit të Ri nëse dështon diplomacia 5 min read
  • Botë
  • News

Trump paralajmëron sulme të reja të mëdha ndaj Iranit pas Vitit të Ri nëse dështon diplomacia

The Geopost November 23, 2026
Dyshohet se transportonte materiale ushtarake, anija ruse goditet nga dronë në Gjirin e Finlandës – ndërsa lëvizte drejt ujërave të NATO-s 3 min read
  • Botë
  • News

Dyshohet se transportonte materiale ushtarake, anija ruse goditet nga dronë në Gjirin e Finlandës – ndërsa lëvizte drejt ujërave të NATO-s

The Geopost November 22, 2026
Ministri britanik: Putini është vrasës gjakftohtë, nuk mund të shtiret si viktimë 1 min read
  • Botë
  • News

Ministri britanik: Putini është vrasës gjakftohtë, nuk mund të shtiret si viktimë

The Geopost November 22, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.