Zyra Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) ka zgjatur edhe për 30 ditë licencën e operimit për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), kompani e cila ndodhet nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë së saj me shumicë ruse.
Lajmin e bëri të ditur ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Đedović Handanović, e cila tha se licenca është zgjatur deri më 31 korrik, duke i mundësuar NIS-it të vazhdojë aktivitetin e saj.
Sipas saj, vendimi i OFAC-it siguron vazhdimin e punës së Rafinerisë së Pançevës, e cila do të vazhdojë përpunimin e naftës bruto, një zhvillim që ajo e cilësoi si të rëndësishëm në kushtet e krizës globale energjetike.
Javën e kaluar, NIS kishte kërkuar nga autoritetet amerikane një zgjatje të re të licencës, me qëllim që të vazhdonte furnizimin e tregut serb me derivate të naftës.
OFAC e kishte shtyrë më herët licencën e operimit më 16 qershor, duke zgjatur njëkohësisht edhe lejen për negociatat lidhur me shitjen e aksioneve ruse në NIS te kompania hungareze MOL. Të dyja licencat ishin paraparë të skadonin më 1 korrik.
Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS në fillim të vitit 2025, me arsyetimin se synonte të pengonte Rusinë të siguronte të ardhura nga sektori energjetik për financimin e luftës në Ukrainë.
Për më shumë se një vit, Uashingtoni ka shtyrë vazhdimisht zbatimin e plotë të sanksioneve, ndërsa licenca e operimit është rinovuar periodikisht, sidomos pas interesimit të kompanisë hungareze MOL për blerjen e aksioneve ruse në NIS.
Negociatat për shitjen e aksioneve të Gazpromneft në rafinerinë e vetme të naftës në Serbi janë ende në zhvillim. Aktualisht, pronarët rusë kontrollojnë 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa 44.85 për qind i përkasin kompanisë shtetërore ruse Gazpromneft.
Më 16 qershor, Qeveria e Serbisë dhe MOL nënshkruan një Marrëveshje Aksionarësh, e cila përcakton strukturën e ardhshme të menaxhimit dhe objektivat strategjike të kompanisë. Megjithatë, marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm nëse Gazpromneft dhe MOL arrijnë marrëveshje për shitjen e aksioneve dhe transaksioni miratohet nga OFAC.
The GeoPost

YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë
Propozimi për Serbinë “tregon se Kongresi ndjek zhvillimet në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë”
“Malit të Zi i kushtëzohet hyrja në BE”, Kroacia i kërkon pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro
Projektligji për Serbinë dorëzohet në Senatin amerikan – parashihen sanksione për destabilizim të Ballkanit
Kë, në fakt, përfaqësojnë partitë “ruse” në Serbi?
A po e ringjall Putini “Serbinë e Madhe”?