Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se vendi i tij “do ta rrisë numrin” e raketave kineze CM-400, si dhe do të blejë avionë të rinj ushtarakë.
Ai i bëri këto deklarata gjatë një stërvitjeje ushtarake dhe prezantimit të armatimit të Ushtrisë së Serbisë.
Ngjarja u organizua më 28 qershor në aeroportin ushtarak në Batajnicë, afër Beogradit, dhe në poligonin Pasulanske Livade në Serbinë qendrore, me rastin e festës shtetërore dhe fetare të Vidovdanit.
Gjatë stërvitjes u demonstruan aftësitë e njësive artilerike dhe raketore për mbrojtje kundërajrore, si dhe operacionet e aviacionit, njësive të tankeve, këmbësorisë, njësive të mekanizuara, artilerisë dhe dronëve.
Paraprakisht, në aeroportin ushtarak “Nënkolonel-pilot Millenko Pavlloviq” në Batajnicë, Vuçiq vizitoi ekspozitën e pajisjeve dhe armatimit ushtarak, ku u ekspozuan edhe raketat CM-400, të cilat Serbia i bleu nga Kina në muajin mars.
“CM-400 janë raketa të frikshme. Do ta rrisim numrin e tyre”, tha Vuçiq.
Pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, Serbia ka vazhduar ta thellojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), në periudhën 2020–2024, Serbia importoi pjesën më të madhe të armëve nga Kina (57 për qind), ndjekur nga Rusia (20 për qind) dhe Franca (7.4 për qind).
Vuçiq tha se pilotët e Ushtrisë së Serbisë tashmë kanë nisur trajnimet për përdorimin e avionëve luftarakë francezë Rafale, të cilët Serbia i bleu në vitin 2024.
Ai shtoi se, pas dorëzimit të tyre, do të pasojnë edhe avionë të tjerë ushtarakë.
“Pas Rafaleve do të vijnë së shpejti edhe avionë të rinj. Do të ketë avionë luftarakë dhe avionë për trajnim. Do të kemi gjithçka, prandaj do të na duhen edhe shumë pilotë të tjerë”, tha Vuçiq pas përfundimit të stërvitjes ushtarake në poligonin Pasulanske Livade.
Ai theksoi, gjithashtu, se Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e saj e neutralitetit ushtarak.
Duke folur për pjesëmarrjen e Ushtrisë së Serbisë në misione paqeruajtëse dhe stërvitje ushtarake me shtete të tjera, Vuçiq tha se Serbia dëshiron të zhvillojë stërvitje me të gjithë partnerët.
Aktualisht, sipas tij, ka më shumë stërvitje me vendet perëndimore për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Nëse do të zhvillonit stërvitje me njërën palë ose tjetrën, do të interpretohej se jeni palë në konflikt. Sapo të përfundojnë luftimet, ne do t’i vazhdojmë stërvitjet me të gjithë. Do ta ruajmë neutralitetin tonë ushtarak dhe nuk do të heqim dorë prej tij”, tha Vuçiq.
Serbia është anëtare e programit të NATO-s Partneriteti për Paqe që nga viti 2006, por vazhdon të këmbëngulë në politikën e neutralitetit ushtarak.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj.
Megjithatë, kishte disa përjashtime, si stërvitjet ushtarake “Ujku i Platintë”, të zhvilluara në vitet 2023 dhe 2025 me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve të tjera të NATO-s.
Përveç stërvitjeve me ushtrinë amerikane dhe aleatët e saj, Ushtria e Serbisë zhvilloi stërvitje të përbashkëta edhe me ushtrinë kineze.
Në korrik të vitit 2025, njësitë speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës zhvilluan një trajnim dhjetëditor në provincën kineze Hebei, në veri të Kinës, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit drejtuar Beogradit.

Regjimi i Vuçiqit, kopja ballkanike e “putinizmit”
Eurodeputeti Reuten: Vuçiq po përdor taktikën e autokratëve për të qëndruar në pushtet
Raporti i REVENT: Serbia përdor narrativat për ekstremizmin islam si armë propagandistike kundër Kosovës
Eurodeputetja Brent: Vuçiq nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pushteti, Evropa të mos përsërisë gabimet e së kaluarës
Serbët pretendojnë se polici u soll keq me një fëmijë në Gazimestan, por videoja tregon të kundërtën
Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”