Gazetari Milan Radonjiq, ka kritikuar ashpër politikën e Beogradit ndaj Kosovës, duke thënë se retorika e autoriteteve serbe po largohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e tyre në terren dhe se këto politika, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Në një intervistë për televizionin Nova, Radonjiq ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë rastin e Nenad Rashkoviqit nga Dreni, situatën rreth Gazivodës, ndryshimet në urën kryesore mbi lumin Ibër, zhvillimet politike në Prishtinë dhe deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit për një ndërhyrje të mundshme në rrjedhën e Ibrit, gazetari serb tha se një veprim i tillë do të kishte pasoja serioze ndërkombëtare, për shkak të karakterit ndërkufitar të burimeve ujore.
Ai përmendi si shembuj mosmarrëveshjet për burimet ujore mes Etiopisë dhe Egjiptit, si dhe raste të tjera në rajon.
“Kjo është në fakt bazë për luftë nëse heq një burim uji që ka karakter ndërkombëtar”, tha Radonjiq.
Sipas tij, Beogradi mund të argumentojë se nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por një veprim i tillë, në këndvështrimin e bashkësisë ndërkombëtare, do të mund të interpretohej shumë më rëndë.
“Do të ishte ekuivalente me një deklaratë lufte”, tha ai.
Radonjiq e cilësoi gjithashtu si jorealist dhe teknikisht të parealizueshëm propozimin për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të mund të dëmtonte edhe vetë serbët që jetojnë në Kosovë.
“Kjo është absolutisht, mendoj unë, jo vetëm teknikisht e parealizueshme dhe e pamundur – në fakt do t’i linit edhe njerëzit tuaj që jetojnë atje pa ujë”, tha ai.
Gazetari i Radar kritikoi Beogradin edhe për mënyrën se si e trajton situatën e serbëve në Kosovë.
Sipas tij, autoritetet serbe flasin për zhvillime që mund të ndodhin pas dekadash, ndërsa problemet me të cilat përballen aktualisht serbët e Kosovës mbeten të patrajtuara.
“Po flasim për problemet akute të njerëzve, shtëpitë e të cilëve po shemben, të cilëve po u hiqet liria në mënyrë të paligjshme, të cilët po përjetojnë, mund të thuhet, një situatë të ngjashme me pushtimin, sepse kanë jetuar në një mënyrë për disa dekada dhe tani gjithçka ka ndryshuar”, tha Radonjiq.
Ai shtoi se retorika politike e Beogradit dhe veprimet e tij në terren tashmë janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë.
“Kemi arritur në një pikë ku retorika dhe praktika po lëvizin në drejtime krejtësisht të kundërta. Ne kemi një propagandë të fuqishme që thotë një gjë, ndërsa veprimet thonë diçka krejtësisht tjetër”, deklaroi ai.
Duke folur për rastin e Nenad Rashkoviqit nga Dreni, i cili ka pretenduar se pjesëtarë të Policisë së Kosovës e kanë lidhur në një pemë dhe e kanë rrahur, Radonjiq ia atribuoi një pjesë të madhe të përgjegjësisë për situatën aktuale të serbëve në Kosovë politikave të Beogradit.
“Fatkeqësisht, gjatë gjithë këtyre viteve është bërë e qartë se autoritetet në Beograd janë më shpesh kërcënimi më i madh për serbët që jetojnë në rajon. Në vitet e fundit, edhe serbët e Kosovës janë trajtuar në këtë mënyrë”, tha ai.
Ai kritikoi edhe vendimin e serbëve për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës, duke thënë se kjo ka dobësuar ndikimin e tyre institucional.
“Serbët e Kosovës ende jetojnë aty ku kanë jetuar gjithmonë, por ata pothuajse nuk kanë asnjë ndikim mbi funksionimin institucional të policisë dhe komunave”, tha Radonjiq.
Radonjiq u shpreh kritik edhe ndaj Listës Serbe, duke thënë se ajo tashmë ka pak ndikim dhe besueshmëri te serbët e Kosovës.
“Shohim që Lista Serbe pothuajse nuk ekziston fare. Serbët e Kosovës kanë kryetarë bashkie, por këta njerëz nuk shihen gjëkundi, as nuk kanë ndonjë ndikim apo besueshmëri midis serbëve të Kosovës pas gjithçkaje që ka ndodhur”, tha ai.
Sipas tij, serbët në Kosovë janë lënë pa një përfaqësim politik që do të mund t’i mbronte në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e tyre.
Gazetari serb tha se serbët e Kosovës kanë nevojë për një alternativë politike që do t’i përfaqësonte interesat e tyre në mënyrë të pavarur nga Beogradi.
“Ajo që është e nevojshme është që të shfaqet një lloj alternative politike midis serbëve të Kosovës që mund të artikulojë interesat e tyre të vërteta dhe të përpiqet t’i mbrojë ato interesa”, tha ai.
Sipas Radonjiqit, serbët e Kosovës nuk duhet të presin zgjidhje nga Beogradi.
“Asgjë nuk mund të pritet nga Beogradi në këtë drejtim”, shtoi ai.

Arrestohet në Zveçan një i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj 2023
Deputeti ukrainas kritikon Zelenskyn: Ukraina duhet ta njohë Kosovën
Gjenden mbetje eshtërore të tre personave në Kalludër të Zubin Potokut
Hetimi i NYT: Operativët rusë drejtuan programe trajnimi në Bosnje dhe Serbi që synonin Moldavinë
Mediat serbe dhe ruse përhapin propagandë për sigurinë e Manastirit të Deçanit
Dosja e prokurorisë: Si fotografoheshin zyrtarët e AKI-së nga Fehim Sali, i dyshuari për spiunazh