Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Raporti preliminar i IKKL-së dokumenton 13,227 viktima si pasojë e luftës në Kosovë

The Geopost July 29, 2026 6 min read
Share the news

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar raportin preliminar për personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Ky është raporti i parë zyrtar nga institucionet e Kosovës, i cili u prezantua më 29.07.2026, në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të verifikuara në raportin e publikuar, Lista përfshin gjithsej 13,227 persona të vrarë, persona të zhdukur me dhunë dhe persona të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.

Prej tyre, 12,230 (92.5%) lidhen me periudhën e luftës (1 janar 1998 – 20 qershor 1999), ndërsa 997 (7.5%) me periudhën e pasluftës (21 qershor 1999 – 31 dhjetor 2000), në rastet kur është dokumentuar lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet vdekjes/zhdukjes dhe luftës në Kosovë.

Për qëllime të dokumentimit, sipas Institutit, personat e përfshirë në listë klasifikohen në tri kategori: persona të vrarë, persona të zhdukur me dhunë dhe persona të vdekur si pasojë e luftës.

Ndërkohë, në raport theksohet se kjo listë përbën evidencën më të plotë institucionale deri më sot për këto tri kategori, të ndërtuar përmes harmonizimit të burimeve ekzistuese dhe verifikimeve shtesë të realizuara nga IKKL-ja.

Sipas raportit, përfshirja e periudhës së pasluftës bazohet në parimin metodologjik se pasojat njerëzore të luftës nuk përfunduan me ndërprerjen e luftimeve. Ndërkaq potencohet se lista e IKKL-së nuk përfshin persona që kanë humbur jetën jashtë territorit të Kosovës ose raste që nuk kanë lidhje faktike dhe të dokumentuar me luftën në Kosovë, edhe nëse ato figurojnë në evidenca të institucioneve ose organizatave të tjera.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të raportit tha se raporti do të përditësohet me të dhëna të reja dhe e cilësoi atë si një dëshmi institucionale të çmimit të lirisë.

“Raporti përfaqëson njerëz jetë, familje dhe histori të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi dinjitet dhe përgjegjësi”- tha ai.

Kurti tha se Instituti është themeluar jo për të zëvendësuar atë që kanë bërë të tjerët më herët, por për të verifikuar dhe institucionalizuar të dhënat.

“Lista është preliminare, nuk do të thotë që puna është e përfunduar, do të plotësohet sa herë që ka të dhëna të reja” – shtoi ai.

Në raport, sipër shënohet se lista quhet “preliminare” sepse mbetet e hapur për përditësime të bazuara në dokumente, dëshmi dhe informacione të reja dhe se ky emërtim nuk nënkupton se rastet e përfshira janë të paverifikuara.

Kurti i bëri thirrje familjeve të viktimave, organizatave e çdo qytetari që ka të dhëna, të bashkëpunojë me Institutin.

“Pa dokumentim nuk ka kujtesë, pa kujtesë nuk ka drejtësi dhe pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme” – tha ai.

Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, tha se Instituti ka nisur një proces të standardizuar të verifikimit dhe validimit të të dhënave, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për bashkimin teknik të listave ekzistuese, por për verifikimin individual të secilit rast.

“Instituti si përgjigje institucionale ka filluar procesin e standardizuar të verifikimit dhe validimit të të dhënave, pra jo bashkimin teknik të listave ekzistuese, por identifikim, krahasim, verifikim, dhe validim individual të secilit person të vrarë, zhdukur me dhunë apo të vdekur si pasojë e luftës” – tha ai.

Sipas Hetemit, raporti përfshin vetëm këto tri kategori dhe se kategoritë e tjera të viktimave do të trajtohen në faza të veçanta të dokumentimit.

“Përfshirja vetëm e këtyre tri kategorive nuk nënkupton se ato përbëjnë tërësinë e viktimave të luftës në Kosovë, por kategoritë e tjera do të trajtohen në faza të tjera të veçanta të dokumentimit” – deklaroi ai.

Hetemi bëri të ditur gjithashtu se në raport janë përfshirë vetëm personat që plotësojnë kriteret metodologjike të përcaktuara nga Instituti, ndërsa 267 raste të evidentuara në lista të mëhershme nuk janë përfshirë.

“Në listë janë të përfshirë ato viktima, do të thotë, të këtyre tri kategorive, që kanë lindur, kanë jetuar, ose kanë pasur vendbanim në territorin e Kosovës në kohën e luftës, kanë pësuar plagë, vdekjeprurëse, ose janë zhdukur në territorin e Kosovës në rrethana të ndërlidhura drejtpërdrejt me luftën, kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e plagëve të marra gjatë luftës, dhe bazuar në dokumentacionin e verifikuar që e kemi gjetur, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet e luftës në Kosovë” – shtoi ai.

Bazuar në raport, nga gjithsej 13,227 persona, 11,415 (86.3%) janë meshkuj dhe 1,811 (13.7%) janë femra, ndërsa për një rast (0.01%) gjinia nuk ka mundur të përcaktohet në këtë fazë të procesit të dokumentimit.

Tutje, raporti dokumenton se humbjet njerëzore janë përqendruar kryesisht në popullsinë e moshës aktive.

Grupmosha 31–50 vjeç përfaqëson kategorinë më të madhe, me 4,080 persona (30.8%), e ndjekur nga grupmosha 18–30 vjeç, me 3,531 persona (26.7%).

Së bashku, këto dy grupmosha përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë personave të përfshirë në Listë (57.5%), duke treguar se lufta ka prekur në mënyrë disproporcionale popullsinë në moshë pune, shkruan në raport.

Njëkohësisht, të dhënat në raport tregojnë se pasojat e luftës nuk janë kufizuar vetëm në popullsinë e rritur.

Në Listë dokumentohen 1,241 fëmijë (9.4%) të moshës deri në 17 vjeç dhe 1,949 persona (14.7%) mbi moshën 65 vjeç.

Raporti vë në pah se kulmi i rasteve të dokumentuara përkon me fazën më intensive të luftës në Kosovë, gjatë pranverës së vitit 1999, kur në shumë zona të vendit u zhvilluan operacione të gjera ushtarake dhe u dokumentuan disa nga ngjarjet me pasojat më të rënda njerëzore.

“Brenda kësaj periudhe, 26 prilli 1999 rezulton dita me numrin më të madh të personave të evidentuar në Listën preliminare të IKKL-së, duke reflektuar përqendrimin e një numri të madh ngjarjesh në një interval shumë të shkurtër kohor”- shkruan në raport.

Sipas të dhënave në raport, procesi është mbështetur në analizën dhe krahasimin sistematik të burimeve institucionale, duke përfshirë evidencat e Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, dokumentacionin e komunave dhe institucioneve publike, si dhe materialet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare që kanë dokumentuar pasojat njerëzore të luftës. Këto përfshijnë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Fondin për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe burime të tjera relevante.

Krahas harmonizimit të këtyre burimeve, IKKL-ja ka deklaruar se ka zhvilluar hulumtime dhe verifikime shtesë në terren, me qëllim të plotësimit të të dhënave, saktësimit të identitetit të personave të vrarë, personave të zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës, si dhe evidentimit të rasteve që mungonin ose paraqiteshin në mënyrë të paplotë në burimet ekzistuese.

Raporti i plotë me detaje në këtë link.

Tags: Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë Lufta në Kosovë Serbia

Continue Reading

Previous: Deputeti serb e quajti Kosovën fqinj, Brnabiq e kundërshton me narrativën zyrtare të Beogradit

Deputeti serb e quajti Kosovën fqinj, Brnabiq e kundërshton me narrativën zyrtare të Beogradit 2 min read
  • Ballkan

Deputeti serb e quajti Kosovën fqinj, Brnabiq e kundërshton me narrativën zyrtare të Beogradit

The Geopost July 29, 2026
“Krimi në “Panda” nuk u krye nga shqiptarët”, familjet kujtojnë deklaratat e Vuçiqit dhe kërkojnë zbardhjen e rastit 2 min read
  • Ballkan

“Krimi në “Panda” nuk u krye nga shqiptarët”, familjet kujtojnë deklaratat e Vuçiqit dhe kërkojnë zbardhjen e rastit

The Geopost July 29, 2026
Kuvendi Komunal i Nikshiqit rrëzon iniciativën për “tërheqjen e njohjes” së Kosovës 2 min read
  • Ballkan

Kuvendi Komunal i Nikshiqit rrëzon iniciativën për “tërheqjen e njohjes” së Kosovës

The Geopost July 29, 2026
Zhvendosja e OSBE-së nga Beogradi, Wilson: Qëndrimi ndaj Kosovës dhe lidhjet me Rusinë e Iranin 10 min read
  • Ballkan

Zhvendosja e OSBE-së nga Beogradi, Wilson: Qëndrimi ndaj Kosovës dhe lidhjet me Rusinë e Iranin

The Geopost July 29, 2026
Regjimi i Vuçiqit në shënjestër të avokates së viktimave të dhunës policore: “Po hakmerren ndaj meje” 3 min read
  • Ballkan

Regjimi i Vuçiqit në shënjestër të avokates së viktimave të dhunës policore: “Po hakmerren ndaj meje”

The Geopost July 29, 2026
Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska 4 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska

The Geopost July 29, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.