Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të shmangin deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, pas deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian ka theksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet rruga e vetme për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me deklaratat e fundit të Vuçiqit.
Sipas tij, përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të bëjnë përparim në rrugën e tyre evropiane”, theksoi zëdhënësi i BE-së.
Reagimi i Brukselit vjen pas deklaratave të Vuçiqit më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd. Në fjalimin e tij, presidenti serb e cilësoi forcimin e ushtrisë, ruajtjen e neutralitetit ushtarak dhe mbrojtjen e integritetit territorial si disa nga prioritetet kryesore të shtetit serb.
Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiq tha se betimi i tyre i obligon të respektojnë Kushtetutën e Serbisë dhe të mbrojnë integritetin territorial të vendit.
Ai paralajmëroi se si ushtria, ashtu edhe udhëheqja shtetërore, do të përballen me presione të ndryshme, por theksoi se ruajtja e integritetit territorial mbetet një prioritet parësor.
Vuçiq përsëriti gjithashtu qëndrimin zyrtar të Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe asaj që ai e quajti “drejtësi të Zotit”.
Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Gjatë këtij procesi janë arritur disa marrëveshje, por zbatimi i tyre në praktikë ka mbetur i kufizuar.
BE-ja e konsideron dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura si elemente kyçe për avancimin e të dyja palëve në procesin e integrimit evropian.
Brukseli ka përsëritur vazhdimisht se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga kushtet kryesore për përparimin e tyre në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë?
Pas një humbjeje dërrmuese, çfarë i pret tani Vuçiqit të Serbisë?
Nga “zhgënjimi i thellë” te “partneriteti konstruktiv”: Si ndryshoi Lista Serbe gjuhën ndaj BE-së
“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s
Trump kërcënon Iranin: Mund të na duhet ta godasim fort
Mesazhet në Sky ECC zbulojnë financimin e serbëve në Mal të Zi nga djali i Aleksandar Vuçiqit dhe lidhjet me botën e krimit