Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

FAZ: Programi i Listës Studentore për Kosovën mund të nxisë konflikte dhe ta izolojë Serbinë

The Geopost October 28, 2026 4 min read
Share the news

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se programi i politikës së jashtme të Listës Studentore në Serbi vazhdon linjën nacionaliste të Aleksandar Vuçiqit, veçanërisht në raport me Kosovën, dhe se zbatimi i tij do të mund të shkaktonte konflikte në rajon.

Korrespondenti i gazetës gjermane, Michael Martens, në një analizë të publikuar të mërkurën, vlerëson se politika e jashtme nuk luajti rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore të Listës Studentore, por se qeveria e re serbe do të përballet shpejt me çështje të ndjeshme në këtë fushë.

Sipas Martensit, programi i lëvizjes studentore nuk premton ndryshim thelbësor në raport me fqinjët, pasi, në çështjet kryesore, vazhdon qasjen e nacionalizmit serb të Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe. Ai e cilëson programin si një dokument që synon kthimin pas dhe paralajmëron se zbatimi i tij do të nxiste konflikte në rajon.

Një pjesë e rëndësishme e analizës i kushtohet Kosovës. Martens shkruan se kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës nga Lista Studentore nuk është befasi, pasi ky qëndrim është i përfshirë edhe në preambulën e Kushtetutës së Serbisë. Megjithatë, sipas tij, programi shkon më tej, duke mos e trajtuar shtetësinë e Kosovës si një realitet të krijuar.

Në programin e saj, Lista Studentore deklaron se do të luftojë për mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë dhe se do të kundërshtojë pavarësinë e saj, të cilën e cilëson si të shpallur në mënyrë të njëanshme. Po ashtu, ajo shprehet kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Martens vë në pikëpyetje mënyrën se si do të mund të realizoheshin këto synime, duke theksuar se formulimet e programit krijojnë përshtypjen se Beogradi synon të ushtrojë autoritet vendimmarrës në territorin e Kosovës, pa marrëveshje me institucionet e saj. Sipas analizës, një pretendim i tillë do të mund të realizohej vetëm përmes konfliktit.

Gazeta ndalet edhe te marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në programin e Listës Studentore thuhet se përfaqësuesit përgjegjës të regjimit do të ndiqen penalisht për veprat e mundshme që lidhen me nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjeve që lëvizja i konsideron antikushtetuese dhe në dëm të Serbisë.

Sipas Martensit, ky qëndrim ngre pikëpyetje nëse lëvizja synon të zhbëjë arritjet e deritanishme në dialogun Kosovë–Serbi dhe të kundërshtojë edhe më tej konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Në politikën e jashtme, Lista Studentore shpreh gjithashtu mbështetje për partneritetin tradicional me Rusinë dhe kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj saj. Programi parasheh edhe zgjerimin e partneritetit strategjik me Kinën, veçanërisht në infrastrukturë dhe investime në teknologjitë e përparuara.

Martens e lidh këtë orientim me qëndrimin e lëvizjes ndaj Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë që programi i kushton bashkëpunimit me Moskën për zgjidhjen e çështjeve të hapura me interes të përbashkët.

Analiza trajton edhe qëndrimin e Listës Studentore ndaj luftës në Gaza. Lëvizja deklaron se Serbia nuk duhet të bëhet bashkëfajtore në atë që e përshkruan si përpjekje sistematike për shfarosjen e popullit palestinez. Martens, megjithatë, vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e këtij qëndrimi, duke e krahasuar me atë që e cilëson si heshtje të lëvizjes për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve 1990.

Ai përmend, ndër të tjera, mungesën e reagimit ndaj varrimit të Ratko Mladiqit me nderime ushtarake dhe heshtjen në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa vëren se lëvizja organizoi tubim nacionalist në përvjetorin e Betejës së Kosovës.

Në përfundim, Martens thekson se një program zgjedhor nuk përkthehet domosdoshmërisht në politikë shtetërore dhe se ardhja në pushtet mund ta detyrojë Listën Studentore të tregojë më shumë pragmatizëm.

Megjithatë, ai paralajmëron se, nëse programi zbatohet në politikën e jashtme, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe shumica e popullsisë në Bosnjë e Hercegovinë do të duhej të bashkërendonin qëndrimet përballë Serbisë.

Sipas përfundimit të analizës së “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, një politikë e tillë nuk do ta çlironte Serbinë, por do ta shtynte drejt izolimit.

The GeoPost

Tags: Kosova Lista Studentore Serbia

Continue Reading

Previous: Pas Vuçiqit, çfarë do të thotë qeveria e re në Beograd për Milorad Dodikun?

Pas Vuçiqit, çfarë do të thotë qeveria e re në Beograd për Milorad Dodikun? 9 min read
  • Ballkan

Pas Vuçiqit, çfarë do të thotë qeveria e re në Beograd për Milorad Dodikun?

The Geopost October 28, 2026
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH

The Geopost October 28, 2026
“Kundërgoditja po vjen”: Ish-aktivisti serb paralajmëron për planet e Vuçiqit pas humbjes 3 min read
  • Ballkan

“Kundërgoditja po vjen”: Ish-aktivisti serb paralajmëron për planet e Vuçiqit pas humbjes

The Geopost October 28, 2026
A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore 2 min read
  • Ballkan

A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore

The Geopost October 28, 2026
Kandiq: Vuçiq e pranoi humbjen, por nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste për Kosovën 3 min read
  • Ballkan

Kandiq: Vuçiq e pranoi humbjen, por nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste për Kosovën

The Geopost October 27, 2026
Avokati serb kërkon përgjegjësi nga mediat që i shërbyen për 14 vjet Vuçiqit: Tjetër është kapitali, tjetër krijimi i opinionit publik 3 min read
  • Ballkan
  • News

Avokati serb kërkon përgjegjësi nga mediat që i shërbyen për 14 vjet Vuçiqit: Tjetër është kapitali, tjetër krijimi i opinionit publik

The Geopost October 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.