Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara një nismë ligjore të dedikuar drejtpërdrejt gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Bëhet fjalë për Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, i cili synon të analizojë mënyrën se si autoritetet e Serbisë i trajtojnë të drejtat e shqiptarëve etnikë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Lajmi është bërë i ditur nga organizata Albanians For America, e cila thekson se ky akt obligon Departamentin Amerikan të Shtetit të realizojë një vlerësim zyrtar mbi diskriminimin institucional dhe sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Raporti që do të përgatitet pritet të shërbejë si bazë për orientimin e politikës së jashtme amerikane dhe për veprime të mundshme diplomatike lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare.
Gjatë procedurës zyrtare në Kongres, anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Luginën e Preshevës – çështje që, sipas tyre, shpesh kanë mbetur jashtë vëmendjes së qëndrueshme ndërkombëtare.
Nisma e kampionuar nga kongresmeni Keith Self parasheh një vlerësim gjithëpërfshirës të formave të diskriminimit me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, përfshirë përjashtimin politik, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe, pengesat në arsim, margjinalizimin ekonomik, si dhe praktikat e frikësimit institucional.
Sipas Albanians For America, organizata ka bashkëpunuar ngushtë me zyra të ndryshme të Kongresit për të sjellë këto shqetësime në nivelin më të lartë të diskutimit politik në SHBA.
Në këtë kontekst, është shprehur mirënjohje për kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme, Brian Mast, si dhe për anëtarin e renditjes, Gregory Meeks, për angazhimin e tyre në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.
Sipas vlerësimeve të organizatorëve, kjo nismë përfaqëson një moment të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe dëshmon se avokimi i vazhdueshëm, i kombinuar me angazhim institucional, mund të shndërrohet në veprim konkret me ndikim ndërkombëtar.

Wojcik: Prania e SHBA-së në Kosovë mbetet kyçe për stabilitetin rajonal
Rrjeti propagandistik i Vuçiqit: Si funksionon ansambli i regjimit në Serbi
Vuçiq e përdor me tendencë çështjen “Sarajevo Safari” për të sulmuar Prishtinën pas thirrjes së Kurtit për gjykatë ndërkombëtare
Mesazhe nacionaliste nga tribunat në Nish, transparenti për “rikthimin e ushtrisë në Kosovë” u shpërnda edhe në Telegram
Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit në Gazë, përfshihen edhe Kosova e Shqipëria (Harta)
“Mos i besoni asaj që shihni”, eksperti i AI: Inteligjenca artificiale po e mjegullon kufirin mes realitetit dhe propagandës