Lista Studentore, grupimi politik që fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ka arritur ta sfidojë pushtetin 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit, por ende nuk ka përcaktuar se kush do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme. Me një listë prej 250 kandidatësh dhe pa një lider të vetëm, kjo lëvizje përfshin ekonomistë, profesorë universitarë, mjekë, sportistë, aktorë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Ndryshe nga partitë tradicionale serbe, ku vendimmarrja politike zakonisht përqendrohet rreth figurave të caktuara, Lista Studentore ka shmangur përcaktimin e një udhëheqësi të vetëm. Kjo qasje ka bërë që, edhe pas fitores zgjedhore, të mbetet e hapur çështja se kush do ta marrë postin e kryeministrit dhe cilat figura do të drejtojnë institucionet kryesore të vendit.
Megjithatë, brenda këtij grupimi janë disa personalitete të njohura, të cilat gjatë fushatës kanë shpalosur qëndrimet e tyre për luftën kundër korrupsionit, reformat institucionale, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Rusinë, si dhe çështjen e Kosovës.
Dejan Shoshkiq, ish-guvernatori që premton luftë kundër korrupsionit
Një prej figurave më të njohura të Listës Studentore është ekonomisti Dejan Shoshkiq, 59 vjeç, i cili ka shërbyer si guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë nga viti 2010 deri më 2012. Ai është ndër të paktët kandidatë të këtij grupimi me përvojë në poste të larta shtetërore.
Pas largimit nga Banka Kombëtare, Shoshkiq ka qenë kritik i korrupsionit në Serbi, duke deklaruar se ai është shumë më i përhapur sesa në vendet fqinje. Ai ka premtuar se një qeveri e Listës Studentore do t’i largojë nga institucionet kuadrot e papërshtatshme dhe do të nisë hetime për pasurinë e zyrtarëve publikë.
Në politikën e jashtme, Shoshkiq mbështet përshpejtimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por ka theksuar se vendimi përfundimtar duhet të merret përmes referendumit. Ai ka kritikuar gjithashtu sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka kërkuar që Brukseli ta rishikojë qasjen ndaj Kremlinit.
Ilija Srdanoviq, kardiologu që nuk e përjashton postin e kryeministrit
Një tjetër emër i rëndësishëm është Ilija Srdanoviq, 56 vjeç, kardiolog dhe profesor në Universitetin e Novi Sadit, i cili në shtator u emërua bartës i Listës Studentore.
Srdanoviq nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bëhet kryeministër, por ka theksuar se lëvizja ka më shumë se një kandidat për secilin post qeveritar. Sipas tij, përparësia kryesore e qeverisë së ardhshme duhet të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sa i përket Kosovës, Srdanoviq ka mbështetur pretendimet territoriale të Serbisë, ndërsa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ka deklaruar se vendimi duhet t’u takojë qytetarëve.
Dejan Bodiroga, ish-ylli i basketbollit dhe një prej emrave më të njohur
Në Listën Studentore bën pjesë edhe Dejan Bodiroga, ish-basketbollisti i njohur serb, i cili aktualisht është president i Euroligës së Basketbollit, me seli në Spanjë.
Bodiroga, 53 vjeç, është cilësuar nga mediat serbe si një prej emrave më të njohur të listës, ndonëse qëndrimet e tij për shumë çështje politike mbeten të paqarta.
Ai ka qenë kritik ndaj mënyrës se si qeveria e Vuçiqit i ka trajtuar protestuesit studentë, veçanërisht ndaj përpjekjeve për t’i paraqitur ata si terroristë.
Gjatë protestave, Bodiroga u ka bërë thirrje qytetarëve të luftojnë për liri, dinjitet dhe ndërtimin e një shoqërie të bazuar në respekt të ndërsjellë, drejtësi dhe solidaritet, pa urrejtje dhe përçarje.
Estela Radonjiq Zhivkov, kundërshtarja e projektit të hotelit Trump në Beograd
Një tjetër figurë e Listës Studentore është Estela Radonjiq Zhivkov, eksperte e trashëgimisë kulturore, e cila u bë e njohur gjatë polemikave për ndërtimin e një hoteli me markën Trump në vendin ku ndodhet ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, e dëmtuar gjatë bombardimeve të NATO-s.
Në cilësinë e zëvendësdrejtoreshës së Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, ajo e akuzoi qeverinë se kishte shkelur legjislacionin për trashëgiminë kulturore për t’i hapur rrugë projektit. Më pas, Zhivkov u shkarkua nga posti.
Ajo ka deklaruar se përparësia e saj në një qeveri të Listës Studentore do të jetë rikthimi i pavarësisë dhe integritetit profesional të institucioneve që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Sipas saj, ekspertët duhet të kenë mundësi të marrin vendime vetëm mbi bazën e ligjit dhe standardeve profesionale, pa ndërhyrje politike apo ekonomike.
Zoran Gjajiq, inxhinieri që denoncoi punimet në stacionin e Novi Sadit
Inxhinieri Zoran Gjajiq, 71 vjeç, është një tjetër figurë e përfshirë në Listën Studentore. Ai ishte ndër të parët që e lidhi publikisht korrupsionin me shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, tragjedi që nxiti protestat masive kundër pushtetit.
Gjajiq kishte punuar si konsulent për punimet me gur në këtë objekt deri në vitin 2023. Gjatë angazhimit të tij, ai kishte fotografuar dhe raportuar probleme që, sipas vlerësimit të tij, lidheshin me cilësinë e dobët të punimeve dhe rreziqet e mundshme.
Ai ka qenë ndër kritikët më të ashpër të Vuçiqit. Në prill të vitit 2025, Gjajiq u arrestua pas një deklarate në të cilën u bëri thirrje qytetarëve të votonin për dënimin me vdekje të presidentit të atëhershëm.
Pas fitores së Listës Studentore, ai deklaroi se Vuçiq duhet të përballet me akuza për tradhti të lartë, duke shkruar se po vjen koha e së vërtetës dhe drejtësisë.
Tihomir Staniq, aktori që kërkon çlirimin e kulturës nga ndikimi politik
Në mesin e kandidatëve është edhe Tihomir Staniq, aktor 65-vjeçar, i lindur në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës së sotme, i cili ka marrë pjesë në më shumë se 130 prodhime filmike dhe televizive.
Në tetor të vitit 2025, Staniq dha dorëheqje nga Akademia e Arteve në Beograd, së bashku me disa kolegë, duke përmendur shkelje të integritetit akademik dhe kërcënime ndaj studentëve.
Ai ka kërkuar largimin e ndikimit politik nga institucionet kulturore të Serbisë, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, pushteti i Vuçiqit kishte ndërhyrë në emërimin e drejtuesve të teatrove dhe në vendimmarrjen për punësimet në sektorin kulturor.
Staniq ka deklaruar se qeveria e mëparshme kishte marrë përsipër të vendoste se kush do t’i drejtonte institucionet kulturore, kush do të punonte dhe kujt do t’i ofroheshin mundësi profesionale.
Kush do ta udhëheqë Serbinë pas Vuçiqit?
Pavarësisht pranisë së këtyre figurave, Lista Studentore ende nuk ka përcaktuar publikisht emrin e kryeministrit të ardhshëm. Dejan Shoshkiq dhe Ilija Srdanoviq janë ndër personalitetet që kanë tërhequr vëmendje në diskutimet për drejtimin e qeverisë, por asnjëri nuk është konfirmuar si kandidat përfundimtar.
Ndërsa lufta kundër korrupsionit, reformimi i institucioneve dhe kufizimi i ndikimit partiak përbëjnë disa prej pikave të përbashkëta të kandidatëve, qëndrimet e tyre për politikën e jashtme tregojnë se ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të menjëhershëm të orientimit të Serbisë.
Kjo vërehet veçanërisht në raport me Kosovën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian, ku disa prej përfaqësuesve të Listës Studentore kanë shprehur qëndrime që ruajnë elemente të politikës së ndjekur gjatë qeverisjes së Vuçiqit.

Avokati serb kërkon përgjegjësi nga mediat që i shërbyen për 14 vjet Vuçiqit: Tjetër është kapitali, tjetër krijimi i opinionit publik
Mediat gjermane dhe zvicerane: Fitore historike e studentëve, por qëndrimi ndaj Kosovës dhe Rusisë mbetet shqetësim
Filipoviq paralajmëron për orientimin e Listës Studentore në Serbi
Kandidati i Listës Studentore për kryeministër: Kosova është pjesë e Serbisë, nuk do të biem dakord me kroatët për vitet ’90
Përfaqësuesi i Listës Studentore në Serbi mohon gjenocidin në Srebrenicë, reagime pas deklaratave të tij
Sllovenia vendos kusht për përparimin e Serbisë drejt BE-së: Kërkon arkivat e shërbimeve sekrete