Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Jovo Bakiq paralajmëron hetime ndaj Vuçiqit dhe zyrtarëve të regjimit: Do të përfundojnë në burg

The Geopost November 4, 2026 4 min read
Share the news

Profesori i sociologjisë dhe deputeti i Listës Studentore, Jovo Bakiq, i cili përflitet si kandidat për ministër të ardhshëm të Brendshëm të Serbisë, ka paralajmëruar një reformë të thellë në polici, shërbimet e sigurisë dhe drejtësi, duke thënë se synimi është shkëputja e lidhjeve të aparatit shtetëror me krimin e organizuar.

Në një intervistë për gazetën zvicerane “Südostschweiz”, Bakiq ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet të përballet me zyrtarët që, sipas tij, kanë bashkëpunuar me strukturat kriminale dhe kanë marrë pjesë në dhunën ndaj studentëve gjatë protestave në Serbi.

Duke folur për sfidat kryesore të vendit, ai e ka krahasuar gjendjen aktuale në Serbi me disa shtete të Amerikës Latine, ku, sipas tij, ndikim të madh kanë kartelet e drogës.

“Serbia sot u ngjan shteteve të Amerikës Latine ku fjalën e kanë kartelet e drogës. Sfida jonë më e madhe është të shkëpusim çdo lidhje të aparatit shtetëror me krimin e organizuar. Ky është parakushti, sepse, përndryshe, të gjitha reformat e tjera nuk do të kenë asnjë efekt”, ka deklaruar Bakiq.

Ai ka thënë se një nga hapat e parë do të ishte zëvendësimi i udhëheqjes së policisë dhe shërbimeve të sigurisë, ndërsa ndaj zyrtarëve që dyshohen për vepra penale ose për përfshirje në rrahjen e studentëve do të nisnin procedura disiplinore dhe penale.

Bakiq ka përmendur edhe mundësinë e rikthimit në shërbim të ish-punonjësve të policisë që tashmë janë në pension, të cilët i ka cilësuar si kuadro me integritet profesional, me detyrë të trajnojnë gjeneratat e reja dhe të ndihmojnë në rikthimin e besimit të qytetarëve në polici.

Sa i përket drejtësisë, ai ka propozuar që zyrtarët, pasuria e të cilëve nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara, të detyrohen të dëshmojnë prejardhjen e saj.

“Do t’i detyrojmë zyrtarët, pasuria e të cilëve është dukshëm në shpërpjesëtim me të ardhurat e tyre, të bëjnë të ditur prejardhjen e saj. Kush është i zoti të pasurohet në këtë mënyrë, më mirë ta bëjë në sektorin privat sesa në shërbimin civil”, ka thënë ai.

Reformë të ngjashme Bakiq ka paralajmëruar edhe për shërbimet sekrete, duke thënë se mund të jetë i nevojshëm miratimi i një ligji të posaçëm, përmes të cilit të gjithë punonjësit do të duhej të jepnin llogari për veprimtarinë dhe pasurinë e tyre.

Në intervistë, ai ka folur edhe për mesazhet e deshifruara që, sipas tij, kanë zbuluar lidhje të mundshme mes zyrtarëve të pushtetit aktual dhe karteleve të drogës. Bakiq ka përmendur nofkën “Oskar”, që sipas tij të kujton presidentin Aleksandar Vuçiq, dhe ka kërkuar që prokuroria të nisë hetime.

“Më duket se ka baza të mjaftueshme që prokuroria, e cila deri tani nuk ka vepruar, të nisë hetime që, sipas gjasave, do ta çonin Oskarin dhe miqtë e tij para gjykatës e më pas në burg”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse do ta pranonte postin e ministrit të Brendshëm, Bakiq ka thënë se ende nuk e di nëse do të jetë deputet apo pjesë e qeverisë së ardhshme. Megjithatë, ai ka theksuar se, nëse merr këtë detyrë, do të angazhohej që çdo zyrtar i regjimit të vjetër, ndaj të cilit ekzistojnë dyshime për vepra penale, të përballet me drejtësinë.

Duke folur për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Bakiq ka thënë se qeveria e re nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke iu referuar qëndrimit kushtetues të Serbisë. Megjithatë, ai ka deklaruar se do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Prishtinën dhe se dialogu është e vetmja rrugë përpara.

“Ne nuk mundemi dhe nuk do ta njohim Kosovën. Sipas Kushtetutës, ajo është pjesë përbërëse e vendit tonë. Por do të përpiqemi t’i përmirësojmë sa më shumë marrëdhëniet me Prishtinën. Koha e luftërave ka marrë fund prej kohësh. Dialogu është e vetmja rrugë. Por për këtë duhen gjithmonë dy palë”, ka thënë Bakiq.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu përmirësim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe shtetet fqinje, duke kritikuar qeverisjen e Vuçiqit për retorikën nacionaliste dhe largimin e Serbisë nga perspektiva evropiane.

Sa i përket Listës Studentore, pjesë e së cilës është zgjedhur deputet, Bakiq ka pranuar se ajo përfshin qëndrime të ndryshme politike, nga e majta në të djathtë, dhe se dallimet mes përfaqësuesve të saj mund ta vështirësojnë qëndrimin e përbashkët për më shumë se një mandat.

Ai ka thënë se, pavarësisht dallimeve, anëtarët e Listës Studentore bashkohen nga synimi për ta nxjerrë Serbinë nga ajo që e ka cilësuar si gjendje të pakontrolluar dhe për ta rikthyer në një sistem ku respektohen Kushtetuta dhe ligjet.

The GeoPost

Tags: Jovo Bakiq Kosova Serbia

Continue Reading

Previous: Skandal në shërbimin sekret serb: Ish-zyrtarët padisin BIA-n për përgjim të studentëve dhe aktivistëve
Next: Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd

Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd 3 min read
  • Ballkan

Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd

The Geopost November 4, 2026
Skandal në shërbimin sekret serb: Ish-zyrtarët padisin BIA-n për përgjim të studentëve dhe aktivistëve 3 min read
  • Ballkan

Skandal në shërbimin sekret serb: Ish-zyrtarët padisin BIA-n për përgjim të studentëve dhe aktivistëve

The Geopost November 4, 2026
Stradner kërkon publikimin e emrave të zyrtarëve serbë që bashkëpunuan me FSB-në ruse 2 min read
  • Ballkan

Stradner kërkon publikimin e emrave të zyrtarëve serbë që bashkëpunuan me FSB-në ruse

The Geopost November 4, 2026
Deputeti i Listës Studentore në Serbi thotë se s’do të ketë ndryshim qëndrimesh ndaj Kosovës 2 min read
  • Ballkan

Deputeti i Listës Studentore në Serbi thotë se s’do të ketë ndryshim qëndrimesh ndaj Kosovës

The Geopost November 3, 2026
Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë? 9 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë?

The Geopost November 3, 2026
Vuçiq dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambiciet 5 min read
  • Ballkan

Vuçiq dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambiciet

The Geopost November 3, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.