Bashkëpunimi strategjik ndërmjet Rusisë dhe Iranit po shtrihet përtej armëve dhe mbështetjes politike. Universitetet dhe institutet kërkimore ruse janë bërë një kanal i rëndësishëm për transferimin e njohurive teknologjike drejt Iranit.
Dronët, inteligjenca artificiale, navigimi satelitor, teknologjia raketore dhe kërkimet bërthamore janë ndër fushat ku shkencëtarët iranianë kanë marrë njohuri në Rusi.
Një hulumtim i Sistema-s, njësia hulumtuese e Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë, tregon se ky bashkëpunim ka përfshirë teknologji me rëndësi të drejtpërdrejtë për industrinë iraniane të mbrojtjes.
Një prej rasteve është Ali Mohamed Amui, i cili përfundoi studimet në Institutin e Aviacionit të Moskës, MAI, në vitin 2000.
Amui është ekspert i motorëve me turbina me gaz, teknologji që përdoret në aviacion, por edhe në raketa lundruese dhe dronë.
Pas kthimit në Iran, ai avancoi në industrinë e aviacionit dhe arriti në pozitë të lartë në kompaninë Farsco, pronarë të së cilës janë Mahan Air.
Mahan Air është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet me Gardën Revolucionare Islamike. Uashingtoni sanksionoi edhe Farsco-n në vitin 2020.
Amui vazhdoi bashkëpunimin me shkencëtarët rusë. Në vitin 2021 ishte bashkautor i një studimi ku mori pjesë edhe Aleksei Bojcov, drejtues departamenti në MAI dhe këshilltar i kompanive shtetërore ruse Rosteh dhe Roskosmos.
Një tjetër shembull është Mohamed Hoseinpur Kanmiri, i cili studioi në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut.
Me studiuesin rus Roman Bogdanov, ai zhvilloi një metodë për matjen e izotopeve të uraniumit dhe toriumit. Pas kthimit në Iran, metodën e aplikoi në mineralin nga Sagandi, vendburimi kryesor iranian i uraniumit.
Sipas të dhënave të cituara nga Sistema, Kanmiri punon në Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit ose në një institut të lidhur me kërkimet bërthamore.
Rusia dhe Irani bashkëpunojnë në këtë sektor që nga vitet ’90. Moska ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në ndërtimin e centralit bërthamor të Bushehr-it.
Dokumentet e analizuara nga Sistema tregojnë se bashkëpunimi përfshin edhe luftën elektronike, inteligjencën artificiale dhe manipulimin e sistemeve të navigimit satelitor.
Një prej këtyre teknologjive është GPS spoofing, përmes së cilës krijohen sinjale të rreme navigimi që mund të çorientojnë avionë, anije, raketa ose dronë.
Profesori iranian Mohamed Reza Mosavi ka bashkëpunuar me studiues rusë në këtë fushë. Në vitin 2016 ai publikoi një punim me shkencëtarin rus Stepan Shafran, i përfshirë në një projekt për teknologjinë e radionavigimit dhe komunikimit.
Partner në projekt ishte edhe një kompani e përfshirë në prodhimin e dronit rus Orlan-10, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për mbështetje të inteligjencës ushtarake ruse, GRU.
Në Rusi studioi edhe Amir Tabatabai, i cili u fokusua në sistemin satelitor rus GLONASS. Kjo teknologji mund të përdoret edhe për rritjen e saktësisë së sistemeve raketore.
Studentë iranianë janë trajnuar edhe në Universitetin Teknik Shtetëror të Moskës “Bauman”, një prej qendrave ruse që zhvillon aplikime të inteligjencës artificiale për dronët.
Studiuesit e këtij universiteti punojnë në navigimin autonom, vizionin kompjuterik dhe identifikimin e objektivave.
Bashkëpunimi ruso-iranian u intensifikua në vitet ’90, veçanërisht në teknologjinë bërthamore dhe raketore. Në vitin 2015, dy vendet nënshkruan marrëveshje të re për bashkëpunim ushtarak.
Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 e thelloi më tej partneritetin.
Irani furnizoi Rusinë me dronë të përdorur gjerësisht në Ukrainë. Moska më pas nisi prodhimin e versioneve vendore të bazuara në teknologjinë iraniane.
Ekspertët vlerësojnë se transferimi i njohurive funksionon në të dy drejtimet. Rusia mund t’i ofrojë Iranit edhe përvojën e fituar nga përdorimi masiv i dronëve në kushte reale lufte.
Paralelisht është rritur numri i studentëve iranianë në Rusi. Deri në vitin 2025, rreth 10 mijë iranianë studionin në universitetet ruse, 42 për qind më shumë se dy vjet më parë.
Disa institucione ruse ku janë trajnuar shkencëtarët iranianë janë sanksionuar nga Perëndimi për lidhjet me kompleksin ushtarako-industrial rus.
Instituti i Aviacionit të Moskës dhe Universiteti Bauman janë ndër institucionet e përfshira në sanksione.
Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet Rusi-Iran në Sciences Po, thotë se përpjekjet iraniane për të siguruar njohuri jashtë vendit duhet parë në këtë kontekst.
“Ky është një qëllim afatgjatë i iranianëve – të kenë qasje në informacione të tilla ose në çfarëdo lloj informacioni në fushën bërthamore, por edhe në fusha të tjera të ndjeshme si inteligjenca artificiale, gjithçka që lidhet me aviacionin”, tha Grajewski për Radion Evropa e Lirë.
Kështu, universitetet ruse nuk janë vetëm destinacion arsimor për mijëra iranianë. Ato janë pjesë e një shkëmbimi më të gjerë teknologjik ndërmjet Moskës dhe Teheranit.
Njohuritë e fituara në Rusi mund të përdoren në Iran në fusha që shtrihen nga aviacioni dhe energjia bërthamore deri te dronët, raketat, lufta elektronike dhe inteligjenca artificiale.
Në kohën kur të dyja vendet përballen me sanksione perëndimore, ky bashkëpunim tregon se partneriteti i tyre po ndërtohet jo vetëm përmes armëve dhe politikës, por edhe përmes universiteteve, laboratorëve dhe transferimit të ekspertizës teknologjike./TheGeopost

Daçiqi zbulon frikën e Beogradit: Si t’i vendosim sanksione Rusisë kur na ndihmojnë ta mbajmë Kosovën të bllokuar në UN?!
Zaharova ringjall propagandën ruse me Mlladiqin dhe Kosovën: Serbia viktimë, Perëndimi “armik”
Dy fytyrat e Serbisë
Beogradi i dha lamtumirën Mlladiqit me nderime ushtarake: Mijëra njerëz në varrimin e kriminelit të dënuar të luftës
Varrimi i Ratko Mlladiqit si test evropian për Serbinë: Mes përballjes me të kaluarën dhe rehabilitimit të politikës së luftës
Sputnik Serbia, fushatë kundër ambasadorit të ri të BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel