Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza

Nga nacional-populizmi i Vuçiqit te integralizmi i Lomparit: A rrezikon lëvizja studentore të humbasë karakterin e saj qytetar?

The Geopost August 7, 2026 11 min read
Share the news

​Ndërsa Serbia prej muajsh ndodhet në një krizë të thellë politike, dhe lëvizja studentore përfaqëson sfidën më serioze për regjimin e Aleksandar Vuçiqit në dekadën e fundit, nën sipërfaqe po zhvillohet një betejë shumë më e rëndësishme se ajo për ndërrimin e pushtetit. Po zhvillohet një betejë për shpirtin ideologjik të opozitës dhe alternativës që i ofrohet kleptokracisë së Vuçiqit.

Shkruan: Dragan Shormaz

​Në kulmin e rigrupimit fiktiv parazgjedhor në skenën opozitare të Serbisë, vëmendjen e opinionit publik këto ditë e ka tërhequr një intervistë që Milo Lompar i dha së fundmi agjencisë Beta, ku ajo që u tha përfaqëson një problem shumë më të madh sesa vetë përballja me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit. Qëndrimet e shprehura nga njeriu që pretendon të jetë lider i “lëvizjes studentore” përfaqësojnë një lloj manifesti politik të forcave konservatore-nacionaliste, të cilat te protestat e studentëve shohin një mundësi për të marrë udhëheqjen ideologjike të lëvizjes më të rëndësishme shoqërore opozitare në Serbi.

​Kritika e Lomparit ndaj regjimit nuk niset kryesisht nga parimet liberale-demokratike, por nga një matricë krejtësisht tjetër ideologjike, e cila mbështetet tek ata që e fajësonin Sllobodan Millosheviçin jo për luftërat që nxiti dhe zhvilloi, por sepse i humbi ato. Është ajo matricë që, në mungesë të aftësisë për të dalë nga pezullia nacionaliste, shpërfill faktin se Millosheviçi nuk i humbi ato luftëra sepse ishte më i dobët se kundërshtarët e tij, por sepse për shkak të politikës së gabuar e la Serbinë pa asnjë aleat të vetëm. Pra, ishte pikërisht natyra e politikës së tij shkaku i humbjes së tij, e jo pavendosmëria apo gatishmëria e pamjaftueshme për t’u sakrifikuar për arritjen e synimeve etnike, të cilat, në të njëjtën matricë ideologjike, shpesh barazohen gabimisht me synimet kombëtare e shtetërore të Serbisë.

​Edhe sot, në gjurmët e po atyre konceptimeve, në botën politike të Lomparit problemi nuk është se Serbia nuk është mjaft evropiane, por se, sipas mendimit të tij, është tepër e hapur ndaj Perëndimit. Në vend të kërkesave për integrime më të fuqishme evropiane, reforma institucionale dhe modernizim të shtetit, Lompar ofron konceptin e integralizmit kombëtar, ekuilibrit gjeopolitik me Rusinë (vazhdimësi e politikës së bredhjes strategjike të Vuçiqit) dhe një interpretim radikalisht euroskeptik të politikës bashkëkohore serbe.

​Pikërisht për këtë arsye, intervista e tij meriton një analizë të kujdesshme, por edhe çmitizimin e mitit për nacionalizmin paqësor, ashtu siç e paraqet Lompar projektin e tij politik përmes marketingut, me mbështetjen jo të vogël të të ashtuquajturave media të pavarura në Serbi dhe me një qëndrim simptomatikisht të favorshëm që edhe tabloidët më ekstremë të regjimit tregojnë ndaj ideve të tij.

​Në intervistë, Lompar nxjerr pretendime se pushteti aktual është i gatshëm t’u “bëjë faktorëve të huaj gjithçka që kërkojnë” me qëllim që të mbetet në pushtet, ndërsa vendet perëndimore i përshkruan si blerës të të drejtave kombëtare serbe dhe burimeve natyrore. Një ndërtim i tillë nuk është i ri dhe përfaqëson një nga modelat bazë të narrativës bashkëkohore antiperëndimore, në të cilën Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë partnerë apo aktorë ndërkombëtarë me interesa të tyre dhe rregulla të parashikueshme sjelljeje, por pothuajse gjeneruesi ekskluziv i të gjitha problemeve të brendshme të Serbisë. Megjithatë, Lompar hesht për faktin se shfrytëzuesit më të mëdhenj të huaj të burimeve natyrore të Serbisë janë Rusia (fushat e naftës) dhe Kina (bakri, ari, druri…)! Nuk i shkon fare ndërmend të shtrojë pyetjen për këtë angazhim lindor në vend dhe se në interes të kujt shërben ky ‘gërmim’?!

Në këtë mënyrë, përgjegjësia për rrënimin e demokracisë në Serbi zhvendoset në masë të madhe nga regjimi i Vuçiqit te faktorët e jashtëm, ekskluzivisht perëndimorë. Në këtë çelës të interpretimit të realitetit politik, autokracia nuk është më pasojë e institucioneve të kapura, punësimeve partiake, korrupsionit apo kontrollit mediatik, por ekskluzivisht produkt i politikës perëndimore ndaj Serbisë. Një ndërrim i tillë tezash përfaqëson një nga veçoritë karakteristike të diskursit bashkëkohor nacionalist, i cili e kthen me ngulm Serbinë në shekullin e 19-të, duke këmbëngulur në një agjendë tërësisht anakronike për momentin bashkëkohor.
​Edhe më tregues është vështrimi i tij për politikën e jashtme të Serbisë. Afrimin me NATO-n, integrimet evropiane, bashkëpunimin me Ukrainën që është viktimë e një agresioni brutal rus apo përafrimin eventual të politikës së jashtme me Bashkimin Evropian, Lompar i paraqet pothuajse ekskluzivisht si dëshmi të humbjes së sovranitetit. Përkundrazi, pakësimi i ndikimit rus, i cili thelbësisht kërcënon pavarësinë e Serbisë, përshkruhet si një zhvillim negativ ngjarjesh, me ç’rast prania ruse paraqitet në mënyrë implicite si një kundërpeshë e dëshiruar gjeopolitike ndaj presioneve që vijnë nga Perëndimi.

Një interpretim i tillë shpërfill faktin se çdo shtet modern sovran i përcakton vetë prioritetet e tij të politikës së jashtme duke ndjekur interesat e veta vitale kombëtare. Në interpretimin e Lomparit, Serbia e çliruar nga ndikimi rus pothuajse nuk ka autonomi politike; ajo është ose nën ndikimin amerikan ose nën atë gjerman, ndërsa faktori rus paraqitet si element i ekuilibrit dhe pavarësisë së humbur.
​Veçanërisht me rëndësi është mesazhi i tij drejtuar lëvizjes studentore se lista duhet të vendosë “një ekuilibër midis njerëzve me orientim kombëtar dhe atyre me orientim qytetar”. Pas gjuhës në dukje pajtuese që bën thirrje për unitet më të gjerë dhe bashkim kombëtar të forcave demokratike, fshihet një mesazh politik shumë më serioz. Vlerat qytetare paraqiten si të pamjaftueshme dhe sipas definicionit jopatriotike nëse nuk plotësohen me një kornizë radikale nacionaliste. Me fjalë të tjera, legjitimiteti politik arrihet vetëm kur kërkesat liberale dhe demokratike t’i nënshtrohen programit kombëtar ashtu siç e kanë definuar trashëgimtarët e ideologjisë së Sheshelit për “Serbinë e Madhe”.

​As vizioni i tij për rajonin dhe rolin e Serbisë në të nuk shmanget nga ky model. Koncepti i integralizmit serb, të cilin ai e mbron, në shtetet e rajonit dhe mes shumë analistëve vendas përjetohet si një me versionin bashkëkohor të idesë që në vitet e nëntëdhjeta njihej me emra të tjerë. U nis nga Serbia e Madhe e Sheshelit, për të kaluar përmes “botës serbe” të Vulinit e për të arritur te integralizmi serb i Lomparit. Edhe pse terminologjia ka ndryshuar, logjika e saj ka mbetur identike. Hapësira kombëtare imagjinohet më e gjerë se kufijtë ekzistues shtetërorë, ndërsa shtetet fqinje shpesh shihen përmes prizmës së çështjes kombëtare të pazgjidhur. “Kombëtarja” barazohet me etniken, edhe pse bëhet fjalë për dy koncepte krejtësisht të ndryshme. Interesat kombëtare të shtetit të Serbisë nuk duhet domosdoshmërisht të përputhen me interesat etnike të serbëve nga shtetet fqinje. Dhe ndërsa shtetet moderne i japin përparësi interesave kombëtare shtetërore, si Vuçiq ashtu edhe Lompar janë njëlloj të gatshëm t’i sakrifikojnë ato për hir të realizimit të interesave abstrakte të etnisë serbe.
​Në intervistë, Lompar vazhdon në mënyrë konsistente fjalimin e tij nga tubimi i Vidovdanit në Sllavija. Ai, mes tjerash, në fjalën e tij foli për lirinë që „shkon në dy degë – liria e popullit serb jashtë Serbisë dhe liria e shtetit tonë në marrëdhënie me të tjerët“. Duke folur për lirinë e popullit serb jashtë Serbisë, ai përmendi mbrojtjen e sovranitetit të Republikës Serbe, popullit serb në Malin e Zi, të drejtat kombëtare serbe në Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut.

E vetmja gjë për të cilën nuk foli fare janë të drejtat e popujve që nuk janë serbë në territorin e Serbisë, si dhe për modelin e marrëdhënieve të shtetit të Serbisë me fqinjët e saj.

Problemi, megjithatë, është se me ndikime të këtilla toksike ndryshon vetë natyra e lëvizjes studentore. Në vend të kërkesave universale për shtetin e së drejtës, institucione të lira dhe luftë kundër korrupsionit, në plan të parë dalin çështjet e identitetit, rreshtimit gjeopolitik dhe homogjenizimit kombëtar, që është vazhdimësi e politikës së Sllobodan Millosheviçit nga koha e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
​Një qasje e tillë e Lomparit nuk është e rastësishme. Ajo përfaqëson një vazhdimësi logjike të veprimtarisë së tij të gjatë publike politike që rrodhi nga Partia Liberale Serbe e Nikolla Millosheviçit, me propozimin e të cilit dikur u emërua drejtor i gazetës së Beogradit “Politika”.

​Libri i tij “Frymë mohimi” (Duh samoporicanja) është bërë Biblia e zezë ideologjike e politikës radikale bashkëkohore serbe. Ndërsa mbështetësit e saj e shohin atë si mbrojtje të identitetit kombëtar, ata më pak të dehur nga helmi nacionalist konsiderojnë se pikërisht ai libër ofroi kornizën intelektuale për relativizimin e përgjegjësisë së elitave politike serbe për luftërat e viteve të nëntëdhjeta dhe hedhjen poshtë të procesit të ballafaqimit me të kaluarën.
​Gjatë viteve, Lompar ka nxitur polemika edhe për shkak të deklaratave për Milan Nediçin, për bashkëpunimin e të cilit me regjimin okupues nazist gjithmonë ka treguar një mirëkuptim të jashtëzakonshëm duke e arsyetuar me interesa më të larta kombëtare. Një qëndrim të tillë logjikisht ka vazhduar ta mbrojë edhe në promovimin e veprës letrare, por edhe të figurës e veprës politike të kriminelit të dënuar të luftës Radovan Karaxhiç, përgjegjësinë e të cilit po ashtu e relativizon dhe e interpreton nga pozita revizioniste, duke kontestuar faktet eksakte që u vërtetuan nga Tribunali i Hagës gjatë gjykimit.

Një veprimtari e tillë politike, pjesëmarrja në t’u themeluarit e lëvizjes kleriko-nacionaliste “Dveri”, kontestimi aktiv i pavarësisë së Malit të Zi, si dhe promovimi i qëndrimeve që përfaqësojnë një përpjekje të mbështjellë për rehabilitimin e ideologjisë së “Serbisë së Madhe”, e rendisin Lomparin midis atyre që mbajnë vazhdimësinë e politikave nacionaliste që shënuan fundin e shekullit të njëzetë.
​Një vend të veçantë në këtë ideologji zë koncepti i integralizmit serb. Edhe pse mbrojtësit e tij e paraqesin atë si lidhje kulturore dhe identiteti të serbëve në rajon, është më se e qartë se pas një formulimi të tillë fshihet riinterpretimi i ish-projektit të “Serbisë së Madhe”, i përshtatur me rrethanat dhe retorikën politike bashkëkohore.

As qëndrimi ndaj Bashkimit Evropian nuk lë shumë hapësirë për dilemë, duke qenë se Lompar prej vitesh pretendon se BE-ja e sotme ka “braktisur vlerat e veta” dhe është shndërruar në një instrument të presionit politik dhe ekonomik mbi Serbinë. Integrimet evropiane i sheh kryesisht përmes prizmës së kushtëzimit të pretenduar të Serbisë me çështjen e Kosovës, ndërsa institucionet evropiane i përshkruan si bartëse të një marrëdhënieje koloniale ndaj Ballkanit. Lompar në tekst tregon edhe një padije të madhe politike. Namërisht, ai paralajmëron, mes tjerash, se mbetja e Vuçiqit në pushtet do të thoshte afri ‘më tej’ e Serbisë me Bashkimin Evropian, ndërkohë që trendi është tërësisht i kundërt, Vuçiqi thuajse i ka ndaluar plotësisht integrimet. Ai njofton afrimin me NATO-n, gjë që nuk është e vërtetë e as që do të jetë ndonjëherë me Vuçiqin sepse nuk ka mend! Lompar dhe Vuçiq janë të verbër në sy dhe nuk shohin se i gjithë rajoni është tashmë pjesë e NATO-s, dhe se NATO-ja ndodhet fizikisht edhe në Bosnjë edhe në Kosovë, e se prandaj është e nevojshme të kihen marrëdhëniet më të mira të mundshme me aleancën derisa të vetëdijësohemi dhe të pranojmë se anëtarësimi në NATO është i nevojshëm dhe i një rëndësie më të madhe për Serbinë.

Më pas paralajmëron rritjen e shitjes së armëve Ukrainës (gjë që është marrëzi sepse është shitur municion dhe atë në sasi të papërfillshme, për fat të keq), si dhe marrëzinë më të madhe se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të varej nga presioni i SHBA-së. Amerika nuk ndërhyn në politikën e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe nuk ushtron, e as nuk ka ushtruar ndonjëherë presion mbi ndonjë shtet për t’u harmonizuar me ato sanksione. Është obligim i Serbisë të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së dhe kjo me SHBA-në nuk ka aspak lidhje.

Një filozofi e tillë politike përfaqëson një alternativë thelbësore ndaj modernizimit evropian të Serbisë, e cila ofron një vizion të vetëizolimit enveriste, një pamje më të mbyllur ndaj shoqërisë, një identitet më të fortë etnonacional dhe largim gjeopolitik nga Bashkimi Evropian. Kjo, megjithatë, hap një pyetje shumë më të rëndësishme se vetë kritika ndaj Vuçiqit dhe regjimit të tij kleptokratik. Nëse lëvizja studentore, e lindur mbi kërkesat për institucione përgjegjëse, luftë kundër korrupsionit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës, pranon kornizën ideologjike që ofron Milo Lompar, ajo mund të humbasë pikërisht atë që e bëri forcën më të madhe opozitare në vend: karakterin e saj të gjerë qytetar.
​Serbisë nuk i nevojitet një zgjedhje midis dy formave të ndryshme të nacional-populizmit që avokojnë radikalët e zhgënjyer dhe ata lojalistë. Demokracia nënkupton ekzistencën e një alternative autentike qytetare dhe proevropiane, e cila në të njëjtën kohë do të jetë e aftë t’i kundërvihet regjimit autoritar dhe të hedhë poshtë modelet ideologjike që e shtyjnë përsëri Serbinë në logjikën e konflikteve gjeopolitike, revizionizmit historik dhe mobilizimit të përhershëm kombëtar.

Serbisë sot nuk i nevojitet edhe një kopje e lëvizjes populiste përparimtare, por një opozitë që do të jetë me kompromis zero ndaj korrupsionit, autoritarizmit dhe institucioneve të kapura, por edhe e përcaktuar qartë për të ardhmen evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe modernizimin e shtetit.

​Nëse alternativa politike reduktohet në një zgjedhje midis një pushteti që vazhdimisht instrumentalizon nacionalizmin dhe një opozite që dëshiron ta radikalizojë atë më tej, humbësi më i madh nuk do të jetë asnjë opsion politik, por e ardhmja evropiane dhe e përgjithshme e Serbisë si dhe mundësia për të ndërtuar përfundimisht një shoqëri demokratike të bazuar në institucione, përgjegjësi dhe sundim të ligjit.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Dragan Shormaz

Continue Reading

Previous: Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit

Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit 8 min read
  • Analiza
  • Lajme

Senatori amerikan thekson përparimin në Senat ndërsa projektligji për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit i afrohet votimit

The Geopost August 6, 2026
Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina

The Geopost August 6, 2026
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj 4 min read
  • Analiza
  • Lajme

Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj

The Geopost August 6, 2026
Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s 3 min read
  • Analiza
  • Botë
  • Lajme

Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s

The Geopost August 6, 2026
Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit

The Geopost August 5, 2026
Sondazhi i IRI: 46% e qytetarëve në Serbi do ta mbështesnin listën e studentëve 2 min read
  • Analiza

Sondazhi i IRI: 46% e qytetarëve në Serbi do ta mbështesnin listën e studentëve

The Geopost August 5, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.