Përbërja e re e Parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinës mund të ketë një shumicë matematikore për miratimin e ligjeve që e çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por mekanizmat kushtetues të vendimmarrjes vazhdojnë të përbëjnë pengesë për këto procese.
Nga 42 deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të BiH-së, 28 zgjidhen nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa 14 nga Republika Srpska. Në përbërjen e re ekziston një numër i mjaftueshëm deputetësh që potencialisht mund të mbështesin agjendën evropiane. Megjithatë, në sistemin politik të vendit nuk mjafton vetëm shumica e votave, pasi Kushtetuta përcakton edhe pragje të veçanta të mbështetjes nga të dy entitetet.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces pritet të ketë Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) e Milorad Dodikut, e cila ka fituar gjashtë mandate. Dodiku kundërshton hapur anëtarësimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO dhe kohët e fundit ka vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje edhe rrugën evropiane të vendit.
Sipas rregullave të votimit, një vendim në Dhomën e Përfaqësuesve miratohet nëse merr mbështetjen e shumicës së deputetëve të pranishëm dhe që marrin pjesë në votim. Por Kushtetuta kërkon gjithashtu që në mesin e votave pro të jenë të paktën dhjetë deputetë nga Federata e BiH-së dhe pesë nga Republika Srpska.
Nëse ky kusht nuk plotësohet, aktivizohet një procedurë shtesë që mund të çojë në bllokimin e vendimit. Kështu, edhe një ligj që ka mbështetjen e shumicës së deputetëve mund të mos miratohet, nëse nuk plotësohen kriteret kushtetuese për përfaqësimin e të dy entiteteve.
Për shembull, nëse 25 deputetë votojnë pro dhe 17 kundër një ligji, kundërshtarët mund të kërkojnë aktivizimin e mekanizmit të votimit sipas entitetit, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara me Kushtetutë. Kjo mund ta hapë rrugën për një bllokadë, pavarësisht shumicës së përgjithshme.
Eksperti i së drejtës kushtetuese, Nedim Ademović, vlerëson se ndarjet politike që kanë karakterizuar parlamentin në vitet e fundit mund të vazhdojnë edhe në legjislaturën e re.
Ai thotë se në njërën anë janë forcat që mbështesin shtetin dhe integrimin e tij evropian, ndërsa në anën tjetër partitë që, sipas tij, synojnë shpërbërjen ose etno-nacionalizimin e mëtejshëm të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ademović e vendos SNSD-në në krye të këtij grupimi, ndërsa përmend edhe HDZ-në, për të cilën thotë se do të këmbëngulë në etno-nacionalizimin e mëtejshëm të Federatës dhe të shtetit. Sipas tij, këto politika janë në kundërshtim me standardet dhe vlerat evropiane.
Ndërkaq, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Asim Mujkić, e lidh zhvillimin e situatës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë edhe me ndryshimet e mundshme në Serbinë fqinje.
Ai shpreh pritjen që qeveria e re në Serbi të angazhohet në luftën kundër strukturave të korruptuara, të cilat, sipas tij, kanë shtrirë ndikimin jo vetëm në Serbi, por edhe në Republikën Srpska.
Dhoma e Popujve, një tjetër pengesë për miratimin e ligjeve
Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve siguron shumicën e nevojshme, ligjet duhet të kalojnë edhe në Dhomën e Popujve, ku mekanizmat e vendimmarrjes e bëjnë procesin edhe më të ndërlikuar.
Kjo dhomë përbëhet nga 15 delegatë, pesë përfaqësues për secilin nga tre popujt përbërës: boshnjakët, serbët dhe kroatët. Delegatët zgjidhen nga dhomat përkatëse të popujve në entitete, prandaj përbërja e saj varet jo vetëm nga rezultatet zgjedhore, por edhe nga marrëveshjet dhe raportet politike gjatë procesit të zgjedhjes.
Për zhvillimin e punimeve kërkohet kuorumi prej së paku nëntë delegatëve, me të paktën tre përfaqësues nga secili popull përbërës. Vendimet merren me shumicën e delegatëve të pranishëm dhe që votojnë, por Kushtetuta parashikon edhe mekanizmin për mbrojtjen e interesit jetik kombëtar.
Ky mekanizëm synon të parandalojë miratimin e vendimeve që mund të cenojnë interesat jetike të cilitdo prej tre popujve përbërës. Megjithatë, në praktikën politike të Bosnjës dhe Hercegovinës ai është përdorur shpesh edhe si instrument për bllokimin e vendimeve.
Ademović vlerëson se mekanizmat e votimit në të dyja dhomat u japin grupeve të caktuara mundësinë të pengojnë funksionimin e institucioneve, edhe kur ato nuk përfaqësojnë shumicën e qytetarëve.
Sipas tij, sistemi kushtetues i vendosur me Marrëveshjen e Dejtonit kërkon një shkallë shumë të lartë të konsensusit politik, në mënyrë që institucionet shtetërore të funksionojnë. Ai paralajmëron se këto mekanizma mund të vazhdojnë të përdoren për të penguar miratimin e ligjeve të rëndësishme.
A mund të ndërhyjë Prokuroria për të parandaluar bllokadat?
Një tjetër çështje e ngritur nga Ademović është përdorimi i kuorumit për të penguar punën e Parlamentit të BiH-së. Ai beson se Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të merret me rastet kur deputetët braktisin qëllimisht seancat për të pamundësuar zhvillimin e punimeve dhe marrjen e vendimeve.
Sipas ekspertit, braktisja e organizuar e seancave, kur bëhet me qëllim të bllokimit të institucioneve dhe jo për arsye të justifikuara, mund të përbëjë veprim antikushtetues.
Ademović thotë se imuniteti i deputetëve dhe delegatëve nuk duhet të përdoret si mbrojtje për veprime të tilla dhe shpreh keqardhje që Prokuroria nuk është marrë deri më tani me këtë fenomen.
Megjithatë, ai paralajmëron se edhe ndjekja e mundshme penale e politikanëve që bllokojnë punën e Parlamentit nuk do t’i zgjidhte të gjitha problemet. Partitë dhe delegatët do të vazhdonin të kishin në dispozicion mekanizmat kushtetues të votimit sipas entiteteve dhe mbrojtjes së interesit jetik kombëtar.
Për rrjedhojë, përbërja e re e Parlamentit nuk garanton se Bosnja dhe Hercegovina do të arrijë të miratojë ligjet e nevojshme për integrimin evropian dhe afrimin me NATO-n.
Pavarësisht numrit të deputetëve që mund t’i mbështesin këto procese, vendimmarrja do të vazhdojë të varet nga raportet politike ndërmjet entiteteve dhe nga mekanizmat kushtetues që kanë mundësuar bllokada edhe në të kaluarën.
The GeoPost

Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd
Jovo Bakiq paralajmëron hetime ndaj Vuçiqit dhe zyrtarëve të regjimit: Do të përfundojnë në burg
Skandal në shërbimin sekret serb: Ish-zyrtarët padisin BIA-n për përgjim të studentëve dhe aktivistëve
Stradner kërkon publikimin e emrave të zyrtarëve serbë që bashkëpunuan me FSB-në ruse
Deputeti i Listës Studentore në Serbi thotë se s’do të ketë ndryshim qëndrimesh ndaj Kosovës
Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë?