Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

BE-ja kërkon distancim nga Moska, Vuçiq i premton Putinit më shumë bashkëpunim

The Geopost October 6, 2026 3 min read
Share the news

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme për rrugën evropiane të Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdon të theksojë marrëdhëniet e ngushta të Beogradit me Moskën.

Vuçiq, kreu i listës së Partisë Progresive Serbe “Serbia e Bashkuar”, e ka uruar presidentin rus Vladimir Putin për ditëlindje, duke e falënderuar për mbështetjen që Rusia i ofron Serbisë.

“Vlerësoj fjalët mbështetëse që më drejtuat së fundmi personalisht, por edhe mbështetjen që Federata Ruse i ofron Republikës së Serbisë dhe interesave të saj në organizatat ndërkombëtare”, tha Vuçiq në mesazhin e urimit, të publikuar në Instagram.

Ai tha se është i bindur se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të thellohet.

“Jam i bindur se në të ardhmen do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë, bazuar në respektin e ndërsjellë, mirëkuptimin dhe miqësinë tradicionale të popujve tanë”, thuhet në mesazhin e tij.

Urimi vjen vetëm disa ditë pasi Putin deklaroi se shpreson që Vuçiq të bëhet kryeministri i ardhshëm i Serbisë.

Putin tha gjithashtu se Rusia e vlerëson politikën e Vuçiqit dhe dëshirën e tij për të ruajtur bashkëpunimin me Moskën.

Vetë Vuçiq, gjatë fushatës zgjedhore, ka theksuar vazhdimisht se Serbia është i vetmi vend në Evropë që, sipas tij, “i ka rezistuar presionit” për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës pas pushtimit rus të Ukrainës.

Beogradi ka vazhduar ndërkohë bashkëpunimin me Rusinë, përfshirë në fushën energjetike dhe atë politike, pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por Brukseli ka kërkuar vazhdimisht që Beogradi të përafrojë politikën e tij të jashtme me atë të BE-së, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Mosvendosja e sanksioneve është një prej çështjeve që ka ndikuar në marrëdhëniet e Serbisë me BE-në dhe në procesin e saj të integrimit evropian.

Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe vazhdojnë ta konsiderojnë Moskën një aleat të rëndësishëm, veçanërisht për shkak të mbështetjes ruse në organizatat ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe përdor të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, çka i jep Moskës rol të rëndësishëm në këtë çështje.

Beogradi mbështetet gjithashtu në qëndrimin e Moskës për çështje të tjera të ndjeshme për Serbinë, përfshirë refuzimin e cilësimit të masakrës së Srebrenicës të vitit 1995 si gjenocid.

Në këtë mënyrë, ndërsa Serbia vazhdon të deklarojë synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Vuçiq po përsërit publikisht zotimin për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe po e paraqet mbështetjen e Moskës si të rëndësishme për interesat e Beogradit.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Moska Serbia Vladimir Putin

Continue Reading

Previous: Apeli vërteton dënimin me 6 vjet burgim ndaj Jelena Gjukanoviq për akuzën se spiunoi te BIA serbe
Next: “29 nga 72 diplomatët rusë janë të lidhur me inteligjencën – politologu zbulon rrjetin e ndikimit të Moskës në Serbi

“29 nga 72 diplomatët rusë janë të lidhur me inteligjencën – politologu zbulon rrjetin e ndikimit të Moskës në Serbi 3 min read
  • Ballkan

“29 nga 72 diplomatët rusë janë të lidhur me inteligjencën – politologu zbulon rrjetin e ndikimit të Moskës në Serbi

The Geopost October 6, 2026
Apeli vërteton dënimin me 6 vjet burgim ndaj Jelena Gjukanoviq për akuzën se spiunoi te BIA serbe 6 min read
  • Ballkan

Apeli vërteton dënimin me 6 vjet burgim ndaj Jelena Gjukanoviq për akuzën se spiunoi te BIA serbe

The Geopost October 6, 2026
Kuvendi i Kosovës miraton në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë 3 min read
  • Ballkan

Kuvendi i Kosovës miraton në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë

The Geopost October 5, 2026
Wilson: Regjimi i Vuçiqit po përpiqet të pengojë votimin e diasporës serbe, njësoj si Georgian Dream në Gjeorgji 3 min read
  • Ballkan

Wilson: Regjimi i Vuçiqit po përpiqet të pengojë votimin e diasporës serbe, njësoj si Georgian Dream në Gjeorgji

The Geopost October 5, 2026
Biljana Pllavshiq, gruaja që pas masakrës e puthi Arkanin dhe boshnjakët i quajti “material gjenetik të prishur” 4 min read
  • Ballkan

Biljana Pllavshiq, gruaja që pas masakrës e puthi Arkanin dhe boshnjakët i quajti “material gjenetik të prishur”

The Geopost October 5, 2026
YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë 2 min read
  • Ballkan

YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë

The Geopost October 4, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.