Edward P. Joseph, ligjërues në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, ka paralajmëruar se formimi i shpejtë i qeverisë së re në Serbi është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, duke vlerësuar se mbetjet e aparatit të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit mund të pengojnë tranzicionin politik.
Në një intervistë për revistën serbe Radar, Joseph ka thënë se lëvizja studentore që synon marrjen e pushtetit nuk duhet të presë përfundimin e afatit prej 90 ditësh për formimin e kabinetit, pasi vakumi institucional mund të krijojë mundësi për destabilizim.
Ai ka përmendur në veçanti Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA), duke rikujtuar vrasjen e kryeministrit të atëhershëm serb, Zoran Gjingjiç, në vitin 2003, në të cilën ishin të përfshirë pjesëtarë të strukturave të sigurisë.
“Nëse anëtarët e aparatit të sigurisë mund ta vrisnin kryeministrin e zgjedhur, atëherë elementët brenda atij aparati mund ta pengojnë punën e qeverisë së re dhe ta destabilizojnë vendin”, ka paralajmëruar Joseph.
Ai ka kërkuar që lëvizja studentore të veprojë shpejt dhe me vendosmëri, duke ndërmarrë reforma konkrete në institucionet e sigurisë, drejtësi dhe administratë.
Sipas tij, ndryshimi politik nuk mund të konsiderohet i përfunduar vetëm me largimin e pushtetit të mëparshëm, pasi Serbia duhet të përballet me strukturat që, sipas tij, kanë përdorur institucionet shtetërore për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe shoqërisë civile.
Joseph ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi për mënyrën se si ka funksionuar BIA gjatë qeverisjes së Vuçiqit, duke iu referuar edhe dokumenteve të publikuara nga Radar për mbikëqyrjen e gazetarëve dhe redaksisë së mediumit.
Kërkon reforma në drejtësi dhe përgjegjësi për Vuçiqin
Duke folur për sfidat e qeverisë së ardhshme, Joseph ka vlerësuar se përparësia duhet të jetë vendosja e sundimit të ligjit dhe çlirimi i institucioneve nga ndikimi politik.
Ai ka paralajmëruar, megjithatë, se proceset kundër zyrtarëve të pushtetit të mëparshëm nuk duhet të shndërrohen në hakmarrje politike, por duhet të bazohen në prova të qëndrueshme.
“Fjala kyçe është përgjegjësia, pra llogaridhënia. Procedurat gjyqësore duhet të bazohen në prova të forta. Do të ishte katastrofë nëse një proces do të dështonte për shkak të mungesës së provave”, ka thënë ai.
I pyetur nëse ish-presidenti Aleksandar Vuçiq mund të përballet me arrestim, Joseph ka thënë se kjo nuk duhet të përjashtohet, nëse hetimet dhe provat çojnë deri tek ai.
“Do të shkojmë deri aty ku na çojnë provat”, ka deklaruar Joseph, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht nëse është ish-president apo ish-kryeministër.
Ai ka vlerësuar se Vuçiqi do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm politik në Serbi, pasi SNS-ja ka ende një numër të konsiderueshëm deputetësh dhe votuesish. Sipas tij, mungesa e një opozite tjetër të fortë përbën problem për demokracinë serbe.
Studentët meritojnë Çmimin Nobel për Paqen
Joseph ka shprehur mbështetje të fuqishme për lëvizjen studentore në Serbi, duke thënë se ajo meriton Çmimin Nobel për Paqen për shkak të protestave paqësore, pavarësisht dhunës dhe presionit me të cilin është përballur.
Ai ka vlerësuar veçanërisht përpjekjet e studentëve për të shtrirë protestat përtej qyteteve të mëdha dhe për të përfshirë komunitetet më të vogla në kërkesën për sundimin e ligjit.
Sipas tij, studentët kanë treguar pjekuri edhe duke vendosur të hyjnë në procesin zgjedhor dhe duke kërkuar që përfaqësuesit e tyre të përzgjidhen nga fusha si mjekësia, akademia dhe financat, ndërsa vetë lëvizja të ruajë mbikëqyrjen mbi ta.
“Studentët serbë ishin jo të dhunshëm dhe konstruktivë, të përqendruar në ndërtimin e një shoqërie më të mirë”, ka thënë Joseph.
Ai ka paralajmëruar se heterogjeniteti politik i lëvizjes studentore mund të krijojë përçarje, pasi brenda saj ekzistojnë qëndrime të ndryshme për orientimin ndërkombëtar, ekonominë dhe marrëdhëniet rajonale.
Serbia duhet të distancohet nga ndikimi rus dhe kinez
Duke folur për politikën e jashtme, Joseph ka vlerësuar se qeveria e re duhet të përcaktojë interesat strategjike të Serbisë dhe të rishikojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Ai ka thënë se largimi i ndikimit rus nga kompania energjetike NIS është në interes strategjik të Serbisë, duke paralajmëruar se varësia energjetike nga një shtet tjetër e bën vendin të cenueshëm.
Sipas tij, Serbia duhet të synojë që NIS të jetë nën kontrollin e saj, dhe jo të kalojë thjesht nga një pronar i huaj te një tjetër.
Joseph ka ngritur gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së kompanive kineze për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke kritikuar mungesën e debatit për rolin e tyre në rindërtimin e objektit.
Ai ka vlerësuar se qeveria e re nuk mund të kërkojë sundim të ligjit pa trajtuar edhe përgjegjësinë e kompanive të huaja që kanë përfituar nga kontratat dhe projektet shtetërore.
Sa i përket Bashkimit Evropian, Joseph ka thënë se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të marrin përgjegjësi për mbështetjen që i kanë dhënë për vite me radhë qeverisjes së Vuçiqit, pavarësisht problemeve me demokracinë dhe zgjedhjet.
Ai ka kërkuar që Brukseli ta mbështesë qeverinë e re nëse ajo angazhohet seriozisht për sundimin e ligjit, përfshirë përmes hapjes së kapitujve të negociatave dhe rikthimit të fondeve të ngrira.
Joseph: Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet ndaj serbëve
Në intervistë, Joseph ka folur edhe për Kosovën, duke kërkuar nga Qeveria në Prishtinë që të përmbushë detyrimet e saj ndaj komunitetit serb dhe të krijojë kushte për barazi dhe kthimin e serbëve të zhvendosur.
Ai ka theksuar se çështja e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe mbetet e hapur dhe se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë sa më shpejt.
Megjithatë, si përparësi të menjëhershme ai ka veçuar çështjen e personave të zhdukur, duke e cilësuar atë si çështje humanitare ku mund të arrihet përparim konkret.
“Qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë për të përmbushur plotësisht detyrimet e saj kushtetuese ndaj serbëve të Kosovës, në mënyrë që ata të jenë qytetarë të barabartë dhe të kenë një të ardhme të plotë”, ka thënë Joseph.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të ndalen veprimet që, sipas tij, prekin serbët e Kosovës, duke përmendur raportet e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për arrestimet dhe kufizimet që prekin këtë komunitet.
Joseph ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti duhet ta ndryshojë qasjen dhe të shfrytëzojë mundësinë për të ndërtuar një marrëdhënie më konstruktive, duke pasur parasysh se Serbia mund të hyjë në një fazë të re politike pas ndryshimit të pushtetit.
Ai ka theksuar se përparimi në çështjet humanitare, veçanërisht në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, mund të ndihmojë në ndryshimin e atmosferës ndërmjet dy vendeve dhe në krijimin e kushteve për përparim në dialog.
Joseph ka qenë i angazhuar për më shumë se një dekadë në Ballkan, në pozita të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryetar i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe pjesëtar i misionit të NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, transmeton gardiani.

Kandiq propozon Kamberin për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë
Lista Studentore synon t’i rishqyrtojë marrëveshjet me Kosovën, BE-ja thotë se Serbia duhet t’i zbatojë
Natasha Kandiq vë në pikëpyetje kredibilitetin e Konventës Kombëtare për BE-në pas skandalit të melodisë nacionaliste kundër Kosovës
Çfarë di Shesheli për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës?
Policia serbe nuk sqaron nëse Radoiçiq ka kaluar kufirin
Regjimi i Vuçiqit nën akuza të reja: BIA përdorej për të ndjekur kundërshtarët politikë