Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për t’i shpallur fajtorë dhe për t’i dënuar me shumë vite burg ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u shërbeu mediave kryesore shtetërore dhe pro-regjimit në Rusi si një platformë ideale për nisjen e një fushate gjithëpërfshirëse informative.
Në fokusin e makinerisë mediatike të Moskës nuk u gjetën viktimat dhe as arsyetimi juridik i aktgjykimeve, por përhapja e orientuar e narrativit për „natyrën kriminale të shtetit të Kosovës“, paaftësinë e Bashkimit Evropian dhe kaosin e pretenduar të përgjithshëm që ka përfshirë rajonin.
Analiza e raportimit të mediave më me ndikim në Rusi – agjencive të lajmeve RIA Novosti, TASS dhe Interfax, si dhe Kanalit të Parë shtetëror, tregon një ndarje të qartë të roleve dhe përdorim të sinkronizuar të teknikave specifike propagandistike.
Analiza
RIA Novosti: Kontestimi terminologjik i shtetësisë dhe fokusi te shifrat e krimeve

Agjencia shtetërore RIA Novosti e hapi raportimin me një titull në të cilin funksioni i ish-udhëheqësit të Kosovës vendoset në thonjëza të theksuara – „’Ish-presidenti’ i Kosovës dënohet me 25 vjet për krime lufte“.
Ky manipulim terminologjik paraqet një mekanizëm të njohur përmes të cilit Moska që në fillim u sugjeron lexuesve jolegjitimitetin e institucioneve të Kosovës.
Në vetë tekstin, RIA Novosti vë theksin te paraqitja e peshës së krimeve të pretenduara për të cilat janë dënuar drejtuesit e UÇK-së.
Mesazhi themelor që i përcillet publikut është se i gjithë projekti politik i Kosovës së pavarur është ndërtuar mbi themelet e krimeve të luftës, duke e zhvendosur në mënyrë të tërthortë, por të qartë, përgjegjësinë te vendet perëndimore që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.
Konflikti në tekst paraqitet si një akt i izoluar dhune që papritur shpërtheu midis „separatistëve“ dhe „forcave serbe të sigurisë“.
Teksti e anashkalon plotësisht represionin e dekadave, heqjen e autonomisë së Kosovës në vitin 1990, mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe, shpërbërjen e parlamentit dhe rezistencën paqësore që i parapriu vetëmbrojtjes së armatosur të popullit.
RIA Novosti që në fjalinë e parë përdor terminologji të ngarkuar politikisht, e cila përputhet drejtpërdrejt me politikën zyrtare të Moskës dhe Beogradit.
Shteti i Kosovës në mënyrë të vazhdueshme emërtohet me konstrukte si „Republika e vetëshpallur e Kosovës“, ndërsa për territorin gjeografik përdoret ekskluzivisht emërtimi zyrtar serb „KiM“.
Në të njëjtën kohë, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) cilësohen si „separatistë shqiptarë“, duke injoruar qëllimisht faktin se Kosova e shpalli pavarësinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare (gjë që u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010) dhe se atë e njeh shumica e botës demokratike.
TASS: Retrospektiva e „vazhdimësisë terroriste“

Agjencia kryesore shtetërore TASS e përshtati raportimin e saj nën titullin „Nga UÇK-ja te aktgjykimi në Hagë..“, duke i dhënë ngjarjes formën e një analize kronologjike dhe biografike. Përmes një pasqyre të detajuar të veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, TASS ndërton në mënyrë sistematike narrativin për vazhdimësinë midis kryengritjes së armatosur të viteve ’90 dhe përfundimit gjyqësor në Hagë.
Në tekstin e gjerë, i cili imiton një pasqyrë analitike, TASS e cilëson hapur UÇK-në si „organizatë terroriste“, duke e anashkaluar plotësisht karakterin çlirimtar të luftës kundër regjimit represiv të Slobodan Millosheviqit.
Fokusi i veçantë vihet në diskreditimin e operacionit të NATO-s „Forca Aleate“, ku ndërhyrja e Aleancës paraqitet si e paligjshme, ndërsa vendosja e institucioneve paralele dhe lufta për pavarësi paraqiten si një akt njëdrejtimësh i nacionalizmit shqiptar.
Përmes heshtjes së qëllimshme ndaj terrorit sistematik dhe spastrimit etnik që forcat serbe ushtronin ndaj civilëve shqiptarë, TASS i shërben drejtpërdrejt narrativëve propagandistikë të Kremlinit për „shkëputjen e paligjshme“.
Agjencia ruse në mënyrë të vetëdijshme përhap narrativin dezinformues se bombardimet e NATO-s ishin një akt i paligjshëm në mbështetje të terroristëve, duke synuar që përmes epilogut gjyqësor në Hagë t’i dëshmojë publikut vendas dhe ndërkombëtar se e gjithë pavarësia e Kosovës „ka lindur mbi themelet e krimeve që Perëndimi i ka sponsorizuar me vetëdije“.
Interfax: Zhvendosja e vëmendjes te trazirat dhe dhuna

Ndryshe nga agjencitë që u morën me biografitë dhe aktgjykimet, Interfax e përdori shqiptimin e dënimeve ndaj komandantëve të UÇK-së për të krijuar një atmosferë të një krize akute. Nën titullin „Shqiptarët e Kosovës shkaktuan trazira për shkak të aktgjykimit ndaj liderëve të luftëtarëve shqiptarë“, kjo agjenci e zhvendosi plotësisht fokusin e raportimit nga salla e gjyqit në rrugët e Prishtinës dhe Hagës.
Agjencia Interfax u përqendrua në sensacionalizmin e incidenteve. Duke u mbështetur në burime të njëanshme dhe të paverifikuara nga Republika Srpska (RTRS), kjo media përhapi dezinformata për protesta të supozuara masive dhe të dhunshme dhe për përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të „hyrë me forcë në ndërtesën e misionit EULEX në Prishtinë“, si dhe për sulme ndaj automjeteve të policisë në Hagë.
Kanali i Parë: Dramatizimi i pamjeve

Kanali i Parë zyrtar i televizionit rus e transmetoi lajmin me titullin dramatik „Në Hagë dhe në Kosovë nisën trazirat pas shpalljes së aktgjykimit“.
Kanali i Parë e shoqëroi raportimin me pamje të policisë holandeze me pajisje të plota për shpërndarjen e demonstratave.
/The Geopost/

Si e deformuan mediat serbe protestën në Prishtinë
ISW paralajmëron për fushatë të koordinuar ruse kundër Evropës: NATO duhet të përgatitet për sulme të mundshme
Serbia dhe Uzbekistani paralajmërojnë bashkëpunim për raketa, analisti ngre pikëpyetje për interesat ruse
Dronët ukrainas vranë gjeneralin rus të dekoruar nga Putin
Sikorsky: Pasuria e ngrirë ruse nuk do t’i kthehet Moskës
“Putini po vëzhgon”, Uashingtoni ashpërson presionin ndaj Rusisë dhe aleatëve të saj