Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të mërkurën se ishte “e tmerruar” nga pamjet e varrimit të Ratko Mlladiqit në Beograd, duke theksuar se nuk ka vend në BE për ata që lavdërojnë kriminelët e luftës.
Duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg, gjatë fjalimit për gjendjen e Bashkimit Evropian, von der Leyen tha se Mlladiqi kishte kryer “krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit”.
“U tmerrova nga pamjet e varrimit të Ratko Mlladiqit në Beograd javën e kaluar”, tha ajo, duke shtuar se “lavdërimit të kriminelëve të luftës thjesht nuk i ka vendi në Bashkimin Evropian”.
Mlladiqi u varros në Beograd me nderime ushtarake, ndërsa në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe zyrtarë të lartë serbë. Ngjarja shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare, përfshirë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian. Reuters raportoi se von der Leyen, në një reagim më 8 shtator, i kishte cilësuar pamjet nga varrimi si “tronditëse” dhe kishte paralajmëruar se mbështetja zyrtare ndaj Mlladiqit mund të dëmtojë perspektivën evropiane të Serbisë.
Ratko Mlladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq më 27 gusht, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm.
Në fjalimin e saj, von der Leyen e lidhi çështjen me procesin e zgjerimit të BE-së, duke përmendur Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si vende që e kanë të ardhmen brenda Bashkimit Evropian.
Ajo tha se Komisioni Evropian së shpejti do të propozojë udhërrëfyes për kandidatët që kanë bërë përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit, ndërsa theksoi se zgjerimi do të vazhdojë të bazohet në merita.
“Respekti për vlerat tona nuk negociohet”, tha von der Leyen, duke e lidhur këtë parim me drejtësinë, të vërtetën dhe respektin për viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi./The Geopost/

Serbia dhe Uzbekistani paralajmërojnë bashkëpunim për raketa, analisti ngre pikëpyetje për interesat ruse
Sikorsky: Pasuria e ngrirë ruse nuk do t’i kthehet Moskës
Parti e re proruse në Serbi, kërkon braktisjen e BE-së dhe forcimin e ndikimit të Moskës
Uashingtoni ashpërson mesazhet ndaj Serbisë, Kongresi e paralajmëron për Rusinë, Kinën dhe glorifikimin e Mlladiqit
Brukseli ashpërson tonin ndaj Beogradit: Parlamenti Evropian kërkon ndryshim të qasjes ndaj Vuçiqit
Serbia dhe Kina thellojnë bashkëpunimin në siguri, policët serbë nisin patrullimet në Hainan