Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • News

Anije luftarake ruse lëshon raketa sinjalizuese ndaj një helikopteri ushtarak danez në Detin Baltik

The Geopost September 16, 2026 4 min read
Share the news

Një anije luftarake ruse ka lëshuar dy raketa sinjalizuese në drejtim të një helikopteri ushtarak danez gjatë një operacioni rutinë për fotografimin e anijes ruse në Detin Baltik, kanë njoftuar Forcat e Armatosura të Danimarkës. Incidenti ka ndodhur në ujërat ndërkombëtare, në afërsi të brigjeve jugore të Danimarkës.

Sipas ushtrisë daneze, helikopteri i tipit „Fennec“ po kryente një operacion standard fotografimi pranë një fregate ruse, procedurë e cila, sipas autoriteteve daneze, është kryer shumë herë edhe në të kaluarën. Të hënën, anija luftarake ruse lëshoi dy raketa sinjalizuese në drejtim të helikopterit, ndërsa njëra prej tyre kaloi vetëm disa metra larg tij.

Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, tha se para lëshimit të raketave nuk kishte pasur asnjë paralajmërim apo kontakt radioje mes anijes dhe helikopterit.

„Kjo është plotësisht e papranueshme dhe mund të kishte rrezikuar jetën e njerëzve“, deklaroi ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Løkke Rasmussen.

Rasmussen njoftoi gjithashtu se, për shkak të incidentit, ambasadori rus në Danimarkë ishte thirrur për një takim. Ai tha se Rusia „po e zhvendos gradualisht kufirin e asaj që e konsideron sjellje të pranueshme“.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, dënoi veprimin e anijes ruse dhe tha se veprimet e Rusisë synojnë të frikësojnë dhe të përçajnë. „Nuk do t’ia dalin. Ne nuk do të lëkundemi“, deklaroi Frederiksen.

Nga pala ruse është dhënë një interpretim tjetër i incidentit. Ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin, tha se nuk ishte hera e parë që helikopterët danezë kryenin „manovra të rrezikshme“ pranë anijeve luftarake ruse. Ai i cilësoi veprimet e helikopterit danez si „veprime provokuese“ kundër fregatës ruse.

Incidenti ndodhi në një periudhë të rritjes së tensioneve të sigurisë në rajonin e Detit Baltik, ku vitet e fundit janë shtuar incidentet që lidhen me avionë ushtarakë dhe dronë.

Po atë ditë, një avion luftarak italian në kuadër të NATO-s rrëzoi një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë. Autoritetet lituaneze njoftuan se gjatë kontrollit të vendit ku kishte rënë droni ishte gjetur një pajisje shpërthyese, e cila më pas ishte neutralizuar.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, tha se droni ishte shkatërruar pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore lituaneze, duke vlerësuar se gatishmëria e shtuar e NATO-s është thelbësore për rajonin në një kohë kur agresioni rus kundër Ukrainës po intensifikohet.

Sipas Qendrës Kombëtare Lituaneze për Menaxhimin e Krizave, droni ra pranë fshatit Pratkūnai, rreth 100 kilometra në perëndim të Vilniusit dhe pranë rezervuarit të Kaunasit. Droni, sipas autoriteteve, ka shumë gjasa të ketë hyrë në territorin lituanez nga drejtimi i Bjellorusisë dhe kishte qëndruar rreth 30 minuta në hapësirën ajrore të vendit para se të interceptohej.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha se droni „me shumë gjasa“ kishte ardhur nga Rusia, ndërsa ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Kęstutis Budrys, tha se aleatët e NATO-s ishin informuar për incidentin dhe se diskutimet për të kishin nisur edhe në kuadër të BE-së dhe NATO-s.

Përveç Danimarkës dhe Lituanisë, edhe Polonia ngriti avionët e saj luftarakë po atë ditë për shkak të aktivitetit të dronëve rusë me motor reaktiv, të cilët, sipas autoriteteve polake, po kryenin sulme në territorin e Ukrainës. Ushtria polake më vonë njoftoi se gjatë operacionit nuk ishte regjistruar asnjë shkelje e hapësirës ajrore polake.

Këto zhvillime ndodhën një ditë pasi forcat polake të sigurisë gjetën një dron rus në Detin Baltik, pranë bregdetit në Rusinowo. Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar më herët se vendet e NATO-s duhet të presin shtim të provokimeve nga Moska.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi se incidentet në Danimarkë dhe Lituani nuk janë raste të izoluara, por përbëjnë „pjesë të një modeli më të gjerë të agresionit dhe provokimeve ruse kundër Evropës“, përmes të cilave, sipas saj, po testohen gatishmëria dhe vendosmëria e vendeve evropiane.

Lituania, Letonia dhe Estonia, të gjitha anëtare të NATO-s dhe me kufi me Rusinë, kanë raportuar rregullisht ndërhyrje të dronëve që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Zyrtarët evropianë kanë deklaruar se Rusia po ridrejton dronë ukrainas të cilët synojnë sulme ndaj objekteve industriale dhe terminaleve të naftës në zonën e Shën Petersburgut.

Ngushticat daneze përbëjnë rrugën kryesore detare për transportin tregtar dhe ushtarak drejt Detit Baltik dhe nga ai, çka u jep incidenteve në këtë zonë rëndësi të veçantë për sigurinë.

Continue Reading

Previous: Sot shpallet aktgjykimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Next: Vuçiq i ndan urdhrin për merita në mbrojtje dhe siguri zyrtarit të qendrës Serbo-Ruse

Zelenskyy në Turqi: Ukraina dëshiron që armët turke të testohen kundër Rusisë 7 min read
  • Botë
  • News

Zelenskyy në Turqi: Ukraina dëshiron që armët turke të testohen kundër Rusisë

The Geopost November 1, 2026
Oligarku i afërt me Kremlinin uron studentët serbë, rikthen sloganin nacionalist për Kosovën 2 min read
  • Ballkan
  • News

Oligarku i afërt me Kremlinin uron studentët serbë, rikthen sloganin nacionalist për Kosovën

The Geopost November 1, 2026
Ukraina kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të sulmeve ruse 4 min read
  • Botë
  • News

Ukraina kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të sulmeve ruse

The Geopost November 1, 2026
Biznesmeni i dënuar në SHBA për raketat e Koresë së Veriut zotëron kompani armësh në Republikën Srpska 10 min read
  • News

Biznesmeni i dënuar në SHBA për raketat e Koresë së Veriut zotëron kompani armësh në Republikën Srpska

The Geopost November 1, 2026
Raporti vjetor i BE-së nxjerr në pah ngecjet e Serbisë gjatë ish-qeverisë 6 min read
  • Ballkan
  • News

Raporti vjetor i BE-së nxjerr në pah ngecjet e Serbisë gjatë ish-qeverisë

The Geopost October 31, 2026
Pas rënies së Vuçiqit, Prokuroria serbe rihap rastin e Radoiçiqit – “Pse u la i lirë pas sulmit në Banjskë?” 3 min read
  • Ballkan
  • News

Pas rënies së Vuçiqit, Prokuroria serbe rihap rastin e Radoiçiqit – “Pse u la i lirë pas sulmit në Banjskë?”

The Geopost October 31, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.