Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Fehim Salit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Kërkesa është bërë pas arrestimit të djeshëm të Salit, shtetas i Kosovës, në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për spiunazh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë REL, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.
Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi.
Disa prej këtyre personave, thuhet në kërkesë, Sali i ka propozuar si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.
“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Sipas Prokurorisë, paraburgimi është i nevojshëm për të parandaluar vazhdimin e veprës penale, rrezikun e arratisjes së tij, duke pasur parasysh edhe shtetësinë serbe, si dhe mundësinë e zhdukjes ose dëmtimit të provave.
Më herët, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa hetuesit policorë kishin kryer edhe një bastisje në vendbanimin e tij në Dragash.
Gjatë bastisjes, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.
Sali, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron pranë Presidencës së Kosovës.
Sipas Presidencës, ai kishte qenë anëtar i Këshillit si përfaqësues i komunitetit goran për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024.
Ai ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti të informacioneve të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.
Në një përgjigje për REL-in, Presidenca kishte thënë se Sali nuk është anëtar i Këshillit që nga shkarkimi i tij në vitin 2024, ndërsa nuk kishte dhënë detaje për raportin e sigurisë.
Spiunazhi, sipas Kodit Penal të Kosovës, përfshin veprimet e fshehta të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër dhe dënohet me së paku pesë vjet burgim.

Dy të arrestuarit në Serbi dhe gjurmët që çojnë te sabotazhet ruse në Gjermani
Zgjedhjet në Serbi po marrin atmosferë referendumi, a po humb SNS-ja e Vuçiqit
Stradner paralajmëron: Shërbimi rus i inteligjencës po përgatit “ferr” më 25 tetor në Serbi
Vuçiq, Moska dhe zgjedhjet në Serbi: Si po përdoret ndikimi rus në betejën për pushtet
“Gjenerali Mlladiq është në zemrën time”, deklarata skandaloze e Knezheviqit – përmend Adem Jasharin për të mbrojtur këngët për gjeneralët kriminelë
Ish-drejtori i Inteligjencës Ushtarake të Serbisë emërohet ambasador në Rusi