Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Mediat serbe dhe ruse përhapin propagandë për sigurinë e Manastirit të Deçanit

The Geopost August 14, 2026 4 min read
Share the news

Në mediat serbe dhe ruse janë publikuar këto ditë pretendime të pasakta lidhur me sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe rolin e institucioneve të Kosovës në mbrojtjen e tij.

Raportimet janë publikuar në një kohë kur KFOR-i ka njoftuar për fillimin e një procesi gradual të integrimit të personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së misionit të NATO-s në Manastirin e Deçanit.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug, në një raportim të publikuar më 10 gusht, shkroi se Manastiri i Deçanit “është përballur me sulme të vazhdueshme të armatosura nga shqiptarët ekstremë”. Ky formulim paraqitet në fund të artikullit të agjencisë, i cili trajton vendimin e KFOR-it për përfshirjen e Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së manastirit.

Megjithatë, pretendimi për “sulme të vazhdueshme” nuk përputhet me të dhënat e dokumentuara për historikun e incidenteve ndaj manastirit. Një analizë e Kosovo 2.0, duke iu referuar edhe të dhënave të Kishës Ortodokse Serbe, evidenton se Manastiri i Deçanit është prekur nga dhuna gjatë luftës në Kosovë dhe se pas luftës ka pasur tentativa të izoluara me granata në vitet 2000 dhe 2007. Në rastin e vitit 2007, Policia e Kosovës arrestoi autorin, i cili më pas u dënua me tre vjet e gjysmë burgim.

Këto të dhëna nuk mbështesin formulimin e Tanjugut për një seri “sulmеsh të vazhdueshme të armatosura” ndaj manastirit. Përkundrazi, dokumentimi i incidenteve tregon se përpjekjet e njohura për sulm kanë qenë të izoluara dhe i përkasin periudhave të mëhershme.

Një tjetër pretendim i pasaktë është publikuar nga mediumi rus Pravda Shqip, i cili më 11 gusht, duke raportuar për deklaratat e ish-ministrit serb Aleksandar Vulin, shkroi se transferimi i mbrojtjes së objekteve fetare serbe në perëndim të Kosovës nga KFOR-i te “forcat e sigurisë së Kosovës” do të çonte në më shumë “veprime dhe provokime anti-serbe”.

Edhe ky përshkrim nuk përputhet me realitetin institucional të sigurisë së monumenteve ortodokse në Kosovë. Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është pjesë e mbrojtjes së këtyre monumenteve. Mbrojtja fizike e një numri të konsiderueshëm të objekteve të trashëgimisë ortodokse kryhet nga Policia e Kosovës, ndërsa një numër i kufizuar objektesh vazhdon të jetë nën mbrojtjen e KFOR-it.

Vetë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se që nga viti 2008 ofron mbrojtje fizike 24 orë në ditë për 24 objekte të kultit ortodoks, kryesisht kisha dhe manastire. Për rreth 170 objekte të tjera ortodokse, policia kujdeset për sigurinë përmes formave të ndryshme operacionale. Që nga marsi i vitit 2013, mbrojtja e këtyre objekteve është në përgjegjësi të Njësisë për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare.

Në rastin konkret të Manastirit të Deçanit, zhvillimi i 10 gushtit nuk nënkupton se KFOR-i është larguar nga përgjegjësia për sigurinë e tij. Përkundrazi, vetë KFOR-i ka deklaruar se integrimi i personelit të Policisë së Kosovës është pjesë e një procesi gradual dhe të bazuar në kushte, i lidhur me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Misioni i NATO-s ka theksuar gjithashtu se KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit.

KFOR-i ka thënë se procesi po koordinohet me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Misioni ka përsëritur se përkushtimi i tij për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe të komuniteteve lokale mbetet i palëkundur.

Pra, raportimet e Tanjugut dhe Pravda Shqip i paraqesin dy zhvillime të ndryshme në mënyrë të deformuar: në njërën anë, ekzagjerojnë historikun e sulmeve ndaj Manastirit të Deçanit duke krijuar përshtypjen e një rreziku të vazhdueshëm fizik, ndërsa në anën tjetër sugjerojnë se FSK-ja po merr kontrollin e sigurisë së manastirit, gjë që nuk është e saktë.

Në fakt, ajo që ka ndryshuar është arkitektura e bashkëpunimit në ofrimin e sigurisë: Policia e Kosovës po integrohet gradualisht në strukturën e sigurisë së KFOR-it në këtë objekt, ndërsa KFOR-i vazhdon të mbajë rolin e reaguesit të parë. Vetë NATO-ja e ka lidhur këtë ndryshim me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Kësisoj, pretendimet e paraqitura nga mediat serbe dhe ruse krijojnë një narrativë që e paraqet Manastirin e Deçanit si një objekt nën kërcënim të vazhdueshëm dhe Kosovën si të paaftë për të garantuar sigurinë e trashëgimisë ortodokse. Të dhënat e disponueshme dhe deklaratat zyrtare të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës ofrojnë një pamje dukshëm më të nuancuar: ekziston një histori reale e incidenteve dhe rrezikut, por statusi aktual i sigurisë nuk përputhet me përshkrimin e një manastiri që përballet vazhdimisht me sulme të armatosura.

The GeoPost

Tags: Kosova Manastiri i Deçanit Propaganda ruse Propaganda serbe

Continue Reading

Previous: Dosja e prokurorisë: Si fotografoheshin zyrtarët e AKI-së nga Fehim Sali, i dyshuari për spiunazh
Next: Hetimi i NYT: Operativët rusë drejtuan programe trajnimi në Bosnje dhe Serbi që synonin Moldavinë

Eksperti gjerman: Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan, Vuçiq përdor nacionalizmin për pushtet 6 min read
  • Ballkan

Eksperti gjerman: Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan, Vuçiq përdor nacionalizmin për pushtet

The Geopost September 11, 2026
Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit 4 min read
  • Ballkan

Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit

The Geopost September 11, 2026
Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më 2 min read
  • Ballkan
  • News

Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më

The Geopost September 11, 2026
Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë 4 min read
  • Ballkan

Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë

The Geopost September 10, 2026
Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin 5 min read
  • Ballkan

Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin

The Geopost September 10, 2026
Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës bëhet shtetas i ri serb 6 min read
  • Ballkan

Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës bëhet shtetas i ri serb

The Geopost September 10, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.