Revista serbe Vreme ka publikuar një analizë të ashpër mbi gjendjen politike në Serbi, duke vlerësuar se dhuna ndaj kritikëve të pushtetit është shndërruar në një dukuri të zakonshme dhe se shoqëria po mësohet ta pranojë atë si pjesë të jetës së përditshme.
Në numrin e ri të revistës, gazetarja Jovana Gligorijeviq shkruan se sulmet e fundit ndaj figurave publike kritike ndaj qeverisë janë tregues i një klime gjithnjë e më të rrezikshme në vend.
Si shembuj përmenden sulmi ndaj regjisorit Stevan Filipović, të cilit iu vodh telefoni dhe u rrah, persekutimi i një avokateje nga Valjeva dhe rrahja e shkrimtarit Vladimir Arsenijević.
Sipas autores, këto raste mund të ndryshojnë në detaje, por në thelb janë pjesë e të njëjtit model.
“Në përgjithësi, ato janë pjesë e të njëjtës pamje, pamje e një regjimi që po shpërbëhet para syve të qytetarëve dhe tani po bën vetëm atë që di më mirë: torturon dhe rrah”, shkruan Gligorijević.
Sipas analizës, ekziston një moment kur dhuna pushon së qeni një lajm i veçantë dhe bëhet pjesë e atmosferës së përgjithshme në një shoqëri.
“Shoqëria pastaj fillon të mësohet me atë që në rrethana normale do të përbënte një përçarje serioze të rendit publik dhe jetës politike”, thuhet në artikull.
Autorja argumenton se efekti më i rëndësishëm politik i një regjimi të tillë është normalizimi i dhunës.
“Mësimi me dhunën përfaqëson ndoshta efektin më të rëndësishëm politik të regjimit, sepse një shoqëri që pushon së prituri një reagim nga institucionet fillon ta pranojë dhunën si pjesë të jetës së përditshme”, shkruan ajo.
Në analizë theksohet se pushteti nuk ka nevojë t’u japë urdhra të drejtpërdrejtë personave që kryejnë sulme, pasi, sipas autores, mjafton që individë të caktuar të etiketohen vazhdimisht në media si armiq, tradhtarë apo mercenarë të huaj.
Gligorijeviq vlerëson se problemi bëhet edhe më i madh kur viktimat shndërrohen në objektiva të vazhdueshëm të urrejtjes dhe kur institucionet nuk arrijnë të dëshmojnë se autorët e sulmeve do të përballen me pasoja ligjore.
Sipas saj, mungesa e reagimit institucional krijon një mjedis ku dhuna jo vetëm që tolerohet, por gradualisht bëhet pjesë e realitetit politik dhe shoqëror në Serbi.
The GeoPost

Dy të arrestuarit në Serbi dhe gjurmët që çojnë te sabotazhet ruse në Gjermani
Stradner paralajmëron: Shërbimi rus i inteligjencës po përgatit “ferr” më 25 tetor në Serbi
Vuçiq, Moska dhe zgjedhjet në Serbi: Si po përdoret ndikimi rus në betejën për pushtet
“Gjenerali Mlladiq është në zemrën time”, deklarata skandaloze e Knezheviqit – përmend Adem Jasharin për të mbrojtur këngët për gjeneralët kriminelë
Ish-drejtori i Inteligjencës Ushtarake të Serbisë emërohet ambasador në Rusi
Partitë ruse në Serbi: Statusi i pakicës, ndjenjat pro-ruse dhe llogaritjet politike