Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Vrasjen e Ivanoviqit, kontrabandë me armë, sulmi në Banjskë… ndërsa Vuçiq thotë se Milan Radoiçiq nuk është kriminel

The Geopost June 30, 2026 6 min read
Share the news

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Milan Radoiçiq “nuk është në listën e kuqe për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, duke e mbrojtur sërish figurën e tij, e cila lidhet me disa raste të rënda në veri të Kosovës, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë ku u vra zyrtari i Policisë, Afrim Bunjaku.

Deklaratat e Vuçiqit u bënë gjatë një konference për shtyp, ku ai u pyet gjithashtu për pretendimet se Radoiçiq mund të ketë mbrojtje nga anëtarë aktivë të Xhandarmërisë serbe, pavarësisht paralajmërimeve të mëhershme se pjesëtarët e policisë nuk duhet të angazhohen në sigurim privat të personave. Presidenti serb tha se nuk kishte informacion për një gjë të tillë.

“Thjesht nuk thatë pse Milan Radoiçiq është në urdhër-arrestin e kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, u shpreh Vuçiq gjatë konferencës ku prezantoi masa për përmirësimin e standardeve të jetesës.

Sipas mediumit N1, dy anëtarë aktivë të detashmentit të Xhandarmërisë së Beogradit punojnë si sigurim privat për Milan Radoiçiqin dhe për objekte në pronësi të Zvonko Veselinoviqit, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Raportimi i N1 thekson se njëri nga pjesëtarët, Damljan Vukiçeviq, dyshohet se shërben si roje private sigurie për Radoiçiqin dhe herë pas here edhe për anëtarët e familjes së tij. Ndërsa një tjetër, Nikola Milutinoviq, po nga Xhandarmëria e Beogradit, sipas të njëjtave burime, është i angazhuar në sigurimin e objekteve në zonën e Goliës, të cilat i përkasin Zvonko Veselinoviqit.

Vuçiq nuk i mohoi drejtpërdrejt këto pretendime, por theksoi se anëtarët e Xhandarmërisë nuk duhet të angazhohen në sigurimin privat të individëve të tillë.

“Duhet të më tregoni pse është ndjekur penalisht apo jo Veselinoviqi, por nëse më pyetni nëse është e nevojshme që anëtarë aktivë të Xhandarmërisë ta sigurojnë atë, unë do të sigurohem që kjo të mos ndodhë. Nuk mund të bësh dy punë”, tha ai.

Megjithatë, presidenti serb nuk sqaroi deklaratën e tij se Radoiçiq “po ndiqet për shkak të Kosovës”, duke mos dhënë shpjegime të mëtejshme mbi aktivitetet për të cilat ai kërkohet nga drejtësia.

Çështja e Milan Radoiçiq dhe akuzat ndër vite

Milan Radoiçiq në opinionin publik serb shpesh është prezantuar si biznesmen dhe si një nga figurat që, sipas narrativës zyrtare, ka luajtur rol në “mbrojtjen e serbëve në veri të Kosovës”.

Ai u zgjodh nënkryetar i Listës Serbe disa muaj pas vrasjes së liderit të Iniciativës “Liri dhe Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar 2018, para zyrave të partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Më 25 nëntor 2018, Radoiçiq reagoi publikisht duke deklaruar se nuk ishte “miku më i ngushtë” i Ivanoviqit dhe se nuk kishte lidhje me vrasjen e tij.

Në shkurt 2020, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj një grupi që dyshohej se udhëhiqej nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq për vrasjen e Ivanoviqit. Megjithatë, Radoiçiq nuk u akuzua drejtpërdrejt, pasi ishte në arrati.

Në qershor 2024, në Kosovë u dha vendimi i parë gjyqësor për rastin e Ivanoviqit, ku disa persona u dënuan për pjesëmarrje në vrasje. Në aktgjykim u përmend se viktima “u vra nga persona të panjohur, pjesë e një grupi të organizuar kriminal të udhëhequr nga Milan Radoiçiq”.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, BIRN publikoi një intervistë me vetë Ivanoviqin nga viti 2017, ku ai e përshkruante Radoiçiqin si figurë me ndikim dhe si një “qendër joformale pushteti” në veri të Kosovës.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e komunës, por ajo është një strukturë tjetër joformale ku përcaktohet politika”, kishte deklaruar Ivanoviq në atë kohë, duke përmendur edhe vetë presidentin Vuçiq në kontekst të rolit të Radoiçiqit.

Vuçiq, nga ana e tij, në vitin 2018 kishte deklaruar për RTS se ishte i bindur se Radoiçiq nuk ishte i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, duke e përshkruar atë si një figurë të angazhuar në “mbrojtjen e serbëve në veri të Mitrovicës”.

Sanksionet nga SHBA dhe Britania e Madhe

Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq janë vendosur në listat e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimeve të lidhura me krim të organizuar dhe korrupsion.

Në dhjetor 2021, Departamenti amerikan i Thesarit përfshiu Radoiçiqin, Veselinoviqin, vëllain e tij Zharko dhe dhjetë persona të tjerë në listën e sanksioneve.

Sipas shpjegimeve zyrtare amerikane, Radoiçiq është identifikuar si zëvendës i Veselinoviqit dhe si lider i dyshuar i një grupi të organizuar kriminal. Po ashtu, ai është përmendur si i përfshirë në kontrabandë armësh brenda rrjeteve kriminale të këtij grupi.

Sulmi i armatosur në Banjskë

Më 24 shtator 2023, në afërsi të manastirit të Banjskës në veri të Kosovës, ndodhi një përballje e armatosur ku u vra një polic i Kosovës dhe tre serbë: Stefan Nedeljkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Igor Milenkoviq.

Autoritetet e Kosovës e identifikuan Milan Radoiçiq si organizator të sulmit. Policia e Kosovës arrestoi tre persona të përfshirë në grup, ndërsa Radoiçiq u kthye në Serbi dhe disa ditë më vonë pranoi publikisht organizimin e aksionit, duke deklaruar se nuk kishte pasur mbështetje nga institucionet e Beogradit apo autoritetet lokale.

Ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd për çështje të lidhura me kontrabandën e armëve, por u lirua pas dëgjimit dhe iu kërkua të paraqitej rregullisht në polici.

Megjithatë, procesi gjyqësor ende nuk ka marrë epilog përfundimtar, ndërsa autoritetet serbe kanë njoftuar se vendimi mund të merret në vitin 2025.

Serbia e dyshon Radoiçiq për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe trafikim të paligjshëm armësh”, ndërsa Kosova e cilëson sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e lidh atë me sulm ndaj rendit kushtetues të vendit.

Pas ngjarjes në Banjskë, Radoiçiq dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Vendimet gjyqësore dhe urdhër-arrestet në Kosovë

Në lidhje me sulmin në Banjskë, disa persona janë dënuar nga gjykatat në Kosovë.

Tre të akuzuar, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, u shpallën fajtorë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Spasojeviq dhe Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Maksimoviq me 30 vjet burg.

Deri më tani, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë lëshuar pesë urdhër-arreste për Milan Radoiçiq, përfshirë edhe për barrikadat në veri në vitin 2022, sulmin në Banjskë dhe dyshime të tjera që lidhen me krime të luftës.

Ai po ashtu dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të përfshirë në vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në Gjakovë gjatë luftës së vitit 1999, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur më vonë në një varr masiv pranë Beogradit.

SHBA, NATO dhe BE, vazhdimisht kanë kërkuar arrestimin dhe sjelljen e tij para drejtësisë, por regjimi i Vuçiqit ka heshtur dhe vazhdon ta mbroj në të gjitha mënyrat.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Kosova Milan Radoiçiq Serbia

Continue Reading

Previous: Policia e Kosovës zbardh lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë në Prishtinë – autori në Serbi
Next: SHBA sinjalizon zgjerim të bashkëpunimit me Kosovën: Mundësi të pakufishme në mbrojtje dhe energji

SHBA sinjalizon zgjerim të bashkëpunimit me Kosovën: Mundësi të pakufishme në mbrojtje dhe energji 3 min read
  • Ballkan

SHBA sinjalizon zgjerim të bashkëpunimit me Kosovën: Mundësi të pakufishme në mbrojtje dhe energji

The Geopost June 30, 2026
Policia e Kosovës zbardh lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë në Prishtinë – autori në Serbi 2 min read
  • Ballkan

Policia e Kosovës zbardh lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë në Prishtinë – autori në Serbi

The Geopost June 30, 2026
Xhandarmëria serbe këndon këngë nacionaliste për Kosovën para Vuçiqit dhe Daçiqit 2 min read
  • Ballkan

Xhandarmëria serbe këndon këngë nacionaliste për Kosovën para Vuçiqit dhe Daçiqit

The Geopost June 30, 2026
Frontex: Rusët dhe kinezët keqpërdorin regjimin pa viza të Ballkanit Perëndimor 10 min read
  • Ballkan

Frontex: Rusët dhe kinezët keqpërdorin regjimin pa viza të Ballkanit Perëndimor

The Geopost June 30, 2026
​Vuçiq del në mbrojtje të Radoiçiqit: Ndiqet për Kosovën, jo për krime 3 min read
  • Ballkan

​Vuçiq del në mbrojtje të Radoiçiqit: Ndiqet për Kosovën, jo për krime

The Geopost June 30, 2026
Protestat në Serbi: Me narrativin për Kosovën kundër pushtetit në Beograd 6 min read
  • Ballkan

Protestat në Serbi: Me narrativin për Kosovën kundër pushtetit në Beograd

The Geopost June 30, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.