Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

The Geopost June 28, 2026 3 min read
Share the news

Disa serbë u shoqëruan në polici pas shënimit të festës së Vidovdanit në Gazimestan të dielën, rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës, ku zakonisht mblidhen serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit çdo 28 qershor për ta përkujtuar betejën kundër ushtrisë osmane në Kosovë në vitin 1389.

Vidovdani është gjithashtu festë fetare, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe tradicionalisht mban një shërbesë përkujtimore në Gazimestan për ushtarët e rënë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Edhe këtë vit, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan pati prani të madhe të policës kosovare.

Në hyrje, oficerët policorë ua shpërndanë vizitorëve një njoftim ku thuhej se nuk do të tolerohej “mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Në atë njoftim thuhej gjithashtu se do të arrestoheshin të gjithë ata që kryenin ndonjë nga këto vepra penale.

Disa nga të pranishmit në Gazimestan, ndër të tjera, brohoritën “Kosova është Serbi” ose kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se disa pjesëtarë të komunitetit serb u shoqëruan në polici, edhe pse atyre nuk iu paraqit “asnjë dokument me shkrim që shpjegon arsyet e ndalimit”.

“Në lidhje me këtë veprim, të cilin e konsiderojmë si një përpjekje për frikësim dhe si dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë, kemi njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe u kemi kërkuar që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të kërkojnë lirimin e të gjithë të arrestuarve”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet kosovare nuk kanë komentuar ende.

Ndërkohë, gjatë shënimit të Vidovdanit në vitin 2025, autoritetet ligjzbatuese të Kosovës shoqëruan 17 njerëz për marrje në pyetje në stacion policor për shkak të “nxitjes së urrejtjes” dhe “veshjeve provokuese”.

Ndryshe, gjatë shënimit të Vidovdanit, edhe shfaqja e flamurit të Serbisë shpesh ka qenë burim tensionesh.

Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës që lejonte vendosjen e flamurit serb me rastin e Vidovdanit, me arsyetimin se komuna kishte tejkaluar kompetencat e saj dhe kishte vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare në Kosovë.

Ndërkohë, në mesin e qershorit të këtij viti, vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, u dërguan një letër autoriteteve qendrore dhe lokale, duke u thënë atyre se përdorimi i simboleve dhe flamujve kombëtarë të komuniteteve pakicë është e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta.

Neni 59 i Kushtetutës së Kosovës u garanton të gjitha komuniteteve të drejtën për të përdorur dhe shfaqur simbolet e tyre kombëtare, për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën e tyre, si dhe për të pasur qasje në arsim dhe informim në gjuhën e tyre.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh citohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Tags: Gazimestani Policia e Kosovës Serbi Vidovdani

Continue Reading

Previous: Policia e Kosovës shton masat e sigurisë në Gazimestan, kontrolle të rrepta gjatë tubimit për Vidovdan
Next: Një faqe me 250 mijë ndjekës rishprëndan video të vitit të kaluar nga Gazimestani për të përhapur propagandë e nacionalizëm

Miniq: Beogradi po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor 6 min read
  • Ballkan

Miniq: Beogradi po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor

The Geopost August 19, 2026
Brey godet Vuçiqin: Propaganda serbe fajëson Brukselin për dështimin e Serbisë drejt BE-së 2 min read
  • Ballkan

Brey godet Vuçiqin: Propaganda serbe fajëson Brukselin për dështimin e Serbisë drejt BE-së

The Geopost August 19, 2026
Vuçiqi kërcënon me ndryshimin e Ibrit, Janjiq: Rikthim te idetë nacionaliste të viteve ’80 4 min read
  • Ballkan

Vuçiqi kërcënon me ndryshimin e Ibrit, Janjiq: Rikthim te idetë nacionaliste të viteve ’80

The Geopost August 19, 2026
Kush po përhap narrativat e Kremlinit në Serbi? Nga faqet anonime te media shtetërore ruse 8 min read
  • Ballkan

Kush po përhap narrativat e Kremlinit në Serbi? Nga faqet anonime te media shtetërore ruse

The Geopost August 19, 2026
“Zelensky promovoi narrativën e Beogradit kundër Kosovës”, Joseph: Serbia po armatos Ukrainën, por vazhdon t’i qëndrojë besnike Rusisë 3 min read
  • Ballkan

“Zelensky promovoi narrativën e Beogradit kundër Kosovës”, Joseph: Serbia po armatos Ukrainën, por vazhdon t’i qëndrojë besnike Rusisë

The Geopost August 18, 2026
“Retorika dhe praktika në drejtime të kundërta”, gazetari serb kritikon politikën e Beogradit ndaj Kosovës 4 min read
  • Ballkan

“Retorika dhe praktika në drejtime të kundërta”, gazetari serb kritikon politikën e Beogradit ndaj Kosovës

The Geopost August 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.