Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka hedhur poshtë akuzat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Podgorica po zhvillon “luftë hibride” kundër Serbisë, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe si pasqyrim të mungesës së gatishmërisë së një pjese të elitës politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, diplomacia malazeze tha se deklaratat e shpeshta që vijnë nga Serbia tregojnë se disa struktura politike ende nuk e shohin Malin e Zi si një shtet të barabartë, por si një hapësirë që duhet t’u rikthehet “qendrave të imagjinuara politike”.
Sipas Podgoricës, retorika e tillë intensifikohet zakonisht në periudha kur Mali i Zi shënon përparim në procesin e integrimit evropian ose kur afrohen zgjedhjet.
“Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse deklaratat e tilla duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi”, thuhet në reagim.
Ministria malazeze rikujtoi gjithashtu se pavarësia e Malit të Zi është rezultat i një referendumi demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht, duke theksuar se marrëdhëniet e mira me Serbinë mund të ndërtohen vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe pranimit të realitetit politik.
Reagimi i Podgoricës erdhi pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi për Televizionin Prva se mediat malazeze kanë luajtur rol të rëndësishëm në atë që ai e quajti “revolucion me ngjyra” në Serbi dhe se Mali i Zi po zhvillon një “luftë të vërtetë hibride” kundër shtetit serb.
“Kjo është një luftë e vërtetë hibride. Ata po zhvillojnë luftë hibride kundër Serbisë dhe të gjithë marrin pjesë në të ose bëjnë sikur nuk e shohin”, deklaroi Vuçiq.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë reagoi duke pretenduar se përgjigjja e Podgoricës përbën “konfirmim të natyrës hibride të veprimit të qarqeve të caktuara në Mal të Zi ndaj jetës politike në Serbi”.
Diplomacia serbe theksoi se Serbia nuk e vë në dyshim shtetësinë e Malit të Zi dhe nuk ka pretendime territoriale ndaj tij, por shtoi se ka të drejtë të reagojë ndaj dukurive që, sipas saj, cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Beogradi bëri thirrje që të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve të zgjidhen përmes dialogut institucional dhe kanaleve diplomatike, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturor dhe të besimit të ndërsjellë.
Polemika e fundit tregon vazhdimin e tensioneve politike dhe retorike mes dy vendeve, pavarësisht deklarimeve zyrtare për nevojën e ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore.
The GeoPost

Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd
Jovo Bakiq paralajmëron hetime ndaj Vuçiqit dhe zyrtarëve të regjimit: Do të përfundojnë në burg
Skandal në shërbimin sekret serb: Ish-zyrtarët padisin BIA-n për përgjim të studentëve dhe aktivistëve
Stradner kërkon publikimin e emrave të zyrtarëve serbë që bashkëpunuan me FSB-në ruse
Deputeti i Listës Studentore në Serbi thotë se s’do të ketë ndryshim qëndrimesh ndaj Kosovës
Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë?