Në një sërë tekstesh të publikuara ditët e fundit nga portalet RT Balkan (mediar nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kremlinit), Informer dhe Veçernje novosti, iniciativat teknike dhe përkujtimore të komunës së Obiliqit interpretohen me qëllim të keq si “sulm ndaj identitetit serb” dhe “rrëmbim i historisë”, me çka ndizen qëllimisht tensionet para shënimit të Vidovdanit.
Në mediat pro-serbe dhe ruse është i pranishëm një narrativ politikisht dhe emocionalisht i ngarkuar që Kosovën e cilëson si “shtet të rremë”, ndërsa shqiptarët përshkruhen me shprehje si “terroristë” dhe “ekstremistë”.
Përmes tekstit me titull “Terroristët shqiptarë kundër heronjve të Kosovës: Pse shteti i rremë dëshiron të rrëmbejë Betejën e Kosovës”, portali RT Balkan përdor fjalor ndezës për ta paraqitur shënimin e përvjetorit të betejës si një akt të dhunshëm, terrorist, të synuar në fshirjen e identitetit historik serb.
RT Balkan në tekstin e vet përdor kualifikime të theksuara politike, ndërsa Informer, përmes formulimeve të titujve si “Kurti dëshiron t’ua rrëmbejë Lazarin serbëve”, u qaset manipulimeve të drejtpërdrejta emocionale dhe përdorimit të simboleve historike për mobilizimin politik të opinionit publik.
RT Balkan në tekstet për Gazimestanin ka përdorur një kornizë të theksuar propagandistike, duke përfshirë termat si “shtet i rremë” dhe “ekstremistë shqiptarë”, me çka konteksti politik dhe historik thjeshtohet dhe shndërrohet në një narrativ për konflikt dhe armiqësi.
Ngjarjet lidhur me Vidovdanin dhe Gazimestanin janë paraqitur si përpjekje të pretenduara të institucioneve të Kosovës për të “rrëmbyer kujtesën” dhe për të “fshirë trashëgiminë serbe”, megjithëse në realitet bëhet fjalë për iniciativa lokale përkujtimore dhe administrative që nuk përmbajnë elemente të ndalimit apo mohimit të historisë.
“Novosti” shtesë e përforcon këtë narrativ duke insistuar në nevojën për “mbrojtjen e Vidovdanit”, gjë që përforcon perceptimin e rrezikimit të vazhdueshëm të identitetit kulturor dhe fetar serb në Kosovë.

Analiza e këtyre përmbajtjeve tregon një model të përsëritur propagandistik, në të cilin çdo iniciativë politike apo lokale e institucioneve të Kosovës interpretohet si sulm ndaj serbëve, ndërsa ngjarjet historike përdoren si mjet për mobilizim politik bashkëkohor.
Gjuha emocionalisht e ngarkuar, mungesa e burimeve të verifikuara dhe dominimi i naracionit mbi “rrezikun” tregojnë për devijim nga standardet profesionale të gazetarisë.

Në vend të një informimi të ekuilibruar, raportimi i tillë kontribuon në krijimin e një atmosfere të konfliktit të vazhdueshëm politik dhe etnik, në të cilën ngjarjet komplekse reduktohen në narrativa të thjeshta për “miqtë” dhe “armiqtë”.
Në këtë mënyrë, hapësira mediatike bëhet një mjet për shpërndarjen e mesazheve propagandistike, dhe jo një platformë për informimin objektiv dhe të përgjegjshëm të publikut.
The Geopost

Alarm në Gjermani, rritet frika nga sulmet me dronë ndaj parlamentit
“Një pikë kthese” – Gjermania merr më shumë përgjegjësi për sigurinë e Evropës
Ekspertët amerikanë: Boshti Rusi-Kinë-Iran paraqet sfidë të madhe
Ukraina godet një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi
Skandali në aeroportin e Malit të Zi – kriminelët dhe ish-policët serbë në të njëjtin mision