Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për faktin se Serbia po u jep shtetësi shtetasve rusë. Sipas këtij institucioni, numri në rritje i shtetasve rusë që, përmes marrjes së shtetësisë serbe, mund të hyjnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, përbën një sfidë të mundshme sigurie për të gjithë bllokun.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, kjo çështje përmendet rregullisht në raportet e institucionit.
“Edhe në raportin e vitit të kaluar u theksua veçanërisht se fitimi i të drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetasit rusë, përmes dhënies së shtetësisë serbe, paraqet kërcënime të mundshme për sigurinë e Bashkimit Evropian”, tha Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian, shkruan rtk.
Për shtetet e Bashkimit Evropian kjo paraqet problem, pasi në mesin e personave që marrin shtetësi serbe mund të ketë edhe shtetas rusë që janë subjekt i sanksioneve evropiane ose që konsiderohen rrezik për sigurinë e kontinentit.
Serbia është një nga vendet me përqendrim të madh të shtetasve rusë, veçanërisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar rreth 50 mijë shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi.
Zyrtarët evropianë konfirmojnë se po e shtyjnë përpara dialogun me Serbinë për këtë çështje, të cilën e konsiderojnë me rëndësi të veçantë.

Nga Moska në Beograd: Lufta e narrativave dhe rreziku i manipulimit të informacionit në Kosovë
Avokati serb kërkon përgjegjësi nga mediat që i shërbyen për 14 vjet Vuçiqit: Tjetër është kapitali, tjetër krijimi i opinionit publik
Mediat gjermane dhe zvicerane: Fitore historike e studentëve, por qëndrimi ndaj Kosovës dhe Rusisë mbetet shqetësim
Kush janë figurat kryesore të Listës Studentore që mposhti Vuçiqin në Serbi dhe kush mund të bëhet kryeministër?
Filipoviq paralajmëron për orientimin e Listës Studentore në Serbi
Kandidati i Listës Studentore për kryeministër: Kosova është pjesë e Serbisë, nuk do të biem dakord me kroatët për vitet ’90