Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza

Nga kritikat ndaj SHBA-së te elozhet për Trumpin: Transformimi i Vuçiqit në një servil të rafinuar

The Geopost June 1, 2026 5 min read
Share the news

Aleksandar Vuçiq po e luan sërish një nga rolet e tij më të njohura, politikanin që e përshtat gjuhën sipas fuqisë që i duhet në atë moment. Këtë herë, objekti i kujdesit është Donald Trump, jo si simbol i Amerikës, por si instrument i një stili politik që Vuçiq e kupton mirë, transaksional, i fokusuar te “fitimi”, alergjik ndaj moralizimit dhe i prirë të anashkalojë burokracitë tradicionale.

Në opinionin e tij për Fox News, më 22 maj, Vuçiq nuk shkon te fjalori klasik perëndimor i “vlerave” (reforma, demokraci, sundim i ligjit). Ai shkon te fjalori që i pëlqen Trumpit, përfitimi i prekshëm. Serbia, thotë ai, i ofron SHBA-së “thellësi strategjike”, “stabilitet politik” dhe një qeveri “të orientuar drejt zbatimit, e jo ideologjisë”. Këtu nuk ka romantizëm diplomatik; ka marketing gjeopolitik. Mesazhi është i thjeshtë: na përdorni, sepse jemi nyje e rëndësishme.

Pastaj vjen lajkatimi i kalibruar, Vuçiq nënvizon gatishmërinë e Trumpit dhe rrethit të tij “ta dëgjojnë seriozisht dhe pa paragjykime qëndrimin e Serbisë”, madje kujton takime të gjata në Shtëpinë e Bardhë ku, sipas tij, “nuk u shpërfill”. Kjo frazë ka më shumë peshë se duket. Në të, Vuçiq përpiqet të prodhojë një realitet politik: idenë se Serbia ka kanal të drejtpërdrejtë me Uashingtonin, pa filtrat e Brukselit dhe pa leksionet morale që zakonisht shoqërojnë raportin me Perëndimin.

Kjo është edhe arsyeja pse ai e vendos Serbinë në kontrast me Evropën. Ai e përshkruan establishmentin evropian si të hutuar dhe armiqësor ndaj “Amerika e Para”, ndërsa Serbia sipas tij ka entuziazëm “të pashtrembëruar” për udhëheqjen e Trumpit. Me fjalë të tjera ‘Evropa të bezdis ne të mirëpresim’. Madje shkon deri aty sa të premtojë një pritje në Beograd “që nuk është parë në Evropë”. Ky është lajkatim publik, i destinuar të kthehet në kapital politik. Pra nëse Trump është njeri i duartrokitjeve, Vuçiq po i ofron skenën.

Por kjo “Trump-kartë” e Vuçiqit nuk është konstante, as parimore. Ajo shfaqet dhe zbehet sipas interesit të ditës dhe sipas audiencës.

Këtë dyzim e demaskoi qartë episodi i Venezuelës, pas operacionit amerikan dhe kapjes së Nicolas Maduros, Vuçiq kaloi nga toni i afrisë me Uashingtonin në kritikë të hapur ndaj SHBA-së. Ai deklaroi se pas asaj që ndodhi “është e qartë se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionojnë”, se bota udhëhiqet nga “ligji i forcës” dhe “ligji i më të fortit”, ndërsa Serbia sipas tij duhet “të mbështetet te vetja”, sepse “nëse dikush nga rajoni na sulmon, askush nuk do të na ndihmojë”. Në plan më të gjerë, kritikat ndaj veprimit amerikan u pasqyruan edhe në reagime të shumta ndërkombëtare që e quajtën një precedent të rrezikshëm dhe shkelje të parimeve të Kartës së OKB-së.

Pra, njëkohësisht, Vuçiq kërkon t’i flasë Trumpit si partner pragmatik dhe t’i shesë Serbisë një rol “strategjik” në Evropën Juglindore, por pa e hequr kurrë nga arsenali i brendshëm narrativën se Perëndimi vepron sipas “ligjit të më të fortit”. Ai e përdor këtë dyzim për të menaxhuar dy fronte, jashtë, për të ulur presionin dhe për të hapur kanale brenda, për të mbajtur gjallë ndjeshmërinë e 1999-ës dhe idenë se Serbia duhet të jetë vigjilente, e armatosur dhe e vetë-mjaftueshme.

Por loja bëhet edhe më e rafinuar kur hyn në kujtesën e vitit 1999.

Vuçiq e pranon se Serbia ka pasur dyshime të thella ndaj SHBA-së për shkak të bombardimeve të NATO-s një traumë kolektive që është shndërruar në themel të narrativës shtetërore. Megjithatë, ai e gjen “zgjidhjen” propagandistike kinse qytetarët serbë e shohin Trumpin si paqebërës dhe si lider që vlerëson sovranitetin kombëtar përballë “burokracisë pa fytyrë”. Kështu, Vuçiq nuk e rrëzon mitin e viktimës së 1999-ës (sepse i duhet brenda), por e riorienton atë se problemi nuk është “Amerika”, problemi janë “të tjerët”, Trumpi paraqitet si “Amerika e pranueshme”.

Megjithatë, kontradiktat dalin shpejt në sipërfaqe kur retorika e tij për Iranin e kthen sërish krahasimin me bombardimet e vitit 1999, “ndodh sikurse në Serbi”, “na gënjyen”, “qëllimi ishte ndryshimi i regjimit”.

Kjo tregon se Vuçiqi nuk po ndërton një qëndrim koherent, ai po menaxhon emocione të brendshme dhe interesa të jashtme në të njëjtën kohë. Për publikun e vet, 1999 është refleks automatik, për Uashingtonin e Trumpit, Serbia duhet shitur si partnere pragmatike. Këto dy gjuhë përplasen, por ai llogarit se mund t’i mbajë paralel.

Pse i duhet kjo “Trump-kartë” tani? Sepse Serbia po ecën në tel, është kandidate për BE edhe pse larg, shumë larg Bashkimit Evropian, gjithashtu, po ruan lidhje me Rusinë dhe Kinën, ka goditje nga sanksionet (si rasti i NIS për pronësinë ruse) dhe nga presione ekonomike (tarifat).

Në këtë realitet, Vuçiqi kërkon një formë “sigurimi”, të mos mbetet peng vetëm i Lindjes dhe njëkohësisht të mos dorëzohet plotësisht në Perëndim. Trumpi, në këtë skemë, shfaqet si mundësia e një marrëdhënieje më pak morale dhe më shumë “pazari”.

Prandaj, lajkatimi i Vuçiqit ndaj Trumpit nuk është shenjë dashurie politike, është investim. Ai po përpiqet të blejë hapësirë manovrimi të zbusë presionin amerikan, të fitojë peshë negociuese ndaj BE-së dhe të prodhojë legjitimitet të brendshëm me idenë se “unë flas me të mëdhenjtë”. Serbia si “korridor kritik”, Vuçiqi si “njeri i stabilitetit”, Trumpi si “lider që dëgjon”, ky është tregimi që po shitet.

Në fund, pyetja nuk është nëse Vuçiqi e admiron Trumpin. Pyetja është: çfarë kërkon të marrë në këmbim të kësaj admirimi të ekspozuar. Dhe historia e tij politike sugjeron një përgjigje të thjeshtë: çdo duartrokitje publike është monedhë negocimi. KB/The GeoPost.

Tags: Aleksandar Vuçiq Donald Trump

Continue Reading

Previous: Tre vjet nga sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s: Roli i drejtpërdrejtë i Vuçiqit përmes Radoiçiqit në destabilizimin e veriut

Tre vjet nga sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s: Roli i drejtpërdrejtë i Vuçiqit përmes Radoiçiqit në destabilizimin e veriut 7 min read
  • Analiza
  • News

Tre vjet nga sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s: Roli i drejtpërdrejtë i Vuçiqit përmes Radoiçiqit në destabilizimin e veriut

The Geopost May 30, 2026
Vuçiq në Pekin: Ankohet për BE-në, por e lidh Serbinë gjithnjë e më fort me Kinën 4 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Vuçiq në Pekin: Ankohet për BE-në, por e lidh Serbinë gjithnjë e më fort me Kinën

The Geopost May 25, 2026
Si regjimi i Vuçiqit dhe Lista Serbe po përdorin shantazhet dhe kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë 5 min read
  • Analiza

Si regjimi i Vuçiqit dhe Lista Serbe po përdorin shantazhet dhe kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë

The Geopost May 21, 2026
RT Ballkan dezinformon për FSK-në dhe armatosjen e Kosovës 3 min read
  • Analiza
  • Fact Checking

RT Ballkan dezinformon për FSK-në dhe armatosjen e Kosovës

The Geopost May 18, 2026
Kosova në NATO fundi i vakuumit të sigurisë në Ballkan 6 min read
  • Analiza

Kosova në NATO fundi i vakuumit të sigurisë në Ballkan

The Geopost May 17, 2026
Tendenca për ndërhyrje në Mal të Zi për Kosovën dhe ëndrra e Vuçiqit që mbetet pa jetësim 6 min read
  • Analiza

Tendenca për ndërhyrje në Mal të Zi për Kosovën dhe ëndrra e Vuçiqit që mbetet pa jetësim

The Geopost May 17, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.