Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për personat me inicialet M.K., V.M., D.R., Z.D., C.B., M.I., S.S. dhe S.K., të cilët akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit, në periudhën nga 24 marsi deri më 31 mars 1999, në qytetin e Gjakovës, gjatë një operacioni të gjerë ushtarak dhe policor, kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në koordinim me struktura policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, duke kryer një sërë veprash të rënda penale ndaj civilëve shqiptarë.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë këtij operacioni janë kryer vrasje të civilëve, dëbime të dhunshme të popullsisë, si dhe shkatërrim dhe plaçkitje e pronës së tyre. Në këtë kontekst, autoritetet bëjnë të ditur se si pasojë e veprimeve të këtyre forcave janë vrarë 65 civilë, ndërsa 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe ende nuk dihet fati i tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar gjithashtu se, në përputhje me nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykata Themelore në Prishtinë që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, ky hap është ndërmarrë me qëllim që procesi gjyqësor të mos vonohet dhe që drejtësia të vihet në vend, pavarësisht mungesës së të akuzuarve.
Në përfundim, Prokuroria Speciale thekson se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve të krimeve të luftës, duke vepruar në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe me synimin për të siguruar drejtësi për viktimat, si dhe për të forcuar sundimin e ligjit në vend.
The Geopost

Miniq: Beogradi po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor
Brey godet Vuçiqin: Propaganda serbe fajëson Brukselin për dështimin e Serbisë drejt BE-së
Vuçiqi kërcënon me ndryshimin e Ibrit, Janjiq: Rikthim te idetë nacionaliste të viteve ’80
Kush po përhap narrativat e Kremlinit në Serbi? Nga faqet anonime te media shtetërore ruse
“Zelensky promovoi narrativën e Beogradit kundër Kosovës”, Joseph: Serbia po armatos Ukrainën, por vazhdon t’i qëndrojë besnike Rusisë
“Retorika dhe praktika në drejtime të kundërta”, gazetari serb kritikon politikën e Beogradit ndaj Kosovës