Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Shuarja e institucioneve paralele serbe në Kosovë shkakton përplasje të ashpra në Kuvendin e Serbisë

The Geopost November 20, 2026 5 min read
Share the news

Mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë dhe marrëveshjet e arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë shkaktuar përplasje të reja politike në Serbi, ku presidenti Aleksandar Vuçiq është përballur me akuza nga deputetët e Listës Studentore dhe përfaqësues të organizatave serbe nga Kosova.

Gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë, deputeti i Listës Studentore, Feda Dimoviq, e ka akuzuar Vuçiqin dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit të kaluar se kanë dorëzuar institucionet e shtetit serb në Kosovë përmes Marrëveshjes së Brukselit.

Dimoviq, i cili është edhe anëtar i grupit muzikor “Sindikata e Beogradit”, ka reaguar ndaj pretendimeve se ai është pjesë e një “sindikate të Brukselit”, duke ua kujtuar deputetëve se marrëveshjen e vitit 2013 e kishte nënshkruar Ivica Daçiq, së bashku me përfaqësues të tjerë të atëhershëm të pushtetit.

“Dëgjuam se unë jam një sindikatë e ‘Brukselit’, megjithëse ka disa njerëz këtu që nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, së bashku me Ivica Daçiqin dhe dorëzuan të gjitha institucionet e shtetit serb në Kosovë, dhe guxojnë të thonë se dikush është një sindikatë e ‘Brukselit’”, deklaroi Dimoviq.

Në përgjigje, Vuçiq mohoi se kishte qenë nënshkrues i kësaj marrëveshjeje, duke ia atribuuar përgjegjësinë ish-kryeministrit serb.

“Marrëveshjen e Brukselit e ka nënshkruar Ivica Daçiq, jo unë”, u përgjigj Vuçiq.

Përplasja në Kuvendin e Serbisë vjen në një kohë kur çështja e Kosovës vazhdon të jetë një prej temave kryesore të debatit politik në Beograd, veçanërisht pas mbylljes së një numri institucionesh që funksiononin në Kosovë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Mbyllja e institucioneve paralele, temë e debatit në Serbi

Autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë aksione për mbylljen e institucioneve paralele serbe që nga fillimi i vitit 2024, në kuadër të përpjekjeve për shtrirjen e rendit juridik dhe autoritetit institucional në të gjithë territorin e vendit.

Fillimisht, u mbyllën tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë, ndërsa më 30 gusht 2024 u mbyllën edhe pesë institucione të tjera në veri të Kosovës.

Aksionet vazhduan më 15 janar 2025, kur autoritetet kosovare ndërhynë në dhjetë komuna në pjesën jugore të lumit Ibër, ku u mbyllën disa komuna paralele, zyra postare dhe zyra tatimore që funksiononin nën sistemin e Serbisë.

Qeveria e Kosovës i ka konsideruar këto struktura si institucione paralele, të cilat kanë funksionuar jashtë rendit juridik të vendit.

Ministri i atëhershëm i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte deklaruar se këto institucione cenonin kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Organizatat serbe nga Kosova kallëzojnë penalisht Vuçiqin

Përplasjet për politikën e Beogradit ndaj Kosovës nuk janë kufizuar vetëm në Kuvendin e Serbisë.

Më 16 nëntor, përfaqësues të tri organizatave serbe nga Kosova kanë dorëzuar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd një kallëzim penal ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë shtetërorë të Serbisë.

Në kallëzim përfshihen edhe ish-kryeministrat Ivica Daçiq dhe Ana Brnabiq, ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, si dhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Përfaqësuesit e organizatave i akuzojnë ata për tejkalim të kompetencave dhe për veprime që, sipas tyre, kanë kontribuar në krijimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

Kallëzimin penal e kanë nënshkruar kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçillo Trajkoviq, përfaqësuesit e lëvizjes “Atdheu”, Marko Jakshiq dhe Sllavisha Ristiq, si dhe udhëheqësit e Këshillit Nacional Serb të Kosovës, Ljubisha Dabiq dhe Momir Stojanoviq.

Ata kanë kërkuar që Prokuroria të hetojë vendimet dhe marrëveshjet e arritura nga ish-pushteti serb në raport me Kosovën.

Në mesin e kërkesave të paraqitura në kallëzimin penal është edhe rishqyrtimi i Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, si dhe i procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Nënshkruesit e kallëzimit pretendojnë se këto marrëveshje i kanë dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare serbe.

Ata kanë kërkuar gjithashtu rishqyrtimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, Marrëveshjes së Ohrit, Planit franko-gjerman dhe të gjitha obligimeve që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Kosovën.

Një pjesë e veçantë e kallëzimit i kushtohet edhe funksionimit të institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë integrimin e policisë dhe gjyqësorit në sistemin e Kosovës.

Përveç kësaj, organizatat kanë kërkuar hetimin e rolit të Listës Serbe dhe të Goran Rakiqit, duke ngritur pretendime për presione të mundshme ndaj qytetarëve serbë lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e Kosovës.

Ata kanë kërkuar edhe hetimin e mënyrës se si janë shpenzuar fondet që Serbia ka ndarë për serbët dhe institucionet në Kosovë, duke pretenduar se ekzistojnë dyshime për keqpërdorime të këtyre mjeteve.

Kërkojnë hetim për Banjskën dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Në mesin e çështjeve për të cilat organizatat serbe kanë kërkuar hetim janë edhe vrasja e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018, dhe sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçillo Trajkoviq, ka thënë se përmes kallëzimit kërkojnë të hetohen lidhjet e mundshme të personave ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi me vrasjen e Ivanoviqit.

Sa i përket sulmit në Banjskë, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku, Trajkoviq ka kërkuar verifikimin e rrjedhave financiare dhe komunikimeve.

Sipas tij, synimi është të përcaktohet nëse personat ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi kishin dijeni paraprake për sulmin ose kanë kontribuar në të.

Përfaqësuesit e tri organizatave kanë deklaruar se presin që Prokuroria e Serbisë të trajtojë çështjet e ngritura në kallëzim, ndërsa nga Lista Studentore kanë shprehur pritjet për bashkëpunim në përcaktimin e politikës së ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës.

Përplasjet e fundit tregojnë se marrëveshjet e dialogut, institucionet paralele dhe përgjegjësia e ish-pushtetit për zhvillimet në Kosovë po bëhen pjesë e debatit të brendshëm politik në Serbi.

Tags: Kosovë Serbi

Continue Reading

Previous: Macron mbështet “rihapjen e çështjes” së anëtarësimit të Ukrainës në NATO
Next: Ushtria zvicerane nis stërvitjet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike

Policia serbe nuk sqaron nëse Radoiçiq ka kaluar kufirin 3 min read
  • Ballkan
  • News

Policia serbe nuk sqaron nëse Radoiçiq ka kaluar kufirin

The Geopost November 20, 2026
Regjimi i Vuçiqit nën akuza të reja: BIA përdorej për të ndjekur kundërshtarët politikë 7 min read
  • Ballkan

Regjimi i Vuçiqit nën akuza të reja: BIA përdorej për të ndjekur kundërshtarët politikë

The Geopost November 20, 2026
Hungaria pritet të heqë veton, Ukrainës i hapet rruga drejt BE-së 1 min read
  • Botë
  • News

Hungaria pritet të heqë veton, Ukrainës i hapet rruga drejt BE-së

The Geopost November 20, 2026
Shpërthimi në Poloni, NATO ngre në ajër aeroplanët luftarakë 1 min read
  • Botë
  • News

Shpërthimi në Poloni, NATO ngre në ajër aeroplanët luftarakë

The Geopost November 20, 2026
Shpërthim në Poloni, dyshohet se vendi është goditur nga një raketë ose dron 1 min read
  • Botë
  • News

Shpërthim në Poloni, dyshohet se vendi është goditur nga një raketë ose dron

The Geopost November 20, 2026
FSK-ja merr pjesë në ushtrimin “Golden Sabre” të organizuar nga KFOR-i 1 min read
  • Ballkan
  • News

FSK-ja merr pjesë në ushtrimin “Golden Sabre” të organizuar nga KFOR-i

The Geopost November 20, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.